Kujtesa e gjallë në një dialog mbi të shkuarën

Nga Erjola Azizolli

Sa dinë të rinjtë për diktaturën në Shqipëri? A kanë informacionin e mjaftueshëm kurikulat tona shkollore? Sa të nevojshëm janë muzeumet për kujtesën e kësaj pjesë të historisë? Për ti dhënë përgjigje këtyre pyetjeve,  Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë ka zhvilluar në qytetin e Beratit, takimin “Kujtesa e gjallë – Dialog mbi të shkuarën”

Ish familje të persekutuara nga sistemi komunist, të rinj, pushtetarë lokalë janë bërë pjesë e këtij takimi që ka pasur si qëllim ofrimin e më shumë informacioni për të rinjtë në lidhje me 50 vitet e diktaturës në vendin tonë. Fillimisht të pranishmit ndoqën një film dokumentar “Kujtesa e një vendi që harroi të harronte” realizuar në shumë qytete të Shqipërisë, ku ishin fokusuar ajo çfarë ka mbetur nga sistemi bunker, objekte kulti, etj. Por në këtë rrugëtim realizuesit sollën dhe mjaft perceptime të të rinjve në lidhje me diktaturën.

Më pas nëpërmjet dëshmive të tyre prekëse, Gëzim Peshkëpia, ish i burgosur politik dhe Vera Bekteshi, e internuar nga sistemi,  folën për vitet e vuajtjes, një pjesë të së cilave i kaluan në Berat. Ndërsa, gazetari Eno Popi foli në lidhje me rolin e medias shqiptare në trajtimin e çështjeve që lidhen ne atë pjesë të Shqipërisë. Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole u shpreh se këto takime me të rinjtë janë të rëndësishme për njohjen e sistemit të kaluar jashtë çdo ngjyrimi politik.

“Ky është një nga takimet e radhës që Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë organizon në kuadrin e projekteve për kujtesën, si ta mbajmë kujtesën gjallë veçanërisht për brezin e ri. Kemi bërë një sërë takimesh me të rinj, me studentë, qytetarë të Shkodrës, Tiranës, të Gjirokastrës dhe një ndër vendet që ne mendojmë që dhe ai është i rëndësishëm për kujtesën është Berati”, tha ajo. “Berati ka qenë për një periudhë të caktuar vendi i cili strehonte të internuarit, familje të ndryshme që kishin dalë kundër regjimit, në një farë mënyre Berati mban brenda vetes edhe kujtesën përpos të tjerave të atij regjimi”, pohoi ajo.

“Ne e shohim që është e rëndësishme që kujtesa të trajtohet sidomos për të rinjtë, të cilët nuk e njohin shumë atë që ka ndodhur. Ashtu si dhe u pa shfaqja e filmit dokumentar duket që të rinjtë janë të paorientuar se deri ku shkonte mizoriteti dhe e keqja e atij sistemi që ne kaluam. Në këto 25 vite,  shqiptarët kanë pasur halle të tjera të jetës së përditshme dhe nuk kanë pasur kohë që të merren aq shumë që tu tregojnë fëmijëve të tyre nëpër familje se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”, përfundoi Godole.

Më pas të pranishmit bënë një vizitë në ato që konsiderohen si vende të kujtesës dhe monumente kulturore të qytetit.

—————–

Burimi: KultPlus.com 

Titulli i shkrimit në origjinal: “Dialog mbi të shkuarën”, takim për mbajtjen gjallë të kujtesës

 

Postime të ngjashme