‘Dolën me parulla ‘Enver-Hitler!’, Ramiz Alia në panik për revoltën në Kavajë

Nga Ferdinand Dervishi | Panorama, 12, 2627 dhe 28 korrik 22

PJESA I

Ramiz Alia, ish-Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, menjëherë pas ngjarjes së 2 korrikut 1990, futjes së qindra qytetarëve shqiptarë në ambasadat e huaja në Tiranë, duket se ka përjetuar një dilemë të madhe.

Një dilemë që i rrinte si Shpata e Damokleut në kokë dhe që i kërkonte të vendoste përpara dy alternativave: ose të lejonte reformat demokratike, që kishin përfshirë të gjitha shtetet e Lindjes Komuniste, ose të shtrëngonte rripin dhe të ruante sistemin socialist. Duket, duke bërë llogari të holla në kokën e tij, Alia kupton, apo drejt këtij vendimi i anonte natyrshëm barra e mendjes, dhe vendos që të këmbëngulte në ruajtjen e sistemit socialist.

Një vendim që të paktën sipas fjalëve të Ramiz Alisë në këtë mbledhje të Byrosë Politike, përmbajtja e së cilës do të jetë e plotë më poshtë, tregon një panik të madh për fatin e tij personal. Duket Alia bën mirë llogaritë se çfarë do të ndodhte me të personalisht në rast të ndryshimit të sistemit komunist. Ai merr në analizë atë se çfarë ka ndodhur me krerë të tjerë komunistë në shtete të ndryshme, që tentuan apo realizuan ndryshimin e madh të sistemeve politike. Dhe në mendje i del, se borgjezia, pasi i ka përdorur ata krerë komunistë për të arritur ndryshimin, i ka flakur tej si limonë të shtrydhur. Pra, duke bërë vetëm hesapet e kokës së vet, duke mos menduar në asnjë rast për fatet e pjesës që quhet popull, këtë logjikë Alia ua injekton edhe anëtarëve të Byrosë Politike.

Madje me shembuj të ilustruar, si me historinë e Dubçekut në Çekosllovaki, që sipas Alisë tashmë e kanë lënë në hije, me historinë e Presidentit bullgar Mlladenov, që e kanë rrëzuar nga pushteti apo edhe me fatin e drejtuesve të shtetit jugosllav. Pra, Alia, përmes këtyre shembujve u përcjell byroistëve panikun që duket e ka përfshirë, duke u sqaruar atyre se në rast se do të lëshonin dhe ndryshonin sistemin politik në Shqipëri, do të përfundonin shumë keq. Kjo logjikë shërbente për të forcuar besimin në mbajtjen me të gjitha forcat të sistemit socialist, një sistem ku ata riskonin më pak të humbin pozitat në krye të shtetit bashkë me privilegjet respektive.

Në të njëjtën mbledhje të Byrosë Politike merren në analizë ngjarjet e Kavajës, mosfunksionimi i shtetit në këtë qytet për shkak të revoltës popullore dhe mbase për herë të parë bëhet publik fakti se aty, pothuaj fshehurazi ishin dërguar forca ushtarake. Forca që në një situatë emergjente mund të shtypnin me gjak revoltën. Një veprim krejt i ngjashëm me ndërhyrjen e dhunshme të sovjetikëve në Hungari (1956) dhe në Çekosllovaki (1968).

Dokumenti

Sekret

PROCESVERBAL

MBAJTUR NË MBLEDHJEN E BYROSË POLITIKE TË KQ TË PARTISË

Më 14 korrik 1990

Byroja Politike, në mbledhjen e datës 14 korrik 1990 mori në shqyrtim këtë çështje:

1. “Analizë për ngjarjet e 2 korrikut dhe të Kavajës e disa konkluzioneve për punën e Partisë”. Në mbledhje marrin pjesë anëtarët e kandidatët e Byrosë Politike të KQ të Partisë, shokët: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Lenka Çuko, Muho Asllani, Pali Miska, Simon Stefani, Xhelil Gjoni, Hajredin Çeliku, Pirro Kondi, Qirjako Mihali, Kiço Mustaqi, Llambi Gegprifti, Niko Gjyzari, Xhemal Dymylja. Mbledhjen e Byrosë Politike e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë.

Zhvillimi i mbledhjes.

Shoku Ramiz Alia: Në këtë mbledhje, shokë, mendoj të shkëmbejmë mendime lidhur me ngjarjet e kohëve të fundit e sidomos të datës 2 korrik, kur u futën në ambasadat e huaja rreth 4700 veta. Ngjarja e 2 korrikut i zuri në befasi organizmat tona dhe pas saj u krijua një situatë e rëndë.

Në një pushim ndërmjet seancave të Plenumit të 11-të të Komitetit Qendror, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori dekretin për pajisjen me pasaporta për jashtë të të gjithë atyre që u futën nëpër ambasada. Para dy ditësh, siç e dini, u bë evakuimi i plotë i tyre. Mbrëmë janë larguar ata që u strehuan në Ambasadën Hungareze dhe sot ikin të fundit, ata që gjenden në Ambasadën Turke.

E rëndësishme është se rreth 4400 veta prej tyre ishin të zënë me punë, pra, jo siç shpifin disa që thonë se kanë ikur të papunët. Veç fëmijëve, 20 për qind janë gra, ky është një veprim tepër i ulët. Nga pikëpamja e nivelit arsimor me shkollë të lartë ishin relativisht pak, rreth 70-80 veta, por edhe këta janë tipa pa karakter. Në këto ngjarje, padyshim, pasqyrohet puna e dobët e organeve të punëve të brendshme, veçanërisht e Sigurimit të Shtetit, të cilët u zunë në befasi, si dhe puna e dobët e Komitetit të Partisë së Rrethit të Tiranës. Është e çuditshme që në organet tona emrat e atyre që ishin futur në ambasada nuk i dinin, kështu që u detyruan t’i merrnin nga kërkesat për pasaportat! Jam i bindur se edhe sot e kësaj dite qendrat e punës nuk dinë se kush u është futur në ambasada. Kur këtu në Tiranë administratat e ndërmarrjeve nuk njohin mirë punëtorët e tyre dhe nuk dinë kë paguajnë, merreni me mend se ç’mund të bëhet me ndërmarrjet që kanë punëtorë sezonalë si sharrat e Pukës, në Vermosh, në Bushtricë apo gjetkë?!

Faksimile e procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike

Faksimile e procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike

Organizata e Partisë e Tiranës nuk e tregoi veten në nivelin e duhur, nuk tregoi militantizëm, nuk ishte në rolin udhëheqës, ndërsa komunistët e Tiranës u tulatën. Duhej të organizonim dje mitingun që të ngrihej morali i tyre, se në përgjithësi morali i njerëzve, por edhe i komunistëve, kishte rënë shumë. Natyrisht, pas ngjarjeve të 2 korrikut u bënë disa përpjekje, u ngritën disa njësi a detashmente, siç u quajtën, për të forcuar vigjilencën. Mirëpo duhet pasur parasysh se në Tiranë militojnë 25 mijë komunistë, por forca e tyre nuk u ndie fare, përkundrazi, dominonin parullat e armikut, të reaksionit, të kolonës së pestë, që janë nga më ekstravagantet.

Në ngjarjen e 2 korrikut ka pasur ndikim edhe veprimtaria armiqësore e huliganëve të rretheve të tjera. U bënë tentativa për të hyrë në ambasada, ose për të bërë ndonjë rrëmujë nga grupe huliganësh, që erdhën nga Shkodra apo nga Durrësi. Forcat e Policisë janë detyruar t’i largojnë. Ngjarje të shëmtuara kanë ndodhur edhe në Kavajë, ku gjendja, mund të themi edhe sot e kësaj dite është e rëndë. Veç faktit që atje ka një fermentim armiqësor, ndodhi edhe një ngjarje shumë e hidhur: u vra një njeri kur forcat e policisë e të Sigurimit vajtën me “teorinë e krehjes”. Kanë dalë në skenë edhe teoria tani! Dhe “krehën” bukur! Vrasja e këtij njeriu shkaktoi një turbullim në tërë qytetin. U lëshuan njerëzit e thyen tërë xhamat e vitrinave të qytetit.

Jo vetëm kaq, por të nesërmen në varrim morën pjesë mijëra vetë. Kjo mori njerëzish, e irrituar, me t’u kthyer nga varrimi dogjën makinën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rajonit të Kavajës. Kavaja faktikisht ishte në duart e tyre. Dhamë urdhër që të mos ndërhynte policia se me ato nerva të tendosura e atë rritim nga ta dyja palët çdo gjë mund të ndodhte. Komunistët e Kavajës nuk u ndien fare. Parullat që u hodhën ishin nga më reaksionaret, më armiqësoret kundër Partisë e pushtetit si “Enver-Hitler”, “Muho-Sllobodan”, “Hekuran-Sllobodan”! Natyrisht, ne dërguam forca ushtarake në Kavajë, të gatshme për çdo eventualitet, por urdhëruam të qëndronin brenda në kazermë, dhe ato në fakt nuk bënë asnjë veprim. Megjithatë situata në Kavajë vazhdon të mos jetë e mirë. Elementët e këqij tani dalin në rrugë e gjuajnë me gurë dhe para vetes vënë gratë e fëmijët për t’u mbrojtur.

Te vendi ku ndodhi vrasja vendosin lule çdo ditë. Ngjarja e fundit e Kavajës nuk është e re. Gjatë 3-4 muajve të fundit janë përsëritur ngjarje të tilla. Shoku Muho është paralajmëruar të ketë kujdes. Të paktën 2-3 herë e kam thirrur unë. Pavarësisht nga kjo, duke qenë se ngjarjet ishin të rënda, ai duhet t’u kishte kushtuar më tepër vëmendje. Mirëpo shoku Muho vazhdon të punojë me metodën e stilin e vjetër, nuk përdor dialogun e debatin, por vazhdon të japë urdhra e komanda. Në Kavajë është krijuar një situatë e papëlqyeshme. Ta themi hapur, kavajasit nuk e shohin dot me sy Muho Asllanin. Deri tani komiteti i Partisë i rrethit nuk ka marrë asnjë masë për të qetësuar situatën në Kavajë. Sot unë kam dërguar në Kavajë shokun Foto (Foto Çami, red.), jo për të bërë mbledhje me njerëzit, por për të parë nga afër gjendjen e për të ndihmuar. Agron Tafa për mendimin tim duhet hequr si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rajonit të Kavajës.

Ne gabuam, ta themi hapur, që nga kryetar degë e vumë sekretar partie, por morëm parasysh ndërhyrjet e konsideratat e mira për të, të shokut Muho e të shokut Hekuran. Shokë të mirë e të aftë ka plot, por duhet t’i dojë populli, por populli nuk e donte Agron Tufën. Ai mund të punonte shumë mirë në një vend tjetër, por nuk ishte për sekretar partie në Kavajë. Para se të futem në disa gjëra konkrete dua të theksoj, megjithëse fola dhe në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, se sot zhvillohet një luftë e rreptë për jetë a vdekje midis pushtetit popullor e socializmit, nga njëra anë dhe reaksionit botëror nga ana tjetër, i cili kërkon shkatërrimin e pushtetit popullor, zhdukjen e socializmit, eliminimin e komunistëve. Kjo duhet kuptuar mirë nga të gjithë ne. Ne luftojmë për të forcuar e për të shtuar fitoret e revolucionit.

Rruga për t’i arritur këto që përmenda e për të forcuar pozitat e lirisë e të pavarësisë së Atdheut tonë është ajo rrugë që kemi përcaktuar nëpër plenumet e ndryshme të Komitetit Qendror, domethënë rruga nëpërmjet demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit e të Partisë, nëpërmjet forcimit të lidhjeve të Partisë me masat, nxitjes së iniciativës dhe rritjes së rolit të tyre, shkatërrimit të çdo pengese burokratike që pengon iniciativën e masave dhe frenon zhvillimin e vendit. Këto ne i kemi sintetizuar në reformën ekonomike, në ligjet e ndryshme, në forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve shoqërore, në fushën e politikës së jashtme, etj. Askush nuk duhet të mendojë se këto janë veprime taktike për t’ia hedhur ndokujt, por duhet të kuptojmë që janë masa, korrigjime, plotësime, rregullime e krijime për të forcuar pozitat e socializmit, të pushtetit të popullit.

Pa këto masa nuk mund të zhvillohej ekonomia, nuk mund të forcohet liria dhe pavarësia, nuk mund të shkojë përpara socializmi. Kjo është pozita dhe vija jonë. Kundër kësaj vije e kundër këtyre pozitave lufton armiku, veçanërisht armiku i jashtëm. Armiku lufton me parulla të njëjta me tonat: “për demokraci”, “për liri të individit”, “për pluralizëm politik” etj. Por nëse synimi ynë është të forcojmë pushtetin e popullit, synimi i armiqve është të likuidojnë socializmin, të zhdukin komunistët. Parullat e tyre “të demokratizojmë jetën”, “të pluralizojmë veprimtarinë politike”, “të zhvillojmë tregun, pronën private, kapitalet e huaja”, “të zhvillojmë fenë”, kanë për qëllim të zhdukin pushtetin popullor dhe socializmin.

Këtë të mos e harrojmë. Pse e them këtë? Sepse ka shumë njerëz te ne që kanë rënë e po bien viktimë e propagandës së armiqve. Jo rastësisht dëgjohen fjalët: “Pse nuk marrim kredi?” Po cili vend i ka hapur kasafortat dhe vetëm të zgjatësh dorën dhe të marrësh para? Këta njerëz, e të tjerë, nuk e kuptojnë që qëllimi i reaksionit është më larg – krijimi i shoqërive private në Shqipëri. Po dhe për këtë pyesin: “Pse nuk krijohet kapitali privat në Shqipëri?” T’i hapet rruga kapitalit privat do të thotë të zhduket pavarësia dhe socializmi në Shqipëri! “Pse nuk eksportojmë fuqi punëtore?” është një parullë tjetër. Po cili shtet ka kërkuar fuqi punëtore? Askush.

Atëherë pse e ngrenë këtë çështje? Qëllimi është i qartë: të diskreditojnë socializmin, të largojnë njerëzit nga rruga e drejtë, t’i vënë kundër pushtetit. Këta njerëz nuk e kuptojnë se parullat për demokracinë, për lirinë e individit ose për pluralizmin” kanë synim të zhdukin Partinë, të zhdukin komunistët. A nuk mjaftojë disa shembuj shokë, që t’i kemi parasysh? A ka komunistë që i kanë bërë shërbime më të mëdha imperializmit se komunistët jugosllavë? Nuk ka. Po çfarë po ndodh aty? Edhe ata imperializmi po i heq nga pushteti, po i zhduk. Çfarë bën imperializmi në Slloveni apo në Kroaci?

Ç’po kërkon të bëjë ai në Serbi? Ai nuk do të dëgjojë më fjalën komunist, nuk do të dëgjojë më fjalën socializëm, por do një pushtet të borgjezisë. A nuk “meritonte” në linjën e tyre një monument Dubçeku, i cili ishte paraprirës i këtij reformizmi të madh dhe që sovjetikët e rrëzuan nga posti me tanke? Si u soll me të borgjezia? E ka vënë në një qoshe dhe nuk ndihet fare. Borgjezisë nuk i duhen ata që kanë emrin komunistë, pale të jesh komunist me fytyrë njeriu, siç e quante veten Dubçeku. Asaj aktualisht i duhet Haveli, Shvarcenbergu, reaksionarët e klasit të parë. A nuk e shikoni ç’po ndodh në Rumani dhe në Bullgari? Iu desh Mlladenovit (Presidenti i parë postsocialist bullgar, red.) të kalonte fazën e parë dhe tani nuk i duhet më borgjezisë. Lexojmë nëpër axhanset fjalën “reformistë”.

Borgjezia nuk i ka për zemër as reformistët dhe as konservatorët. Ato janë fjalë boshe me qëllim që të përçajnë e të shkatërrojnë çdo gjë përparimtare. Ajo nuk do askënd që është kompromentuar me socializmin. Borgjezia për të realizuar qëllimet e veta po peshkon vagabondë e huliganë. Për qëllimet e veta dhe një prostitutë e bën heroinë, por pas pak ditësh e flak etj. Këto janë manovrat e njohura të borgjezisë. A nuk i shpjegon Partia jonë këto fenomene që po ngjasin në Lindje? Për konsekuencë a nuk duhet ne të mbledhim të tëra forcat?

PJESA II

Heqja e një voze metalike të vendosur në mes të qytetit të Kavajës, sipër të cilës viheshin përditë lule të freskëta, është shqetësimi më i madh i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së në korrik 1990, menjëherë pas ngjarjeve në ambasadat e huaja.

Në atë vend ishte vrarë nga forcat policore një protestues kundër Qeverisë dhe banorët, duke e kthyer në një ritual, përditë vendosnin lule.

Por, sipas procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike të datës 14 korrik 1990, që gazeta “PANORAMA” po publikon në vazhdim, askush nuk guxon të prekë këtë vend ku vendosen lule, as policia, as forcat speciale, as komunistët. Të gjithë kanë frikë se në rast se do të tentojnë ta heqin këtë objekt, do të përballen me zemërimin e një komuniteti të tërë. Një histori e ngjashme me atë të ngritur në art nga shkrimtari spanjoll Vicente Blasko Ibanjez, me titull “Kasollja”.

Po kështu, pjesa e mëposhtme e transkriptuar e mbledhjes së Byrosë Politike ka edhe një tjetër shfaqje të pazakontë, ku në shënjestër të akuzave të krerëve më të lartë të pushtetit të kohës, kryesisht të Ramiz Alisë, vihet sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Durrësit, Muho Asllani. Asllani kryqëzohet në Byro sipas stilit të vjetër të Enver Hoxhës. Atë e “bombardojnë” me akuza pasi më parë është mësuar nga të gjithë se kanë vendosur për shkarkimin si ndëshkim për ngjarjet e Kavajës. Pra Muho Asllani në këtë mbledhje vjen krejt i çarmatosur dhe kokulur, ndërkohë që kolegët nuk i marrin në konsideratë justifikimet e tij.

Faksimile e njoftimit të hetuesisë për sekretarin e KQ, Foto Çami

Faksimile e njoftimit të hetuesisë për sekretarin e KQ, Foto Çami

… (Vijon nga numri i djeshëm)

Shoku Hekuran Isai: Po atë natë, ish shefi i policisë së Kavajës, që tani punonte si përgjegjës në fabrikën e bukës, me dy punëtorë del nga puna për t’u kthyer në shtëpi. Sheh që po thyheshin xhamat dhe u thotë disave: “More çuna, pse i thyeni xhamat?”. Ata e kapin dhe e qëllojnë me thika gjashtë herë, i marrin revolen dhe ky pas dy ditësh vdes. Vetëm familja e ka varrosur me nja 10-20 kavajas. Pas kësaj u identifikuan në këtë ngjarje 26 persona që kanë qenë aktivë më 4 korrik dhe u arrestuan. Po punohej që të zbuloheshin të tjerët.

Gjyqi u bë pas dy ditësh, u dënuan dy veta, kurse të tjerët u këshilluan. Mbi 40 të tjerë gjithashtu nuk u thirrën fare, po u këshilluan. Për këtë ngjarje asnjë kuadër, asnjë komunist jo vetëm që nuk reagoi, por as informoi. Ata dënojnë thyerjen e xhamave, por askush nuk dënon parullat. Sa filloi rrëmuja, komunistët që ishin ngarkuar me detyra, se dihej që mund të ndodhte ngjarja, kanë ikur nëpër shtëpitë e tyre. Nga katër deri më 10 korrik erdhën të dhëna se do të kishte përsëri rrëmujë dhe demonstrata. Thuhej madje se në datë 15 korrik mund të organizohej demonstratë në Tiranë, në Shkodër dhe në Kavajë. Në datën 10 dërguam forcat për të marrë disa elementë që duheshin seleksionuar përpara ngjarjes. Këta në fakt u morën qetësisht. Kur shokët tanë shkuan në lagjen “Sulbegaj” për të marrë një njeri, filluan të gjuajnë me gurë, me hekura e me ç’të mundin. Tanët ishin gjashtë veta.

Faksimile e procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike

Faksimile e procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike

Atje doli një njeri me zinxhir me topuz hekuri në fund, goditi më te sambistin. Shtatë veta e vunë poshtë sambistin, atëherë ai ka nxjerrë revolen dhe ka gjuajtur. Një nga të turmës vritet. Thuhet që kanë gjuajtur dhe të tjerët nga ana tjetër, por ne nuk kemi të dhëna. E marrin trupin e personit të vrarë, e çojnë në shtëpi. Të nesërmen thyejnë xhamat e komitetit të Partisë, të komitetit ekzekutiv, djegin dy makina, midis tyre makinën e Agron Tafës, siç tha dhe shoku Ramiz, thyejnë xhamat e dyqaneve në pazar.

Një komuniste merr çarçafin me gjak të të vrarit dhe e bën si pllakatë me thirrje kundër nesh. Parullat që përmendët, shoku Ramiz, atë ditë janë hedhur. Kanë goditur dhe postën e policisë. Nga data 11 deri tani situata duket e qetë, nuk ka veprime agresive, por atje ku është vrarë personi, kanë vënë një fuçi e në të vendosin tufa me lule dhe në darkë ndezin qirinj. 1400 komunistët e Kavajës jo vetëm që nuk venë t’i heqin, po nuk afrohen, nuk kalojnë andej. Mbi 100 kuadro ka Kavaja, po asnjë njeri nuk afrohet.

Nga organizata e frontit gjithashtu nuk afrohet askush. Ka fjalë se do të ketë dhe trazira të tjera. Ka fjalë se kur të mbushë të 9-at i vdekuri, mund të bëjnë veprime agresive. Janë evidentuar me telekamera e mjete të tjera dhe 40 veta që janë tipikë. Pesë veta nga këta thuhet se janë më agresivët.

Shoku Ramiz Alia: Këta të pestë nuk janë arrestuar njëherë?

Shoku Hekuran Isai: Po, janë arrestuar, janë këshilluar dhe janë liruar.

Shoku Ramiz Alia: Po ata që u dënuan kush ishin?

Shoku Hekuran Isai: janë gjashtë të tjerë të dënuar në mars, kurse këta janë të ngjarjeve të fundit. Është një Edi Oçia që organizon fëmijët, është një Parashqevi Bushi, anëtare partie, ajo që mbajti çarçafin me gjak, një Mira Tereziu, Iktjon Suli. Shoku Ramiz Alia: Edhe gra? Shoku Hekuran Isai: Po, gra. Është edhe një shofer. Këta janë më tipikët, kurse 40 të tjerët vetëm që kanë brohoritur në turmë. Në datën 18 i bien të nëntat e të vdekurit. Në qoftë se arrijmë në rrugë partie që të zgjidhim, mendoj që situatën do ta stabilizojmë. Po të ndërhyhet me armë, me dhunë, atje do të ndeshemi me fëmijët. Para policisë 200-300 fëmijë 9-11 vjeç gjuanin me gurë, pas këtyre gratë inkurajonin djemtë.

Me porosinë tuaj atje kanë shkuar një grup veteranësh që po punojnë, kanë shkuar dhe në ndërmarrje, po fakti është që në këto mbledhje po venë pleqtë. Në tiranë ka plot kuadro nga Kavaja, që punojnë në Kryeministri, në dikastere e në institucione, të cilëve u dëgjohet fjala, janë me influencë, prandaj mendoj që këta duhet të shkojnë të punojnë siç kanë shkuar veteranët. Në rast se ne arrijmë që të heqim fuçinë me lule që është në mes të pazarit, të cilën nuk ka kurajë ta kapë një kavajas me dorë, se policinë ne nuk do ta fusim aty, në rast se ne do arrijmë që të vendosim qetësi jo me policë, kur të mbushen 9 ditët, mendoj se situatën do ta kapërcejmë. Them se këtë situatë mund ta kapërcejmë, po duhet një punë e thellë partie.

Shoku Ramiz Alia: Po për shkarkimet e shokëve që propozova, çmendim ke? Shoku Hekuran Isai: Jam dakord, shoku Ramiz, me këto ndryshime. Për në Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendosim dy djem të rinj, t’ia paraqesim kandidaturat Byrosë Politike. Zylyftari të shkojë sekretar partie në ndonjë degë të punëve të brendshme.

Shoku Ramiz Alia: Mirë, tani si mendoni?

Shoku Muho Asllani: Ngjarjet në Kavajë në përgjithësi kështu kanë ndodhur, siç tha shoku Hekuran. Unë kam vajtur gjithnjë në vendin e ngjarjes më 26 mars, më 4 korrik dhe më 10 korrik dhe i kam qetësuar situatat. Them i kam qetësuar se në përgjithësi komunistët dhe kuadrot kanë marrë pjesë në këto ngjarje shumë të shëmtuara për të qetësuar të rinjtë, po në përgjithësi dhe ata më kanë dëgjuar.

Shoku Ramiz Alia: Ç’domethënë të kanë dëgjuar? Shoku Muho Asllani: I kam shpërndarë njerëzit dhe më 26 mars dhe më 4 korrik.

Shoku Ramiz Alia: Shpërndarja është punë e policit. Të thuash “më kanë dëgjuar” është kur i bind njerëzit.

Shoku Muho Asllani: I kam ndaluar veprimet, ata janë larguar nga rrugët dhe rrugicat, të paktën aty ku isha unë, po për të bindur nuk janë bindur, se po t’i kisha bindur dhe po të kishte efektivitet puna ime nuk do të ndodhnin ngjarje njëra pas tjetrës. Shoku Ramiz Alia: Jo, se the që të kanë dëgjuar.

Shoku Muho Asllani: Në rastin konkret më kanë dëgjuar. Pas ngjarjeve kemi mbledhur sekretarët e organizatave – bazë të partisë dhe në kolektivat punonjëse me të deleguar nga rrethi, përgjithësisht kavajas që kanë pasur dhe kanë influencë, që kanë qenë apo janë kuadro. Dhe gjendja është qetësuar, flas për rastet e para, se përleshja me gurë ose me parulla, ka zgjatur reth 10,15, maksimumi 20 minuta pastaj janë kthyer në vendet e tyre. Analiza kemi bërë, por vetë fakti që kemi probleme armiqësore tregon se analizat nuk i kemi bërë siç duhet. Në këto analiza kanë marrë pjesë shokët e byrosë së Komitetit të partisë ose shokët e plenumit të rrethit.

Gjithashtu krahas analizave që kemi bërë, janë marrë masa që të mos ketë shqetësime, sidomos në furnizimin e tregut, në përmirësimin e kushteve jetësore dhe në zënien e njerëzve me punë. Gjatë 6-mujorit të parë në Kavajë janë futur në punë rreth 700 veta. Po atje janë edhe rreth 1800 të tjerë të pazënë me punë, po çështja është se këta njerëz nuk pranojnë të punojnë sidomos në sektorin e bujqësisë. Vitin e kaluar ngritëm serra tre hektarëshe në kooperativën bujqësore të qytetit të Kavajës, po as për të vjelë domatet nuk na venë qytetarët. Natyrisht prapë këtu duket puna jonë e dobët që nuk i kemi bindur ata për të punuar atje ku ka nevojë ndërmarrja dhe vetë ata. Edhe në ndërmarrjen bujqësore, që ka punë të lehta për t’u marrë me vreshtin dhe me pemë frutore, përsëri nuk shkojnë shumë për të punuar. Në një mbledhje në Uzinën e gozhdë-bulonave, ku mora pjesë dhe unë me shoqen Lenka, punëtorët ngritën probleme për rregullimin e rrugëve, për kanalizimet, për ujin e pijshëm, objektet kulturore, probleme që në përgjithësi janë zgjidhur.

Shoku Ramiz Alia: E di ti që Kavaja kërkon të shkëputet nga Durrësi?

Shoku Muho Asllani: E kanë ngritur këtë çështje kohët e fundit, po direkt nuk kanë bërë ndonjë propozim.

Shoku Ramiz Alia: Domethënë t’i nuk di gjë?

Shoku Muho Asllani: Jo, e di, këtë çështje e kanë ngritur dhe kuadro që punojnë në Kavajë dhe në Durrës.

Shoku Ramiz Alia: po nuk je interesuar pse e ngrenë? Shoku Muho Asllani: Ashtu ua ka marrë mendja.

Shoku Ramiz Alia: Jo kështu, në qoftë se ju i bëni analizat në këtë mënyrë, atëherë vaj halli! Ç’është kjo analizë?

Shoku Pali Miska: Atje është lënë tubacioni i ujit pesë vjet hapur.

Shoku Muho Asllani: Uji u ka vajtur, madje disa punime janë bërë duke ia hequr fondet Durrësit, Shijakut dhe Rrogozhinës, duke ua shkurtuar investimet atyre për të çuar ujin në Kavajë.

Shoku Ramiz Alia: Jo, Muho, nuk është kështu, përkundrazi, Kavaja është neglizhuar.

Shoku Muho Asllani: Punimet për bulevardin dhe kanalizimet kanë filluar më 1984.

Shoku Ramiz Alia: Dhe kanë vazhduar deri më 1990? Domethënë për gjashtë vjet të bëhet gjysmë kilometri rrugë? Ç’është kështu?

Shoku Muho Asllani: Po vetëm të mos harrojmë…

Shoku Ramiz Alia: Si “të mos harrojmë?” që ke bërë rrugën e madhe që nga kodra e Rrashbullit deri në Durrës? Këtë t’i mos e harro se është ndërtuar brenda dy vjetësh, madje brenda vitit.

Shoku Muho Asllani: Po gjatë tre vjetërve nuk ka pasur asnjë investim për t’u bërë te ujësjellësi i Kavajës.

Shoku Ramiz Alia: Po, sigurisht, kur fondet i merr Durrësi, si do të ketë për Kavajën?

Shoku Muho Asllani: Jo, ne nuk po i harrojmë, po e shtroj që jemi marrë me këto probleme, nuk i kemi lënë në mes të rrugës.

Shoku Ramiz Alia: Si kanë shkuar punimet gjashtë vjet?

Shoku Muho Asllani: Aq kanë shkuar dhe ende nuk kanë përfunduar.

Shoku Ramiz Alia: A nuk kanë për të përfunduar kur rrethi i ndan nga fondi i vet Kavajës pesë lekë fond në vit.

Shoku Muho Asllani: Për këto probleme ne kemi dërguar në Kavajë rreth 30 veta, nga Tirana, që e dërguat ju, ka ardhur vetëm Salë verdha. Gjithashtu kanë ardhur gjatë këtyre ditëve disa kavajas që punojnë në dikastere si Mehmet Kollçaku, i cili punon në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave, dikur ka qenë drejtor i fabrikës së letrës në Kavajë, Nazim Skuqi (Kandidat i KQ të Partisë, red.) dhe disa të tjerë. Dje kam thirrur disa kuadro që punojnë në universitet si pedagogë e specialistë, të cilët tani po punojnë jo vetëm në kolektivat punonjëse për të zgjidhur ndonjë problem, po sidomos në familje gjatë natës. Kjo ka dhënë efektivitetin e vet. 25 veta, kuadro nga Durrësi i kemi çuar nëpër njerëzit e familjeve të tyre, po dhe nëpër shokë shkollash që kanë qenë në rrethe të ndryshme me punë. Duket një farë përmirësimi. Ato që tha shoku Hekuran qëndrojnë, te njerëzit ka mjaft irritim. Ne jemi përpjekur që të qëndrojmë në krye të detyrës, të mos u shmangemi situatave. Çfarë masash kemi marrë? Në ndërmarrje çdo natë ka shërbim, është dyfishuar numri i rojeve operative.

Shoku Ramiz Alia: Sa punëtorë janë që nuk marrin rogën në fabrikën e qelqit?

Shoku Muho Asllani: Fabrika e Qelq-Xhamit ka kaluar në remont, është ndërprerë prodhimi i xhamit. Remonti do të vazhdojë gati tre muaj, prandaj në këtë fabrikë gjendja është normalizuar. Deri nga data 25 korrik do të ketë katangë, pastaj, në qoftë se do të ketë përsëri mangësi, atëherë do të paguhen me 80 përqindëshin. Këto janë dy ndërmarrjet ku kemi pasur shqetësime, ndërsa të tjerat në përgjithësi i kanë realizuar detyrat dhe si 6-mujor. Kemi pasur ndonjë të dhënë që ndonjëri mund të tentonte të merrte armë në depot e armatimit, që i kishim jashtë reparteve ushtarake, tani i kemi futur armët brenda reparteve ushtarake për të mos pasur shqetësim. Unë dhe shokët e mi jemi përpjekur ta kryejmë detyrën dhe t’i qëndrojmë mbi kokë kësaj situate, por, përderisa ndodhi kështu, nuk e kemi bërë mirë punën. Ju thatë që nuk më duan kavajasit.

Shoku Ramiz Alia: Kur hedhin të tilla parulla, domethënë as nuk të duan.

Shoku Muho Asllani: Të jemi realistë, shoku Ramiz, po kavajasit dhe tërë Shqipëria, ashtu si juve, në radhë të parë, po dhe shokët e tjerë i duan dhe unë nuk kam arritur në atë konkluzion për veten time që nuk më duan kavajasit. Këtë e them me ndërgjegje të plotë këtu në Byronë Politike, se si në Kavajë, si në Durrës dhe kuqo ku kam punuar jam përpjekur me të gjitha forcat, me të gjitha energjitë e mia.

Lista e të arrestuarve që tentuan futjen në ambasada

TIRANË – Më 26 korrik 1990, pak më shumë se tri javë nga ngjarjet, nga ambasadat e huaja në Tiranë, policia ka shmangur me dhunë një tjetër “pushtim” të këtyre përfaqësive të huaja nga njerëz të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Policia, që ka pasur dijeni për këtë zhvillim, ka bllokuar në kohë rrugët hyrëse për në Tiranë, sidomos stacionin e trenit, duke ndaluar dhe arrestuar të gjithë të rinjtë e të rejat që u janë dukur të dyshimtë. Kjo ngjarje pasqyrohet saktësisht në një dokument të ruajtur në Arkivin e Shtetit, që është një listë dërguar Sekretarit të KQ të PPSH-së Foto Çami nga Qemal Lame, Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe që mban datën 2 gusht 1990. Përmbajtja e fletës zyrtare shoqëruese thotë:

“Bashkëlidhur ju dërgojmë një listë të personave të ndaluar dhe të arrestuar për shkak se, më datën 26.07.1990 kanë dashur të hyjnë në ambasadat e huaja në Tiranë, si dhe për grumbullim të paligjshëm”. Lista me mbishkrimin “sekret” mban datën 1 gusht 1990 dhe pasqyron numrin e të ndaluarve e të arrestuarve për çdo rreth, ku më të shumtët, 148 janë nga Tirana, më tej 68 janë nga Vlora, po 68 nga Fieri, 59 nga Shkodra, 33 nga Lezha, 22 nga Elbasani, 28 nga Durrësi, 16 nga Lushnja, 28 nga Kruja, 17 nga Berati dhe 15 nga Korça. Nga këta më të shumtët e arrestuar, 64 të tillë, janë nga Tirana, 20 nga Vlora, 22 nga Fieri, 33 nga Shkodra 29 nga Lezha e me radhë. Bën habi rasti i Lezhës ku nga 33 të ndaluar gjithsej, 29 prej tyre janë arrestuar, pra janë futur në burg.”

PJESA III

Në këtë pjesë të dytë të transkriptimit të mbledhjes së Byrosë Politike, mbajtur më 14 korrik 1990, më shumë se në ngjarjet e ambasadave, vëmendja e krerëve komunistë të Tiranës përqendrohet në ngjarjet që kishin ndodhur e po vazhdonin të ndodhnin në Kavajë. Ngjarje që kishin nisur në formën e një rebelimi kundër pushtetit komunist shumë më herët se të vinte 2 korriku i ambasadave, duke shënuar kështu edhe kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri, të ndërlidhur me valën e zhvillimeve që kishin tronditur Bllokun e Lindjes Komuniste.

Në Kavajë, që nga data 25 mars 1990, situata e rendit ishte jashtë kontrollit, populli nuk respektonte më ligjet dhe pushtetin e komunistëve, incidentet kishin shkaktuar të vdekur dhe të plagosur nga të dy palët dhe për më tepër nuk shihej ndonjë premisë për ndryshim të situatës. Në këtë situatë të krijuar, Ramiz Alia vendos të bëjë “reprezalje” duke shkarkuar zv/ministrat e Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizin, që drejtonte Sigurimin e Shtetit dhe Ilir Mustafarajn, që drejtonte Policinë. Po kështu Alia shkarkon nga posti i Sekretarit të Parë të rrethit të Durrësit edhe Muho Asllanin e të tjerë funksionarë partiakë të Kavajës. Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, bën një panoramë të ngjarjeve në Kavajë, që dëshmojnë se situata atje ishte krejt jashtë kontrollit.

Dokumenti

(vijon nga numri i kaluar)

Shoku Ramiz Alia: … Kishte njerëz që thoshin: “Pse duhet bërë mitingu?”, “Mos na ndodh gjë?”. Me një fjalë kishin frikë. Këtë mendim e kishin dhe shumë nga shokët tanë këtu. Ne nuk duhet të trembemi, kur komunistët janë në aksion – armiku futet skutave. Prandaj ne po të jemi në këmbë e në aksion – armiku do të tërhiqet. Ka edhe komunistë që qëndrojnë pasivë. Disa prej tyre bile arritën të thoshin se “mitingu nuk do të ketë entuziazëm pasi nuk flet shoku Ramiz”. Pse shoku Ramiz do të flasë përherë? Të tërë shokët duhet të flasin. Dhe ja, mitingu pati entuziazëm të madh e kaloi mjaft mirë dhe pa prezencën e shokut Ramiz.

Partia dhe populli na kuptojnë drejt në qoftë se ne i themi gjërat siç janë dhe e prekim popullin aty ku duhet prekur. Deri dhe himni i flamurit i preku njerëzit. 120 mijë veta ishin në shesh e mijëra të tjerë që donin të merrnin pjesë, por kaq ishte menduar pjesëmarrja në miting. Pra ne kemi një forcë të madhe. E tërë kjo masë e madhe njerëzish erdhi në miting me një shqetësim, donte të shpërthente, kishte brenda në zemër një mllef, që donte të nxirrte dhe e nxori, sepse e kuptonte që kishte rënë nën një presion. E theksova në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror se nuk janë vetëm vështirësitë ekonomike që na e shkaktojnë këtë gjendje. Sigurisht, këto bëhen burim që njerëzit të ushqejnë pakënaqësinë dhe ne si parti duhet të luftojmë kundër këtyre burimeve, por nuk janë këto shkaku i kësaj lufte që bëhet sot.

Faksimile e mbledhjes së Byrosë Politike

Faksimile e mbledhjes së Byrosë Politike

Kjo duhet kuptuar mirë. Synimi i armikut është shkatërrimi i pushtetit popullor, shkatërrimi i socializmit. Ne këtë duhet t’ua shpjegojmë njerëzve jo për t’i trembur, por për të kuptuar që lufta jonë është e ashpër, që kërkon aksion, kërkon vendosmëri. Nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir. Kur them “të mos bëjmë sehir”, nuk e kam fjalën që për politikë po se po, por për zgjidhjen e hallve të popullit. Lufta jonë kërkon punë të madhe e vendosmëri. Dëgjohen fjalë: “Mungon ky artikull ushqimor, apo industrial në dyqan”, “filan kuadër nuk u kujdes…”. Ai që nuk kujdeset për popullin bën punën e armikut.

Ta themi shqip! Në qoftë se ne nuk luftojmë që t’i plotësojmë popullit ato nevoja që ka dhe që ne i kemi mundësitë, krijojmë probleme. Të flas më konkretisht. Jam i mendimit që disa masa duhen marrë për një organizmin më të mirë të punëve dhe për një dinamizëm më të madh. Unë mendoj se Marash Hajati të shkarkohet si kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe në vend të tij të caktohet Spiro Dede, i cili sot është shef i sektorit të arsim-kulturës në aparatin e Komitetit qendror të Partisë. Vendi i tij këtu në aparat mbetet bosh, po nuk kemi ç’të bëjmë, na duhet të forcojmë punën në gazetë.

Në planin organizativ të brendshëm kam ngarkuar Sofokli Lazrin të merret me shtypin, se Fotua nuk merret me shtypin, nuk e njeh, nuk ka praktikën dhe është pak akademik në këto punë, kurse shtypi nuk do akademizëm, kërkon një punë energjike, minutë për minutë t’i qëndrosh mbi kokë. Unë bashkë me disa shokë këtu kemi menduar që Marash Hajatin ta çojmë sekretar për problemet e propagandës në Komitetin e Partisë të Elbasanit. E thirra Marashin dhe ia thashë mendimin tonë. Ai mu përgjigj se “jam gati të shkoj, nuk kam ndonjë gjë, e kuptoj momentin, por kini parasysh që jam 58 vjeç, praktikën e punës konkrete nuk e kam”. Arsye familjare, më tha kam, prandaj të shihet nëse ka mundësi për ndonjë variant tjetër, megjithatë si të vendosë Byroja Politike. Si mendoni, ta caktojmë në ndonjë nga komitetet e Partisë të rajoneve të Tiranës për propagandën? Sidoqoftë ta diskutojmë këtë.

Shoku Pali Miska: Më mirë le të qëndrojë në Tiranë.

Shoku Ramiz Alia: Kam marrë dhe mendimin e shokëve që Mehmet Elezin mund ta çojmë sekretar partie në Vlorë për çështjet e propagandës. Këta shokë janë të rinj, prandaj është mirë që të kaliten me punën e Partisë. Atij nuk i kam thënë ende asgjë, por jam i mendjes që tani nuk ka kohë më për shumë biseda. Çështja është që secili duhet të bëjë punën e partisë, të shkojë ku ta çojë Partia, sot lipset tjetër militantizëm. Ky është mendimi im, po sidoqoftë shokët le të shprehin mendime.

Jam i mendimit që të dy zëvendësministrat e punëve të brendshme, Zylyftar Ramizi dhe Ilir Mustafaraj, të shkarkohen nga detyra. Qeveria le t’i vendosë pastaj ku ta shohë të arsyeshme. Zylyftari kishte Sigurimin në dorë, apo jo, Simon? (Shoku Simon pohon). Çfarë na dha Sigurimi? Ilir Mustafaraj kishte tërë policinë në dorë. Policia jo vetëm që nuk e tregoi veten në ngjarjet e fundit, po tani na rezulton që policët kanë marrë para për të futur njerëz në ambasada. Çfarë kontrolli kishte mbi policinë? Koha nuk pret për masa gjysmake. Sidoqoftë ky është mendimi im dhe po e shtroj ta diskutojmë. Në Kavajë duhet ndryshuar udhëheqja e Komitetit të Partisë së rajonit. Unë do të shtroja çështjen dhe për shokun Muho. Mua më duket se shoku Muho nuk iu përgjigj rolit, detyrës që iu ngarkua si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit.

Me këto dobësi, me këto të meta unë nuk mendoj që Partia do ta përkrahë. Ja kam thënë edhe veçmas por detyrohem ta them dhe këtu, në mbledhjen e Byrosë Politike, që dhe për djalin e shokut Muho ka shumë fjalë. Ai gati sa nuk bën ligjin nëpër kafenetë e Tiranës dhe të Durrësit. Do të thoni ju që çlidhje ka djali me këtë? E kam thënë dhe herë tjetër që fëmijët tanë dhe njerëzit tanë të familjes duhet të sillen korrektë. Populli kaq shumë vë re, sa secilit ja vë vjegën vath në vesh. Për konsekuencë mendoj që dhe shoku Muho mund të shkarkohet si sekretar i parë i Durrësit dhe atje të shkojë ndonjë shok tjetër si të gjykojë Byroja. Këto gjëra kisha unë. Çfarë mendimesh keni?

Shoku Hekuran Isai: Dua të shpreh edhe unë disa mendime sidomos lidhur me ngjarjet e Kavajës.

Shoku Ramiz Alia: Thuaji, po veç mos përsërit. Shoku Hekuran Isai: Situata në Kavajë është e rëndë, e mbarsur me një veprimtari armiqësore të brendshme dhe të jashtme, siç duket. Shoku Ramiz Alia: Jo siç duket, por e mbarsur me siguri me veprimtari armiqësore. Kavaja është qendër e spiunazhit të huaj.

Shoku Hekuran Isai: Ashtu është. Më 28 janar në Kavajë u mbush shkolla e mesme “Medar Shtylla” me parulla për pluralizmin politik si: “Poshtë Partia”, “Enver-Hitler”, “Hapni kufijtë”, “Poshtë komunizmi”, “Vdekje Partisë së Punës të Shqipërisë”. Më 9.2.1990 në NSHNI përsëri u hodhën parulla me kërkesa ekonomike të tipit kapitalist me thirrje për përmbysjen e pushtetit popullor, në përkrahje të Gorbaçovit, karikatura me diçitura ofenduese për udhëheqjen. Më 20 mars dega e punëve të brendshme u vu në dijeni se ditën e diel, pas ndeshjes “Besa-Partizani” do të bëhej rrëmujë, në minutën e 80-të do të ngriheshin dy gishtat lart. Për këtë u morën masa.

Më 23 mars 1990, ditën e diel në mëngjes u shpërndanë disa thirrje të shkruara me dorë, por të rishumëzuara me heliograf. Në këto fletushka i bëhej thirrje popullit të Kavajës që në mënyrë të qetë e paqësore në minutën e 80-të të ndeshjes të thërrisnin “Liri-Pavarësi” dhe të ngrinin dy gishtat lart. Gjatë kësaj ndeshjeje u morën masa nga shokët, nuk pati thirrje masive, por njëri thirri “Liri-Demokraci” dhe këtë e arrestuan. Pas ndeshjes rreth 200 veta mbetën në fushë, policia qetësisht deshi t’i nxirrte jashtë. Duke dalë jashtë, të 200 vetat sulmuan me gurë policinë dhe një pjesë të mirë të atyre njerëzve që ishin jashtë. Familja e njërit që ishte arrestuar në drekë shpalli zi, se dikush i tha që djali yt ka vdekur në polici. Brenda gjysmë ore gati gjysma e Kavajës i ka shkuar për ngushëllim.

Atëherë disa shokë të policisë e morën familjen dhe e çuan të shikojë djalin që ishte shëndoshë e mirë. Duke u kthyer për në shtëpi, familja i ka thënë turmës të mos vinte për ngushëllim se djali ishte gjallë, por njerëz nga turma i kanë thënë që djalin ua kanë maskuar, nuk është djali juaj. Kur u err, pranë Komitetit të Partisë, në mënyrë të heshtur erdhën qindra vetë. Shefi i policisë u ka thënë të shpërndaheshin se do t’i lironin dhe ata të dy që ishin arrestuar dhe se nuk kishte të vdekur. Papritur shpërthyen gurët në drejtim të policisë, thyen xhamat. Në këtë kohë hidhet parulla “Na lironi shokët”, “Liri-demokraci”, “Poshtë dinastia”, “Poshtë Nexhmija”, “Rroftë Ramiz Alia”. Policia nuk veproi fare ndaj turmës. Turma doli në qytet, filluan të hidhnin përsëri parulla. Për çdo parullë përgjigjeshin me “urra” ose e shoqëronin me duartrokitje. Thyen xhamat e dyqaneve. E gjithë kjo zgjati 20-30 minuta, sa u ndezën drita, pastaj turma u shpërnda. Atë ditë ishte dhe mbledhja e komitetit ekzekutiv të rajonit, dolën kuadrot po nuk bënë gjë. Më 27 dhe 28 mars për këtë çështje u arrestuan 20 vetë, nga të cilët tre vetë u mbajtën në hetim.

Shoku Ramiz Alia: Po, këtë informacion e dhanë axhanset.

Shoku Hekuran Isai: Po, i dhanë axhanset.

Shoku Ramiz Alia: domethënë informacioni është. Ne i morëm vesh sot nga shoku Hekuran, po i lexuam mbrëmë nga të huajt informacionet për të gjitha këto ngjarje. Shoku Hekuran Isai: Nga organet e punëve të brendshme çështja është trajtuar që në këto ngjarje ka veprimtari armiqësore. Vetë komiteti i partisë ka arritur në konkluzionin që këtu ka veprimtari armiqësore, por siç del, ky shqetësim nuk ka shkuar në organizatat-bazë të Partisë dhe është krijuar një opinion i përgjithshëm që këtu nuk kanë faj kavajasit derisa në një mbledhje plenumi ish sekretari i Komitetit të Partisë, Jovan Sokoli, tha që është çështje e 10 lumpenëve. Atij i janë kundërvënë shokët që kanë qenë atje, po dua të them që vetë e minimizojnë gjendjen. Mostrajtimi i mirë i problemit bëri që dhe gratë tani janë frymëzuar aq shumë, sa thonë “mirë veprojnë çunat tanë”.

Tani kur dalin në rrugë vënë përpara fëmijët që të gjuajnë me gurë e pas tyre vijnë gratë. Gjatë kësaj periudhe nga 28 marsi deri në 4 korrik u vazhdua puna normalisht për të evidentuar të dhënat që vinin, se do të bëhej një demonstratë e madhe e do të sulmoheshin depo armësh. Kishte të dhëna që këto veprime drejtoheshin nga Tirana, se personat që organizojnë ngjarjet në Kavajë paguhen. Madje nga informacionet që ka marrë kryetari i degës, del se jugosllavët për këto ngjarje në Kavajë dhe në rrethin e Shkodrës kanë paguar jo më pak se 500 mijë dollarë. Më datën 2,3 dhe 4 korrik dolën të dhëna të tjera, se në mbështetje të veprimeve të Tiranës do të organizohet në Kavajë një demonstratë e madhe pas ndeshjes finale me Gjermaninë. Pas ndeshjes, më 4 korrik, në orën 11 të natës në të gjitha rrugicat dolën në mënyrë demonstrative mijëra njerëz që u drejtuan për në qendër dhe brohoritnin gjoja për fitoren e gjermanëve.

Atje shkoi sekretari i Partisë, Agron Tafa, shefi i policisë, kryetari i komitetit ekzekutiv dhe u thanë njerëzve të shpërndaheshin se ishte natë. Në drejtim të tyre filluan të godisnin me gurë, Agronin e goditën në kokë. Turmat e njerëzve u larguan nga qendra dhe u futën në errësirë, thyen të gjitha xhamat e dyqaneve në mënyrë masive në një gjatësi prej 800 metrash. Filluan të hidhnin parulla “Duam Gjermaninë e bashkuar”, “Duam Europën e bashkuar”, “Tirani, nuk mbahet populli kështu”, “Do t’u shtypim kokat”, “Morrat në fund”. Kjo situatë ka vazhduar deri në orën 12 të natës. Po policia dhe sampistët nuk ndërmorën asnjë veprim.

Shoku Ramiz Alia: Këtë e provokuan Agroni me shokë?

Shoku Hekuran Isai: Tre veta ishin ata.

Shoku Ramiz Alia: Aq, mjaftojnë. Ç’u duhej atyre? Analiza duhet bërë e saktë. Njerëzit që dolën në rrugë në fillim çfarë po thoshin? Fitoi Gjermania ndeshjen. Po mirë. T’i linin me kaq e të mos u fliste njeri…

Dokumenti

NJOFTIM

MBI GJENDJEN NË AMBASADËN ITALIANE SIPAS NJOFTIMIT NGA NJERËZIT TANË

Për të përshpejtuar punën regjistruese në plotësimin e formularëve dhe të pasaportave, neve futëm në ambasadën italiane një shok tonin nga aparati i KQ të Rinisë. Ky shok, krahas detyrës së mësipërme, pati si mision që të agjitonte me takt me njerëzit, si dhe të na njoftonte imtësisht për gjendjen. Përmbledhtazi po ju njoftojmë më poshtë. Në ambasadën italiane gjenden të strehuar mbi 800 vetë. Ndërmjet tyre ka fëmijë, të rinj e të reja dhe mosha më të mëdha deri në 56 vjeç. Mosha mbizotëruese janë të rinjtë. Përveç 10-15 adoleshentëve që janë vetëm, të tjerët janë së bashku me familjet e tyre. Në Ambasadë ka afro 70 fëmijë nën moshën 5 vjeç. Për strehimin e grave dhe të fëmijëve të vegjël janë ngritur dy kasolle të vogla, ndërsa të tjerët janë rregulluar si munden në oborrin e pasim të ambasadës, duke pasur si shtrojë vetëm një batanije.

Faksimile e njoftimit të KQ të Rinisë për KQ të PPSH-së

Personeli i ambasadës sillet në mënyrë korrekte me njerëzit dhe ushqimi shpërndahet tre herë në ditë; i mjaftueshëm për të jetuar. Ndihma mjekësore jepet në mënyrë të shpejtë sa herë lind nevojë. Ambasada nuk ka mjek, ndaj dhe disa herë është thirrur mjeku i ambasadës franceze. Organizimi i brendshëm është ky: të gjithë njerëzit janë ndarë në 46 grupe. Çdo grup ka nga një kryetar dhe në krye të tërë grupeve gjendet kryetari i parë, që quhet Astrit Spahiu, 45 vjeç, inxhinier, nga Tirana. Personeli i ambasadës komunikon kryesisht me të dhe me kryetarët e tjerë për çdo problem të dalë. Të parë në tërësi, bie në sy një lloj vetëndarje e brendshme e të strehuarve, me anë të së cilës zgjidhet çdo grindje e deri tek pengimi i atyre që duan të dalin. Numri më i madh i të strehuarve janë nga Tirana, sidomos nga Kombinati, lagjja “Ali Demi”, si dhe nga mjaft punëtorë të KAT (Kombinati i Autotraktorëve, red.). Gjithashtu, duke përfshirë edhe studentët, numri i intelektualëve arrin në afro 50 vetë. Grupet e tjera më të mëdha të njerëzve janë nga Durrësi, Kavaja, Elbasani. Ka edhe nga Vlora, Shkodra dhe Korça.

Është për t’u theksuar se gjatë tri ditëve që punuam aty nuk pati ndonjë lloj shprehje të pakënaqësisë politike kundër Partisë e shtetit. Nga bisedat e bëra konstatohet se ka njerëz të cilët e shohin me pasiguri të ardhmen e tyre sur të dalin jashtë shtetit dhe afro 20 prej tyre u shprehën fshehtas para nesh se duan të dalin, por kishin frikë. Por në këtë aspekt, dy raste të qëndrimit jo korrekt të policisë (të dielën dhe sidomos të hënën në mbrëmje) ndaj atyre që dolën vullnetarisht, kanë prishur shumë punë, duke i demoralizuar fare të lëkundurit, të cilët me fare pak punë mund të ktheheshin përsëri në shtëpitë e tyre.

Ky qëndrim i policisë deri në një farë mase ka kompromentuar edhe dekretin e fundit në sytë e të strehuarve në ambasadën italiane. Shumë veta të strehuar kërkonin të dinin se si do të zbatohej praktikisht dekreti i fundit për marrjen e pasaportave dhe kur i’u shpjegohej, pyesnin se “përse të mos sigurojë shteti udhëtimin për daljen jashtë shtetit kundrejt vlerës së tij me pare (të holla, red.) shqiptare”, sepse “me gjithë mend mund të merret pasaporta nga shteti ynë dhe viza prej shtetit përkatës, por është e pamundur të gjendet deviza për të paguar udhëtimin”. Gjatë këtyre ditëve të strehimit në ambasadën italiane morëm takim me përfaqësuesin e OKB-së, i cili në esencë i’u tha se “të mos shqetësoheshin se ai do ta ndiqte zhvillimin e operacionit për lëvizjen e tyre nga Shqipëria deri jashtë kufijve, por duhej të mbanin vetëm rregull e disiplinë, pa ngacmuar, thirrur e provokuar njeri”.

Në përgjithësi njerëzit ishin të lidhur dhe prisnin sa më shpejtë nisjen e tyre për jashtë, prandaj mendoj se mbas dhënies së pasaportave nga ana jonë, duhet sqaruar tërë opinioni se çdo vonesë shkaktohet nga pala italiane dhe jo nga ne. Veprimi i shpejtë për nxjerrjen në një kohë rekord të pasaportave nga ana jonë i ka shqetësuar italianët, të cilët s’e kanë pritur një gjë të tillë, dhe u ndodhën para një fakti të kryer, gjë që s’munguan ta pranonin në bisedat me njeriun tonë. NË një bisedë të instruktorit tonë me sekretarin e dytë të ambasadës, ai u shpreh se “kishte frikë për përsëritjen e një vale të dytë të strehuarësh” dhe se “do të ishte e mira të gjendesh një zgjedhje më e përshtatshme për të penguar këtë valë, sidomos nga pala shqiptare”. Gjithashtu ai tha se “konstatonte një mosbesim të madh të njerëzve që ishin strehuar aty në lidhje me problemin e tyre, përfshi këtu edhe dekretin e fundit”.

Këtë e konstatuam edhe ne kur të strehuarit na thoshin se “në qoftë se qeveria shqiptare jep pasaportat dhe italianët do t’i çonin në shtëpitë e tyre, deri sa t’u dilnin vizat italiane ata s’kishin për të dalë kurrë nga ambasada”. Sepse “mos një ditë, tjetrën, ata do të binin në duart e Sigurimit”. Mendojmë nga këto që na njoftuan njerëzit tanë për ambasadën italiane se duhet të përpiqemi që t’i heqim pak nga pak sa të jetë e mundur ngjyrat politike rreth kontingjenteve të futura në ambasada. Për këtë ekzistojnë të tëra mundësitë. Sepse nga bisedat me shumicën dërrmuese të të strehuarve rezulton se ata e motivojnë veprimin e bërë kryesisht me arsye të karakterit ekonomik si për një punë ku të fitojnë më shumë, për të jetuar materialisht më mirë, për të parë e njohur botën, për të provuar veten etj. Por, zbutja e ngjyrave politike e gjykojmë se do të ftohë gjaqet, edhe të atyre që janë brenda ambasadave, edhe të interesuarve e të njerëzve të tyre që janë jashtë.

Ky modulim taktik, kemi mendimin se i ndan prej nesh edhe shqiptarët që ikin jashtë atdheut jo aq me armiqësi politike, gjë që, në kushtet e largimit me mijëra, mund të na hapë probleme serioze në të ardhmen. Edhe për perspektivën e marrëdhënieve tona me shtetet evropiane, zbehja e ngjyrave politike për këto lloj kontingjentesh dhe evidentimi me masë i motiveve ekonomike mundet të sheshonte problemet. Ndoshta edhe për Kosovën dhe kosovarët zbehja e ngjyrës politike do të mund të ishte më me vlerë. Me këtë sugjerim nuk duam aspak të zbusim qëndrimin tonë në propagandën gojore. Fjala është për propagandën e shtypin zyrtar. Gjithashtu, masat organizative kërkohet të vazhdojnë të mbahen të forta.

Sekretari i Parë i KQ të Rinisë

Lisien Bashkurti

(firma, vula)

PJESA IV

Në këtë pjesë të fundit të transkriptimit të mbledhjes së Byrosë Politike, mbajtur më 14 korrik 1990, pas ngjarjeve në ambasadat e huaja dhe atyre në zhvillim e sipër në qytetin e Kavajës, vazhdon kryqëzimi i kuadrove më të lartë të PPSH-së të rretheve Tiranë e Durrës, të akuzuar për mefshtësi në menaxhimin e situatave.

Por më shumë bie në sy fakti se krerët e Byrosë e kanë shumë të vështirë të dërgojnë një njeri të zotin në Kavajë për të ndryshuar situatën. Në fund “dopio gjashta” i ngecet Pali Miskës. Në të njëjtën pjesë Ramiz Alia i “bën gjyqin” edhe kryeredaktorit të “Zërit të Popullit”, Marash Hajati, si cili, veç të tjerave, ka lejuar botimin e një shkrimi të Ylli Popës, ku sipas Alisë, nuk përmendej në asnjë rast Enver Hoxha, përkundër, aludohej me “kohën e humbur”.

(Vijon nga numri i djeshëm)

Shoku Ramiz Alia: Nuk është ky problemi, mos i ngatërroni gjërat. Unë nuk thashë që nuk je përpjekur të kryesh detyrat, por “të përpiqesh” nuk do të thotë se të duan. Të duan kur ta dëgjojnë fjalën, kur kanë respekt. Fakt është se nga janari deri tani, u bënë gjashtë muaj të tërë, në Kavajë nuk është stabilizuar gjendja, komunistët nuk ndihen, njerëzit nuk dëgjojnë, atëherë si mund të mendoj e të them që e dëgjojnë sekretarin e parë?

Shoku Muho Asllani: populli do Partinë, jo individin dhe unë nuk e shtroj çështjen që më duan mua, ata duan Partinë me gjithë shpirt, duan Udhëheqjen.

Shoku Ramiz Alia: Tani do të bëjmë deklarata?

Shoku Muho Asllani: Duan në radhë të parë veprën e shokut Enver, juve dhe tërë shokët. Po kjo ka ardhur se armiku është tërbuar. Ne jemi përpjekur që me punën e Partisë ta mposhtim, po dhe vetë nuk i jemi shmangur. Unë kam shkuar atje sa herë që ka pasur ngjarje. Të na gjuajnë me gurë nuk kanë arritur, por të paktën, momentalisht janë stepur kur kanë parë sekretarin e parë. Po a na do armiku? Armiku nuk ka si të na dojë.

Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk flas për armikun.

Shoku Muho Asllani: Në qoftë se ata janë arrestuar dhe futur në burg radhën e parë, unë i kam vënë gjoksin, se më kanë ardhur familjet e tyre dhe njerëz të tjerë. Jam marrë konkretisht me këto që trajtoi shoku Hekuran, unë i kam çuar ta shikonin njeriun e vet kur ishte i ndaluar dhe me organizimin e gjyqeve jam marrë konkretisht. Po gjendja nuk ka arritur të qetësohet, kjo është e drejtë, i jam shumë borxhli Partisë, Kavajës dhe kudo ku kam punuar dhe nuk kanë ecur punët mirë. Po që të mos kenë respekt për sekretarin e parë të rrethit, nuk ka arritur deri atje as në organizatat e Partisë, me komunistët dhe me kuadrot, po dhe me vagabondët, keqbërësit, huliganët, që disa prej tyre janë armiq, se nuk i fus të tërë në një kallëp. Ata janë qetësuar kur u kemi vajtur ne. Unë po e them hapur, se po të mos kisha vajtur unë atë natë nga Durrësi, ishte ora 10 a 11, atje do të ndodhte ndonjë vepër e papëlqyer. Sambistët me gjithë policët ishin në mes të bulevardit, dy zëvendësministrat ishin te rajoni i policisë, komandonin me radio. Për këtë qëllim vajta në vendin e ngjarjes dhe u qetësuan.

Shoku Hekuran Isai: Sambistët, policët dhe të tjerë kanë qenë, rrëmujë ishte.

Shoku Muho Asllani: Po, mundet. Te vendi ku u vra ai i riu situata është qetësuar, mbrëmë kanë shkuar familjarët, i kanë hequr tullat dhe fuçinë që ishin vënë atje si dhe qirinjtë e ndezur. Unë nuk kam ndonjë kundërshtim me propozimin që bëhet, punës së Partisë t’i bëhet mirë. Unë jam ushtar besnik i Partisë, do të shkoj kudo që ta gjykojë Partia, Byroja Politike. Kështu na ka edukuar na ka rritur Partia. Nuk jam shmangur asnjëherë nga puna. Mendjen, ndërgjegjen, fizikun dhe tërë qenien time, i kam vënë në funksion të detyrës, ditën e natën, dhe nuk kam asnjë rast që t’u jem shmangur ngjarjeve: si aksionit pozitiv dhe këtyre ngjarjeve të hidhura. Nuk kam ndenjur në Durrës kur kanë ndodhur ngjarjet në Kavajë, kam vajtur në çdo rast, u kam dalë përpara edhe vagabondëve dhe keqbërësve. Jam përpjekur që ta kryej detyrën dhe në momente konkrete, gjë që i ka shërbyer punës së Partisë. Prandaj armiqtë dhe keqbërësit, në qoftë se kanë hedhur ndonjë parullë, që mua nuk ma kanë thënë, këtë ua kam thënë dhe një ditë tjetër, një gjë të tillë nuk ma kanë thënë as organet përkatëse, as e kam dëgjuar, i kanë hedhur parullat se nuk u plotësohen kërkesat.

Shoku Ramiz Alia: Armiku i hodhi ato parulla, nuk i hodhi populli.

Shoku Muho Asllani: Po ata, të cilëve nuk u plotësohen kërkesat? Ne të tërë nuk mund t’i çojmë të punojnë në flotën tregtare dhe në parkun e eksportit, se ka dhe kërkesa të tilla Kavaja. Për këto ka rregulla, ka ligje, të cilat jemi përpjekur t’i zbatojmë. Unë nuk kam kundërshtim me propozimin që bëhet se punës së Partisë i bëhet mirë.

Shoku Ramiz Alia: Nuk është ky problemi Muho. Kur themi që hidhen të tilla parulla, duhet të kuptoni se sa të acaruar dhe ç’terren gjejnë armiqtë që i hedhin. Nuk është puna pse është kjo parullë dhe fajin e ke ti ose Hekurani, ta zëmë. Po kur arrijnë të thonë parullën “Enver-Hitler”, do të thotë që ka një auditor që i dëgjon e që nuk reagon. Kjo nuk tregon forcën e punës në Partisë, nuk tregon për militantizëm të komunistëve. Në Kavajë ka 1400 komunistë po a u mbajt qëndrim ndaj tyre?

Shoku Muho Asllani: Janë bërë dhe përjashtime, shkarkime apo transferime.

Shoku Ramiz Alia: Parullat i ka përpunuar e nxitur armiku, për këtë të jemi të qartë, dhe ata që i thonë sigurisht të tillë janë, por kur të tjerët nuk reagojnë, domethënë nuk të kanë dëgjuar ty si sekretar i parë, nuk kanë dëgjuar fjalën tënde.

Shoku Muho Asllani: Nuk e kanë zbatuar.

Shoku Ramiz Alia: Domethënë nuk ka peshë fjala jote?

Shoku Muho Asllani: Unë e thashë që nuk është çështja ime, se unë si të gjithë komunistët e tjerë jam.

Shoku Ramiz Alia: Çështja jote nuk është po është çështja e çdo udhëheqësi të Partisë.

Shoku Muho Asllani: Ata janë qetësuar tani dhe nuk ka pasur më ngjarje të tilla. Unë nuk kam kundërshtim dhe propozimi juaj është me vend. Unë jam përpjekur të kryej detyrën, nuk i jam shmangur asaj, po të ketë, të paktën, ndonjë rast që i jam shmangur ndonjëherë detyrës, se nuk është vetëm Durrësi që kam punuar, por kam një jetë të tërë, një çerek shekulli që punoj herë në një rreth, herë në një tjetër, herë në një detyrë, herë në një tjetër. Po a kam pasur defekte në punë? Kam pasur, po për ndërgjegje e për punë nuk besoj të thotë njeri që jam shmangur ose jam fshehur. Ngjarjet që kanë ndodhur në Kavajë janë të rënda dhe më bie mua, në radhë të parë, përgjegjësia, se jam sekretar i parë i rrethit. Partisë iu krijua një shqetësim mjaft i madh. Sot atje po merren masa sipas porosisë suaj, shoku Ramiz.

Shoku Ramiz Alia: Unë ngarkova shokun Foto të shkonte në Kavajë e të merrte mendimin e komunistëve atje se kë donin ata të zgjidhnin si sekretar të parë të rajonit të Kavajës. Shoku Pirro Kondi: Mendimet që shprehët ju, shoku Ramiz, për Tiranën janë plotësisht të drejta. Ne u gjendëm në gjumë. Përgjegjësinë, në radhë ta parë, e mbaj unë për gjendjen e krijuar në organizatën e Tiranës. Në këtë kuptim, mënyra e punës, duke filluar nga unë, nga Komiteti i Partisë i rrethit e pastaj dhe rajonet dhe organizatat e Partisë, nuk i është përgjigjur kohës. Këtu e ndiej përgjegjësinë më të madhe. Për të punuar nuk kemi përtuar as ditën, as natën, po si i kemi punët…? …Lidhur me propozimet e tjera jam dakord me mendimin që u shpreh për Marash Hajatin, se ka përgjegjësi për gjendjen që lejoi në shtyp. Ai nuk u tregua në lartësinë e kryeredaktorit.

Shoku Ramiz Alia: Më fal, vetëm një sqarim të vogël. Për sa i përket botimit të njoftimit “Kërkohen krahë pune” për Zvicrën, Marashi më ka thënë që ka qenë në Përmet kur u botua ky.

Shoku Pirro Kondi: Ashtu është, nuk ka qenë këtu.

Shoku Ramiz Alia: Gjithashtu dhe për njoftimin që u dha në shtypin tonë për shkarkimin e Mlladenovit (Presidenti bullgar, red.) më 7 korrik 1990, unë nuk kam qenë në Tiranë, më tha ai, sepse i kishte vdekur i ati në Tropojë. Drejtori i ATSH-së ka marrë në telefon në orën 10 e gjysmë të natës “Zërin e Popullit” dhe u ka thënë shokëve të gazetës të lënë vend se ka një lajm shumë të rëndësishëm për botim që ka ardhur nga jashtë. Pra këtë njoftim e ka dërguar ATSH-ja. Në gazetë është një rregull që kur ka ndonjë lajm nga ATSH-ja, e botojnë, pasi e konsiderojnë që është marrë miratimi nga Komiteti Qendror.

Shoku Pirro Kondi: Unë i di këto shoku Ramiz, se i kemi biseduar me të, megjithatë për Marashin ka pasur kritika.

Shoku Ramiz Alia: Më 10 korrik në “Zërin e Popullit” nuk kishte kryeartikull për festën e ushtrisë. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, 5 qershor 1990, unë mbajta një fjalim dhe në shtyp nuk u bë asnjë koment. Po pse unë duhet t’u them që pas një muaji të bëhet komenti? Ose artikullit të Ylli Popës që u kritikua në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, Marashi mund t’i thoshte ndonjë mendim lidhur me çka ngriti ai në artikullin e vet, sidomos lidhur me kohën e humbur. Pra ç’kuptonte ai me kohë të humbur. Të përcaktonte kush e kishte humbur këtë kohë, që të ishte e qartë. Në artikull Ylli përmendte një sërë filozofësh, po Enver Hoxhën nuk e përmendi as edhe një herë. Pra, Marashi si kryeredaktor këto gjëra duhet t’ia vinte në dukje që artikulli të mos linte keqkuptime. Këto i thashë sa për sqarim.

Faksimile e mbledhjes së Byrosë Politike

Faksimile e mbledhjes së Byrosë Politike

Shoku Pirro Kondi: Unë jam dakord që të shkarkohet Marashi. Kandidaturë e goditur për të vajtur në “Zërin e popullit” si kryeredaktor është Spiro Dede…

Shoku Pirro Kondi: Jam plotësisht dakord për shkarkimin e zëvendësministrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana e tyre është treguar miopi, në një kohë që të dhëna, sinjale duhet të kishte me siguri. Për Mehmet Elezin shpreh propozimin në qoftë se mund të caktohej sekretar për propagandën në Tiranë.

Shoku Ramiz Alia: A e kryen dot këtë detyrë? Inteligjenca e Tiranës do një njeri tjetër.

Shoku Xhelil Gjoni: Mund të vejë në Shkodër.

Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk duhet as në Shkodër. Në Vlorë do të ishte më mirë të shkonte.

Shoku Pirro Kondi: Unë u nisa ngaqë është shok që ka fituar një farë autoriteti, ka qenë dhe sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë.

Shoku Ramiz Alia: Ka pak paragjykime.

Shoku Pirro Kondi: Tërhiqem, jam dakord me propozimin.

Shoku Ramiz Alia: Për në Tiranë të shikojmë ndonjë shok tjetër. Mirë, tjetër kush do të flasë?

Shoku Adil Çarçani: Kryesore, mendoj, janë kuptimi i situatës dhe i qëllimeve të armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Mobilizimi dhe aktivizimi i kuadrove dhe i komunistëve në Tiranë dhe Kavajë nuk ka qenë në nivelin që duhej. Sot në Kavajë gjendja është qetësuar tha shoku Muho, po a i dëgjojnë komunistët? Po, dhe në Tiranë nuk duhet të mjaftohemi me këtë qetësi. Unë jam dakord me masat që propozoni ju dhe të tjera po të jetë nevoja, se çdo gjë e justifikohet karshi këtij qëllimi të egër, që kërkon të rrëzojë pushtetin. Borgjezia kërkon të vendosi sa më shpejt kapitalizmin këtu. Dhe ato lajka për qëllimet e tyre i kanë.

Shoku Ramiz Alia: Kërkojnë pushtetin.

Shoku Adil Çarçani: Po. Kur dëgjojnë për socializmin, pale për komunizmin, kanë urrejtje.

Shoku Ramiz Alia: Gazeta gjermane thoshte që duhet bërë presion politik dhe ekonomik. Tregu i Përbashkët Europian e ka theksuar që duhet pluralizëm politik.

Shoku Adil Çarçani: Po, ndryshe nuk mund të marrim pjesë në asnjë organizatë europiane.

Shoku Ramiz Alia: Është e qartë ajo çfarë kërkohet.

Shoku Adil Çarçani: Prandaj është e justifikuar çdo masë organizative ndaj kujtdo qoftë. Shoku Ramiz Alia: Duhet t’u vëmë gjoksin punëve.

Shoku Adil Çarçani: Muhoja shprehu mendimin e tij këtu, por ty Muho, të ka ikur nga duart Partia atje në Kavajë, po dhe për në Durrës nuk duhet fjetur mendja. Në vend që ta krijojnë komunistët dhe kuadrot opinionin në popull, janë të tjerët që e bëjnë këtë punë. Unë jam dakord me masat që propozohen, po kjo duhet kuptuar nga të tërë njerëzit.

Shoku Pali Miska: Dhe unë jam plotësisht dakord me konkluzionin tuaj, që shokëve të komiteteve të Partisë të rretheve Tiranë dhe Durrës u ka ikur situata nga dora. Unë kam mendimin që me këta shokë zor se normalizohet situata si më parë. Ta kemi të qartë këtë punë. Dëmi që iu shkaktua Partisë, vendit, socializmit nuk është i vogël, qoftë me të 5000 vetat që ikën nëpërmjet ambasadave, qoftë me veprimet e tjera që u bënë në Tiranë, Durrës, sidomos në Kavajë. Këtë të vërtetë duhet ta shikojmë në sy. Populli është shumë, shumë i shqetësuar për këtë çështje. Qyteti i Tiranës vërtet është i madh, po ka dhe shumë kuadro, komunistë, ka shumë organizma, pra ka shumë mundësi të jetë situata në dorë. Kjo tregon ashtu siç e përcaktuat dhe ju, shoku Ramiz, që puna e Partisë me njerëzit, në ndërmarrje, në institucione e kudo nuk ka qenë në nivelin e duhur, është bërë një punë e dobët. Shembuj kemi plot. Shkodra është më e predispozuar për ngjarje të tilla, për këtë u përhapën dhe shumë fjalë, po gjendja është dominuar.

Shoku Ramiz Alia: Rreth 300-400 veta vijnë çdo ditë nga Shkodra në Tiranë.

Shoku Pali Miska: Përpjekjet për të rregulluar gjendjen duhet të jenë shumë të mëdha, dua të them që situata në Kavajë nuk zotërohet nga Partia dhe po e lamë kështu, situata mund të keqësohet. Le të shkojnë në Kavajë kuadro e njerëz nga Tirana, por po nuk e morën në dorë çështjen komunistët e Kavajës, nuk do të ketë rezultat…

Shoku Ramiz Alia: Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.

Shoku Pali Miska: Po të rritet e të forcohet puna e Partisë gjendja stabilizohet. Sigurisht në këtë situatë që është armiku kërkon të përmbysë pushtetin, të shkatërrojë Partinë.

Shoku Ramiz Alia: Ky është problemi.

Shoku Pali Miska: Interesat e vendit duan që të jemi të gjithë në këmbë. Dakord jam me propozimet lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Shoku Simon Stefani: Unë jam dakord me mendimet që shprehët ju, shoku Ramiz, si dhe me masat që u propozuan. Kam një mendim e dua ta them. Meqë Kavaja është një pikë tepër e nxehtë dhe problemet atje nuk do të zgjidhen shpejt, kam mendimin që nga shokët e Byrosë Politike, këtë si ta gjykojë Byroja Politike, të shkojë të qëndrojë atje, duke kryer dhe punët e tjera që ka, pa e shkarkuar nga detyrat e tjera. Ai të vejë atje tamam si në një situatë lufte, në front, të mobilizojë njerëzit për një kohë sa më të arsyeshme. Këtë mendim kam.

Shoku Ramiz Alia: Po nuk kemi asnjë shok që mund ta dëgjojë Kavaja.

Shoku Hekuran Isai: Ai përfaqësues i Partisë mund të shkonte.

Shoku Ramiz Alia: Po mirë, ja propozoni njërin nga shokët. Cili nga shokët e Byrosë merr përsipër të shkojë në Kavajë? Nuk është puna vetëm të shkosh, se nuk është puna te posti a funksioni që kryen. Mos ta harrojmë këtë. Ka ardhur koha, mendoj unë, dhe për këtë të jemi të tërë të ndërgjegjshëm, se tani më fort se kurrë duhet aftësia. Shuku Hekuran Isai: Të shkojë njëri që mund të ndihmojë të qetësohet situata.

Shoku Ramiz Alia: Po mirë, thuaj t’i, cili të vejë? Unë dhe Adili përjashtohemi, se nuk mund të shkojmë ne. Shoku Hekuran Isai: Unë vetë atë punë nuk mund ta bëj dot.

Shoku Ramiz Alia: Nuk e bën dot, se je ministër i Punëve të Brendshme, Simoni gjithashtu s’mund të vejë se është ministër i Punëve të Brendshme, Lenka ka rrethin e vet me shumë probleme, kështu që edhe ajo përjashtohet, shokët e tjerë gjithashtu janë të zënë me punë dhe kanë nga një arsye që nuk mund të shkojnë. T’i themi shokut Foto të vazhdojë që qëndrojë atje? Shoku Foto është marrë kryesisht me probleme ideologjike, ndërsa në Kavajë ka shumë probleme që duhet t’u bëjë ballë. Mirë do të ishte, fundja, të dërgonim ndonjë anëtar të Komitetit Qendror. Në qoftë se kemi propozim konkret, thojeni.

Shoku Adil Çarçani: Po të jetë puna për një javë, shkoj unë.

Shoku Hekuran Isai: Atje puna është sa të hiqet “varri” ku vënë lulet dhe të kalojnë të nëntat e të vrarit dhe besoj, gjendja do të qetësohet. Në fillim kishte shumë njerëz të grumbulluar po kur filluan të hidheshin parulla kundër Partisë, të gjithë njerëzit filluan të largoheshin, mbetën vetëm rreth 2 mijë veta. Me një fjalë kemi të bëjmë me një mori njerëzish që tërhiqen nga të tjerët.

Shoku Ramiz Alia: Ti mendon të shkojë shoku Adil?

Shoku Adil Çarçani: Unë vete. (Nga salla thonë jo). Atje ka një numër njerëzish që janë ultrareaksionarë.

Shoku Hekuran Isai: Po, fashistë janë.

Shoku Ramiz Alia: Ata që janë fashistë duhen goditur rëndë. Nuk duhet hezituar. Për këtë duhet të jemi përgatitur.

Shoku Xhemal Dymylja: Çështja është a dihet cilët janë?

Shoku Ramiz Alia: Aty është puna, të mos shkojmë kot, se thotë Muhoja që është një Bukurie që mbajtka çarçafin me gjakun e të vrarit dhe ajo është tërë rreziku.

Shoku Adil Çarçani: Ajo është mashë e armikut.

Shoku Hekuran Isai: Po, mashë është.

Shoku Ramiz Alia: Në radhë të parë duhen evidentuar elementët armiq, të identifikohen organizatorët dhe të goditen ata në bazë të ligjit. Pra duhet përdorur diktatura, madje fort dhe të mos i trembemi. Po, ama, të dimë ku të godasim. Mund të dërgojmë një grup shokësh. Nga Komiteti Qendror në qoftë se ka njeri që mund të shkojë, për shembull, në qoftë se ia dëgjojnë fjalën Palush Selimit (zv/kryetar i Komisionit të Kontroll-Revizionit të KQ të PPSH-së, red.)

Shoku Hekuran Isai: Palushi nuk është nga Kavaja.

Shoku Ramiz Alia: Duhet që të jenë nga Kavaja e t’u dëgjohet fjala.

Shoku Muho Asllani: Mund të shkojë shoku Hajredin me shokun Rita Marko.

Shoku Ramiz Alia: Po të vejë shoku Rita në Kavajë ata do të thonë “ky nuk ka gjë në dorë të plotësojë kërkesat tona, se ka dalë në pension”.

Shoku Llambi Gegprifti: Shoku Ramiz, mendoj që shoku Pali mund të vejë dhe të bëjë punë, ai është masovik.

Shoku Ramiz Alia: Po, mirë, të shkojë shoku Pali dhe me pretekstin se është vetë për punë e kontroll. Mos t’ju vijë keq, po Hajredimi, për shembull, është i nxituar, nuk është tip agjitatori, është pak impulsiv. Në Kavajë puna nuk do impulse, do qetësi shpirtërore, në kuptimin që të hysh në dialog, të diskutosh me njerëzit. Pali mund të shkojë.

Shoku Hekuran Isai: Dhe për punën e Partisë.

Shoku Pali Miska: Unë e gjej shkakun përse do të shkoj në Kavajë.

Shoku Ramiz Alia: Duhet pasur parasysh se po t’i ngrenë probleme Palit ai duhet t’i zgjidhë ato, ne do t’i japim kompetenca. Duhet të veprojmë kështu, se ky është një moment me rëndësi të madhe.

Shoku Kiço Mustaqi: Po pati kompetenca do të shkojë, se ndryshe nuk zgjidh dot gjë dhe nuk i ecën fjala.

Shoku Ramiz Alia: Vërtet Pali do të shkojë në Kavajë, por duhet mbështetur që t’i zgjidhë problemet, se po u tha që “çështjet që ngrini i mbajta shënim”, ata do t’i thonë se shumë janë mbajtur shënim, por s’na kanë mbaruar punë. Mirë, si thoni, të veprojmë kështu? (të gjithë janë dakord). Për sa i përket asaj që tha Pirrua për veten e vet, ne dhe atë e kemi menduar, Pirro, e kemi biseduar, por kam mendimin që në Komitetin e Partisë të Rrethit të Tiranës të caktohet shoku Xhelil si sekretar i parë i rrethit, duke qenë njëkohësisht dhe sekretar i komitetit Qendror të Partisë. Ti Pirro tani mund të mbulosh në rreth sektorin e propagandës ose mund edhe të vije në aparatin e Komitetit Qendror për të drejtuar grupin e instruktorëve, se Xhelili, duke qenë sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, do të drejtojë dhe çështjet organizative në aparat. Mendova që këtë lëvizje të mos e bënim tani, mund ta marrim si vendim, po mund ta lëmë si veprim nga java tjetër, megjithëse mund ta bëjmë dhe tani, nuk ka ndonjë problem. (Shokët janë dakord që të bëhet menjëherë).

Shoku Pali Miska: Po qe për ta bërë ne ta bëjmë menjëherë këtë lëvizje.

Shoku Kiço Mustaqi: Dhe unë i këtij mendimi jam.

Shoku Besnik Bekteshi: Në komitetin e Partisë së rrethit të Tiranës duhet parë dhe për lëvizjen e sekretarëve të tjerë.

Shoku Ramiz Alia: Bashkë le t’i shikojmë të gjithë. Po Pirrua a do të rrijë në rreth për të drejtuar propagandën? Mendimi im është që të qëndrojë atje.

Shoku Pali Miska: Më mirë të vijë këtu.

Shoku Ramiz Alia: Këtu, në aparat të Komitetit qendror është fjala për të drejtuar instruktorët e terrenit, ose siç po punoni tani le të rrijë Pirrua në Tiranë. Mirë, e vendosim kështu? (Të gjithë shprehen dakord). Për sekretar të parë të rrethit të Durrësit mendoj të caktojmë Nazim Skuqin.

Shoku Llambi Gegprifti: Është njeri shumë i zoti, shumë i mirë, shumë i aftë.

Shoku Ramiz Alia: Unë nuk e njoh shumë nga afër, po është kandidat i Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë.

Shoku Adil Çarçani: Nazimi është nga Kavaja.

Shoku Ramiz Alia: Po mirë dhe kjo është një anë pozitive për situatën e tanishme.

Shoku Muho Asllani: Nazimi Durrësin e njeh, se ka qenë për një kohë sekretar i komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit, mbulonte problemet e propagandës.

Shoku Hekuran Isai: Ndoshta e kanë zgjedhur Nazimin si sekretar të parë të rajonit të Kavajës.

Shoku Ramiz Alia: Dhe po ta kenë zgjedhur në Kavajë dakord do të jenë ata për Durrësin.

Shoku Llambi Gegprifti: Po sikur të ndahej më vete Kavaja?

Shoku Ramiz Alia: Si? Nuk bëhet ajo, se dhe Peqini, Laçi, Qyteti Stalin gati janë të ndahen në rajone më vete.

Shoku Hekuran Isai: Kërkojnë që të ndahen në rrethe autonome. Tërë shqetësimin e kanë se nga fondet që jep Qeveria përfiton vetëm qendra e rrethit.

Shoqja Lenka Çuko: Po këtë e bëjnë të tërë rrethet që kanë qytete të tjera.

Shoku Ramiz Alia: Po Muhon ku ta caktojmë? Ç’mendim keni ju? Çfarë propozoni?

Shoku Adil Çarçani: Në ndonjë ndërmarrje të rrethit të Durrësit.

Shoku Llambi Gegprifti: Unë mendoj që po të shkarkohet si sekretar i parë i Durrësit nuk ka se si të qëndrojë në rrethin e Durrësit. (Jo. Le të qëndrojë në atë rreth, thonë nga salla).

Shoku Ramiz Alia: Atëherë le të vejë drejtor i fermës së Sukthit, se profesionin e agronomit e ka. Sukthi është një nga ndërmarrjet më të mëdha që kemi në atë rreth. Unë këtë mendim kam, në qoftë se doni të rrijë në Durrës.

Shoku Muho Asllani: Nuk kam kundërshtim, shoku Ramiz, kudo që të jetë.

Shoku Ramiz Alia: Mirë, dakord, (të gjithë shprehen dakord). Për Marashin dhe të tjerët do të vendosim ne si Sekretariat. Mirë, mbaruam.

Shefi i Sektorit të Përgjithshëm

Fatmir Zaloshnja

(firma, vula)


* Titujt origjinalë në variantin online të gazetës “Panorama”:

  • 12 korrik 2022 – “Dolën me parulla ‘Enver-Hitler!’ ‘Hekuran-Sllobodan!”, Ramiz Alia në panik për revoltën në Kavajë: Borgjezia do të na përdorë e të na hedhë! 25 mijë komunistë në Tiranë nuk…
  • 26 korrik 2022 – “Zbardhen debatet për incidentet e përgjakura në korrik të ’90/ Byroistët i bëjnë gjyqin Muho Asllanit: Kavajës i ke dhënë pesë lekë fonde
  • 27 korrik 2022 – “Mbledhja e Byrosë, zbardhen prapaskenat e kryengritjes së parë antikomuniste! Hekuran Isai: Si na vuri populli përpara me gurë në Kavajë
  • 28 korrik 2022 – “Si u shkarkua Muho Asllani dhe u emërua drejtor i fermës së Sukthit! Mbledhja e Byrosë, Ramizi kryqëzon Marash Hajatin e ZP për shkrimin e Ylli Popës

Postime të ngjashme