DHJETOR

1 dhjetor 1958

Më 1 dhjetor 1958 u shfaq në Teatrin “Migjeni”, Shkodër, opera e parë shqiptare, “Mrika”, e kompozitorit të shquar shqiptar, Prenk Jakova, me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi.

1 dhjetor 2006

Hyn në fuqi Marrëveshja e Përkohshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për Tregtinë dhe Bashkëpunimin Tregtar.

2 dhjetor 1945

Një vit pas çlirimit të vendit, Shqipëria mbajti zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, garuan vetëm kandidatë nën siglën e Frontit Demokratik, që ishte në thelb një ambalazh i Partisë Komuniste.

2 dhjetor 1946

Më 2 dhjetor 1946, Atë Bernardin Palaj, frat françeskan, mbledhës folklori dhe shenjtor shqiptar, vdiq në burgun e Shkodrës prej torturave, përpara se të dënohej.

4 dhjetor 1912

U formua qeveria e parë e shtetit të Pavarur shqiptar me kryeministër Ismail Qemalin dhe me këta anëtarë të kabinetit: Luigj Gurakuqi, nënkryetar, Myfit Libohova, Mehmet Pashë Tetova, Abdi Topytani, Mid’hat Frashëri, Pandeli Poga, Pandeli Cale, Lef Nosi.

9 dhjetor 1945

Më 9 dhjetor 1945 u arrestua intelektuali shkodran Gjon Shllaku, si anëtar i organizatës “Bashkimi shqiptar” për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit komunist. U dënua me 101 vjet heqje lirie, por u lirua pas 11 vjetësh. Në vitet e burgut ai përktheu tekste biblike nga origjinali, greqishtja e vjetër. Në 1965 përktheu “Iliadën” e Homerit etj.

10 dhjetor 1916

U shpall Vetëqeverimi shqiptar i qarkut të Korçës, apo Republika shqiptare e Korçës. Dy udhëheqësit e Lëvizjes kombëtare, që imponuan shpalljen e Republikës së Korçës dhe ngritjen e flamurit shqiptar ishin Sali Butka në krye të çetave vullnetare shqiptare që arritën në 30.000 luftëtarë dhe Themistokli Gërmenji, që hyri në bisedime me autoritetet franceze dhe realizoi kërkesat e shqiptarëve. U krijua këshilli qeverisës me fuqi legjislative dhe ekzekutive, administrata shqiptare, si edhe policia. Gjuha zyrtare ishte gjuha shqipe. Themistokliu u emërua prefekt i policisë, ndërkohë që koloneli Dekoen përfaqësonte komandën e ushtrisë franceze.

12 dhjetor 1990

Themelohet partia e parë opozitare, Partia Demokratike (e qendrës së djathtë), me të cilën fillon pluralizmi politik në Shqipëri. Më pas, në vitin 1991 e më tej, krijohen partitë e para politike: Partia Republikane (e spektrit të djathtë), Partia Socialdemokrate (e qendrës së majtë), Partia Socialiste (e spektrit të majtë), Partia e Ballit Kombëtar (e djathtë), Partia e Legalitetit (e djathtë), Partia Agrare (e majtë) etj. Po në vitin 1991 themelohet Shoqata politike kombëtare e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe gazeta “Liria”, që ndikuan në përmbysjen e sistemit komunist dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri. Sot numërohen 114 parti politike të regjistruara në Shqipëri.

13 dhjetor 1990

Shumë të rinj dhe qytetarë shkodranë dalin në protestë për të rrëzuar bustin e Enver Hoxhës, i cili gjendej në qendër të qytetit. Bëhej fjalë për përpjekjen e parë në Shqipëri për të rrëzuar nja bust të diktatorit. Edhe pse busti dëmtohet, misioni i tyre dështon dhe kështu e gjithë ngjarja mbeti në tentativë.

13–15 dhjetor 2021

OSBE-ja organizoi konferencën ndërkombëtare me titull “Zhdukjet me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës autoritare…“, ku morën pjesë studiues të njohur të drejtësisë tranzitore brenda dhe jashtë vendit, historianë e familjarë të familjeve të prekura. Tema e konferencës hapi debat mes studiuesve në aspektin terminologjik, nëse termi “të zhdukurit” mund të përdorej për të pushkatuarit me apo pa gjyq gjatë diktaturës, eshtrat e të cilave nuk gjenden, por krimi ndaj tyre është i njohur publikisht. Diskutime hapi edhe çështja e numrit të personave që janë ende pa varr. Prej shumë vitesh qarkullon shifra 6 000 persona, por sipas studiuesve K. Dervishi dhe Ç. Hoxha, kjo shifër nuk është e saktë. Nga ana tjetër, gjatë konferencës u kritikuan iniciativa në parim pozitive si ajo e ICMP-së, por që në fund dështoi duke mos dhënë rezultat, dhe duke e përdorur shumën e akorduar për identifikimin e ADN-së së eshtrave, tekefundit për projekte ndërgjegjësuese akorduar shoqatave dhe individëve.

15 dhjetor 1944

Kryesia e KANÇ nxjerr ligjin mbi vënien në kontrollin e shtetit, të industrive dhe të shoqërive tregtare, si dhe për kontrollin shtetëror mbi tregtinë e jashtme.

15 dhjetor 2010

Hyn në fuqi vendimi i Parlamentit Europian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian.

17 dhjetor 1920

Shqipëria pranohet në Lidhjen e Kombeve, duke u bërë anëtari i 43-të i kësaj organizate ndërkombëtare. Me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, bashkësia ndërkombëtare njohu dhe përforcoi sovranitetin e shtetit. Roli i Fan Nolit ishte i rëndësishëm. Fjala e rastit që mbajti Noli pas pranimit, ngjalli emocione të mëdha tek të pranishmit. Vetë Noli e ka vlerësuar si suksesin më të madh të arritur prej tij në karrierën diplomatike.

17 dhjetor 1981

Sipas versionit zyrtar, vetëvrasja e Mehmet Shehut, apo sipas gjithë gjasave vrasja e kryeministrit komunist shqiptar për 27 vjet me radhë, i akuzuar nga E.Hoxha për “zbutje të luftës së klasave”, më pas edhe si “poliagjent” , në të vërtetë për shkak të luftës për pushtet mes llojit, pas dobësimit të shëndetit dhe të pushtetit të Enver Hoxhës.

21 dhjetor 1944

Botohet fletorja e parë zyrtare e pushtetit komunist. Struktura e shtetit të ardhshëm ishte sipas modelit të funksionimit të një partie dhe gjithçka varej nga njeriu më i fortë në parti.

22 dhjetor 1947

U dënua nga gjyqi ushtarak më 22 dhjetor 1947, Atë Visarion Xhuvani, kryepeshkop i Kishës Autoqefale Shqiptare (1929–1937), me 20 vjet burg në burgun famëkeq të Burrelit. Po ashtu u dënuan me burg edhe klerikë të tjerë ortodoksë si Kryepeshkopi Atë Kristofor Kisi, Atë Irene Babushi, Atë Josif Harallambi e shumë të tjerë që nuk u bashkuan me ortodoksinë komuniste.

22–24 dhjetor 1972

Në datat 22, 23 dhe 24 dhjetor 1972 u zhvillua Festivali XI i Këngës në Radiotelevizion. Në frymën e revolucionit kulturor kinez, festivali u kritikua nga Komiteti Qendror dhe disa nga artistët pjesëmarrës u dënuan.

23 dhjetor 1989

Themelohet Partia Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me kryetar Ibrahim Rugovën. Pas luftës për çlirimin e Kosovës (1999)dhe në vazhdim, u formuan edhe partitë e tjera të Kosovës: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Balli Kombëtar i Kosovës, Lëvizja Vetëvendosja, Aleanca Kosova e Re, Iniciativa e re Demokratike, Partia e Drejtësisë, PSHDK etj. që konkurrojnë edhe sot në tregun politik të Republikës së Kosovës.

24 dhjetor 1924

Rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet me grusht shteti dhe me ndihmën e Jugosllavisë, duke rrëzuar qeverinë e Fan Nolit, e ardhur edhe ajo me grusht shteti në qershor 1924. Rikthimi i Zogut u quajt “Triumfi i Legalitetit”.

25 dhjetor 1918

Nis punimet Kongresi i Durrësit, që zgjedh qeverinë me kryeministër Turhan Pashë Përmetin, si edhe cakton delegacionin shqiptar për në Konferencën e Paqes në Paris.

28 dhjetor 1976

Më 28 dhjetor 1976 u aprovua kushtetuta e re që e emërtonte Shqipërinë “Republikë Popullore Socialiste”. Ky emërtim në vetvete certifikonte mungesën e pluralizmit dhe sistemin njëpartiak, i cili do të binte vetëm pas zgjedhjeve të marsit 1991.

29 dhjetor 1942

Nis beteja e parë antifashiste e përbashkët, një luftë e përbashkët e forcave vullnetare nacionaliste të komanduara nga Hysni Lepenica dhe e forcave partizane të Çetës Plakë të Vlorës, të komanduar nga Neki Ymeraj kundër pushtuesve italianë. Forcat kryengritëse shqiptare, afër 1 600 veta, përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej më se 2 000 vetash, të komanduar nga Franko Klementi. Në ndihmë të pushtuesve fashistë ishin edhe forcat mercenare të Halil Alisë e të Selim Kaloshit, të dërguara në Mesaplik nga kryeministri profashist Mustafa Kruja për të shtypur kryengritjen anti-italiane të kësaj treve. Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë italianë.