Media luan një rol kyç në kujtesën kolektive të një vendi përmes mënyrës se si raporton mbi figura dhe ngjarje të ndryshme historike. Gjatë diktaturës, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste, media dhe gazetaria shqiptare ishin pjesë e aparatit propagandues të regjimit. Transformimi i tyre në një media të pavarur e demokratike në fillim të viteve ‘90 s’ka qenë i lehtë. Kanë kaluar 25 vjet nga rënia e regjimit stalinist në Shqipëri dhe është koha të ekzaminojmë rolin që media dhe gazetaria shqiptare ka luajtur në reflektimin shoqëror në të kaluarën e vendit gjatë kësaj periudhe.
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri organizoi në datat 9 dhe 10 nëntor 2015 një konference ndërkombëtare, që mblodhi së bashku studiues të medias dhe komunikimit kulturor, të cilët paraqitën studimet e tyre dhe diskutuan mbi qëndrimin e medias ndaj të kaluarës së Shqipërisë, duke pasur si fokus të veçantë regjimin e mëparshëm totalitar.
Në mënyrë që eksperienca shqiptare të vendoset në një kontekst krahasimor, në konferencë u ftuan të marrin pjesë edhe studiues ndërkombëtarë me interes akademik mbi studimet e kujtesës në përgjithësi, dhe veçanërisht në vendet e Europës Qendrore e Lindore që kanë kaluar procese të ngjashme tranzicioni.
Qëllimi i kësaj konference ishte që të promovojë studimet dhe gjetjet për kërkime inovative me anë të kontributeve teorike dhe empirike në këtë fushë.
Konferenca u fokusua në këto tema:
- Roli i medias në të shkuarën
- Kultura gazetareske në të shkuarën dhe në të tashmen
- Tema të kujtesës kolektive, perspektivat dhe zhanret në media
- Tipat e tregut të medias dhe ndërtimi i kujtesës kolektive
- Kujtesa kolektive e periudhave të tjera nëpërmjet lenteve të përvojës komuniste
- Praktikat gazetareske në prodhimin dhe riprodhimin e kujtesës kolektive
- Roli i producentëve të medias në ndërtimin e kujtesës kolektive
- Roli i teknologjisë së medias në arkivimin e kujtesës kolektive
- Kujtesa kolektive te dokumentarët (TV)
- Rrjetet sociale dhe kujtesa kolektive
- Mediat e kujtesës: Letërsia
- Media (e reja) të kujtesës













