Masakra e Qafë-Valmirit, 17 gusht 1949

Nga Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë


N’qaf t’Valmirit të Mirditës,
Fort po vriten krah’t e Shqipes!!
Shkallës Madhe kush po zbret?
T’lidh me tela vajmedet,
jo ma pak se katërmbdhetë…
Shtatë ditë burg e jo ma shumë,
ditën e tetë n’litar e n’plumb…

(Këngë kushtuar masakrës së Qafë-Valmirit)

Më 17 gusht të vitit 1949 në Qafë të Valmirit në Mirditë, regjimi komunist ekzekutoi 14 burra nga disa zona të Mirditës, 4 prej të cilëve u varën në litar ndërsa 10 u pushkatuan. Ekzekutimi i tyre u bë nga shteti si hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, deputet i parlamentit të kohës dhe sekretar politik i komitetit të PP të kësaj krahine.

Bardhok Biba u vra më 7 gusht 1949 në Qafë-Valmir nga Komiteti i Maleve (që e pranoi autorësinë duke lënë letër në trupin e pajetë), kundërshtarë të regjimit të cilët jetonin në arrati. Ditët në vijim, Mirdita ishte nën terror. Të arrestuarit nga disa fshatra ishin çuar në Rrëshen dhe qindra të internuar qenë nisur drejt Tepelenës. Arrestimet ishin bërë kryesisht natën nëpër shtëpi. Internimet po ashtu, pa iu lënë kohë familjeve të të arrestuarve që të përgatiten. Ndërsa gratë dhe fëmijët niseshin me kamionë drejt kampeve, burrat shkonin të lidhur me tela me gjemba drejt vdekjes.

10 ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës, me rekomandim të Mehmet Shehut, Gjykata e Lartë Ushtarake ishte vendosur në Rrëshen dhe një proces gjyqësor në kohë rekord kishte vendosur të dënonte me vdekje 14 veta, ndonëse, siç pranohet nga dokumentet, asnjë prej tyre nuk kishte qenë i përfshirë në vrasjen e tij dhe as nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me vendimin e vrasjes. 14 të dënuarit nga 14 familje të ndryshme të Mirditës, nga mosha 24 deri në 67 vjeç, shihen si bashkëpunëtorë të të arratisurve, por jo si të përfshirë në vrasje. Nuk ka një hetim të mirëfilltë për ngjarjen dhe në dosjen hetimore gjyqësore, gjenden dokumente të proceseve të mëparshme të të dënuarve.

Vendimi i Gjykatës së Lartë

Vendimi i Gjykatës së Lartë, f.1

Dokumentet e Gjykatës së Lartë Ushtarake i akuzojnë se kanë bashkëpunuar me “banda kriminale t’arratisurish” dhe kanë ndihmuar këta të plotësojnë planin e tyre armiqësor për të rrëzuar Pushtetin Popullor. Në dosje, ku shumica e fletëve janë të palexueshme për shkak zbehjes së bojës së germave, thuhet:

“… në vargun e krimeve si vrasje, djegie, plaçkitje etj., të kryera nga këto banda që janë ndihmuar nga të gjithë këta të pandehur, shtohet dhe akti i poshtër dhe i shëmtuar i vrasjes së deputetit të popullit dhe sekretarit Politik të Komitetit PPSH për rrethin e Mirditës, Shoku Bardhok Biba, ndodhur më 7.8.1949 në vendin e quajtur Qafa e Valmirit ndërmjet katundeve Peshqesh, Simon, Kaçinar.”

Vendimi i Gjykatës së Lartë, f.2

Vendimi i Gjykatës së Lartë, f.2

Procesi gjyqësor u mbajt nga Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar nga Nënkolonel Bilbil Klosi, Kapiten I Sotir Spiro, Kapiten II Nonda Papuli, ndërsa pranë tyre ishte edhe prokurori i ushtrisë, Misto Bllaci. Vendimi u dha më më 16 gusht 1949 dhe siç zbardhet prej tij, të 14 viktimat janë të pafajshëm për vrasjen e Bardhok Bibës. Gjykata komuniste barazon autorin me bashkëpunëtorin dhe i dënon në bazë supozimesh.

Me veprimtarinë e tyre gjithë këta të pandehur kanë treguar në fakt se ata bëjnë edhe vetë këtë pjesë me këto banda, janë bashkëpunëtorë të tyre. Pjesëmarrja në banda nuk asht një akt formal por konsiston në vullnetin për të qenë pjesë e saj, vullnet i cili manifestohet me veprime te pajtueshëm me planet e bandës. Këtë vullnet e kanë treguar me punën e tyre të pandehurit dhe prandaj pavarësisht nga fakti i mosarratisjes konsiderohen si bashkëpunëtorë të bandave,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Gjykata bën me përgjegjësi civilët, ndërsa thotë në vendim se “sipas nenit 27 të P.P të gjithë të pandehurit janë përgjegjës për krimet e kryera nga këto banda, duke u dënuar secili konform nenit 57 të PP, simbas rrezikshmërisë personale”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, f.3

Vendimi i Gjykatës së Lartë, f.3

Masat që u ndërmorën nga regjimi komunist pas vrasjes së Bardhok Bibës rezultuan në shkatërrimin e organizimit të brendshëm të Mirditës, lidhjeve të bajraqeve dhe familjeve të mëdha që drejtonin jetën shoqërore të krahinës pothuaj duke injoruar shtetin komunist. Paralajmërimi për atë që do të ndodhte shihet në vendimin e Gjykatës së Lartë, ku pranohet dënimi i të afërmve e miqve të atyre që regjimi i kërkonte dhe i njihte si autorë të vrasjes:

Padija e të pandehurve dhe rrethanat e tjera të ngjarjeve si dhe rrezikshmëria e secilit të pandehur vërtetohet me këto prova:

    1. Lidhjet personale me të arratisurit, lidhje gjaku ose miqësije.
    2. Me të kaluarën e tyre të keqe dhe plotë aktivitet kundra pushtetit
    3. Me faktin se nji pjes e tyre është hedhur për pak kohë në arrati dhe ashtu bashkuar me bandat kriminale
    4. Me procesverbalet e mbajtura nga organet e hetuesisë.
    5. Me dëshmitarët e thirrur e dëgjuarë para gjyqit dhe
    6. Me pohimet e pjesshme të të pandehurve
Vendimi i Gjykatës së Lartë, f.4

Vendimi i Gjykatës së Lartë, f.4

Në bazë të dispozitave të përmendura, Gjykata, simbas kërkesës së Prokurorit,

Vendos:

Deklaron fajtor për bashkëpunim me bandat e arratisura dhe i dënon:

1) Pjeter Dedë Vila, 2) Dod Preng Kol Gjomarkaj, 3) Dod Llesh Paloka, 4) Dod Marka Biba, 5) Ndrec Mark Ndoi, 6) Nikollë Bardhok Bajraktari, 7) Nikollë Llesh Bajraktari, 8) Llesh Gjon Melyshi, 9) Frrok Ndue Mata, 10) Bardhok Dod Lleshi, 11) Gjin Gjok Keçi, 12) Preng Shkurt Nikolli, 13) Gjergj Keq Beleshi, 14) Ndoc Gjergj Çupi 15) Ndue Gjon Fusha me vdekje.

Ekzekutimi i dënimit për Pjetër Ded Vila, Dod Gjon Markaj, Ded Llesh Paloka dhe Ded Mark Biba do të bëhet me varje në litar, të tjerët do të ekzekutohen me pushkatim.

Citim nga vendimi:

“… ky akt i poshtër brenda kompleksit të veprimtarisë së tyre kriminale çmohet se është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe imponon për Pushtetin Popullor të marrë masa urgjente dhe të rënda, si dhe detyron Gjykatën e këtij pushteti të çmojë me drejtësi revolucionare rreziqet e veprës kriminale dhe të dënojë fajtorët konform me rrezikshmërinë e tyre.”

Ndërsa jep një vendim të formës së prerë më 16 gusht 1949, ku dënon me vdekje pa faj 14 shtetas, Gjykata e Lartë Ushtarake vendos t’i përjashtojë nga sekuestrimi i pasurisë meqenëse nuk kishin pasuri.

Të gjithë të dënuarit me vdekje humbasin të drejtat civile të përhershme. Të tjerët humbin të drejtën elektorale për 5 vjet. Përjashtohen nga konfiskimi i pasurisë të dënuarit mbasi nuk i rezulton Gjykatës të posedojnë pasuri.

Ky vendim është i formës së prerë.

Rrëshen 16.8.1949

Vendimi i Gjykatës së Lartë, f.5

Vendimi i Gjykatës së Lartë, f.5

10 ditë më pas, të dënuarit u çuan për t’u ekzekutuar në të njëjtin vend ku ishte vrarë Bardhok Biba, rreth 2 orë nga Rrësheni. Për të parë ekzekutimin e tyre, ishte kërkuar të kishte sa më shumë njerëz. Të 14-të u futën në dy varre të përbashkëta ndërsa pranë tyre përgjatë gjithë regjimit komunist, do të vihej një përmendore e Bardhok Bibës.

Të ekzekutuarit

U varën në litar:

  1. Preng Ded Kola – Orosh
  2. Pjetër Ded Vila – Kaçinar
  3. Dodë Mark Biba – Kthellë e Epërme
  4. Pjetër Paloka – Kaçinar

U pushkatuan:

  1. Nikollë Bardhok Bajraktari – Rrëshen
  2. Llesh Gjon Mëlyshi – Malaj
  3. Nikoll Llesh Bajraktari – Orosh
  4. Ndrecë Mark Ndoj – Kaçinar
  5. Bardhok Dodë Gjini – Prosek
  6. Gjok Gjin Kaçi – Bukmirë
  7. Gjergj Beleshi – Kthellë e Epërme
  8. Ndoc Gjet Çupi – Blinisht
  9. Preng Shkurt Nikolli – Orosh
  10. Frrok Mata – Kaçinar

* Ky artikull është pjesë e një serie të shkruar nga gazetarja Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në kuadrin e përkujtimit të 73-vjetorit të Masakrës së Qafë-Valmirit. Te Observatori i Kujtesës gjeni edhe ekspozitën me titull “Masakra e Qafë-Valmirit”.