Papavrami: “Do të qëndrojmë përgjithnjë në Francë”

Nga Dashnor Kaloçi 

Në kuadrin e një izolimi të plotë që Enver Hoxha i bëri Shqipërisë që nga fillimi i viteve ’60-të pas prishjes me aleatin e tij të madh Bashkimin Sovjetik që i kishte qëndruar sa vasal aq dhe besnik, ai u kujdes që të ruante një “portë të hapur” me Perëndimin. Dhe kjo ishte Franca?! Më shumë për nostalgji, pasi aty kishte kaluar disa vite të rinisë së tij në periudhën e Monarkisë së Zogut ku kishte tentuar të shkollohej pa sukses në universitetin e Montepljesë, apo dhe për arsyen e thjeshtë se si familja e tij, ashtu dhe një pjesë e madhe e “shokëve të udhëheqjes” bashkë më familjet e tyre, shkonin herë pas here në Paris për “vizita mjekësore”, apo thjesht dhe për “transit” gjatë udhëtimeve të tyre jashtë Shqipërisë.

Ndoshta dhe të dy këta “faktorë” që përmendëm më lart e detyruan atë që të mbante një “marrëdhënie korrekte” me Francën, nga ku si rezultat, që nga fillimi i viteve ’70-të, (por dhe më parë), qeveria komuniste e Tiranës dërgonte herë pas here një numër jo të paktë studentësh e specialistësh për të mësuar në universitetet e ndryshme të atij vendi. Në këtë kuadër, por duke përfituar edhe nga disa bursa që filloi të jepte qeveria franceze, nga fillimi i viteve ’80-të, në Francë u dërguan edhe disa nxënës për të studiuar në shkollat e artit. Siç ishte një fëmijë i vogël i quajtur Tedi Papavrami virtuozitetin e të cilët e zbuluan vetë pedagogët francezë kur ishin në Tiranë. Dhe në bazë të një marrëveshje, ata e morën Papavramin e vogël (bashkë me nënën e tij, për ta shoqëruar dhe kujdesur gjatë atyre viteve në Francë) për ta perfeksionuar në një nga shkollat më në zë të muzikës që kishte Parisi. Por marrëveshjet në fjalë me Francën për dërgimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë atje, nuk shkuan dhe aq “vaj” siç ishte menduar nga Tirana zyrtare?! Madje pati dhe mjaft “probleme”?! Kështu, diku nga fillimi i muajt mars të vitit 1986 në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, (me anë të një telegrami shifër sekret) mbërriti një njoftim i pazakontë.

Ambasadori shqiptar në Paris, Maxhun Peka, bashkangjitur telegramit në fjalë, u dërgonte eprorëve të tij më të lartë në Ministrinë e Jashtme, një letër që atij sapo ia kishin dërguar, Jolanda dhe Robert Papavrami, dy prindërit e violinistit të vogël. Papavramët në atë letër i bënin me dije ambasadorit Peka, se ata kishin vendosur që të qëndronin përgjithnjë në Francë dhe se atë vendim që për ta konsiderohej “shumë i shëmtuar ndaj atdheut dhe Shqipërisë” ata e kishin ndërmarrë me koshiencë të plotë. Ashtu siç do të shohim edhe në dokumentet e rralla që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri, letra në fjalë e prindërve të Tedi Papavramit në adresë të ambasadorit Maxhun Peka është mjaft e shkurtër dhe tepër koncize për mesazhin që ata kërkonin të përcillnin mjaftueshëm me anë të saj.

Por ata i bënin me dije atij (ambasadorit Peka),se krahas saj, i kishin dërguar edhe një letër tjetër, në adresë të sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, “shokut Ramiz Alia”, ku i shpjegonin me detaje ar syet e vërteta që i kishin çuar ata të merrnin atë vendim për të qëndruar përgjithnjë në Francë. Në letrën e dërguar ambasadorit Peka, (letra dërguar Ramiz Alisë nuk është në dosjen përkatëse prej nga janë marrë këto dokumente), shihet qartë se Robert dhe Jolanda Papavrami janë kujdesur jo vetëm për t’i shfajësuar si ambasadorin dhe personelin e ambasadës me të cilin kishin lidhje dhe marrëdhënie tepër korrekte, por dhe për të “mos u armiqësuar” me regjimin komunist të Tiranës, nga i cili çdo gjë mund të pritej?!

Letra në fjalë me tone të zbutura dhe deri diku edhe në formë lutje, duket se ka pasur vetëm një qëllim; atë të mos prekjes së gjyshërve të Tedit që banonin në Tiranë. Pra; që veprimi i tyre, të mos u sillte pasoja, Teodor Papavramit, mjekut të famshëm (në atë kohë ishte me punë në Spitalin ushtarak në Tiranë), që jetonte me bashkëshorten e tij diku në fillim të Rrugës së Dibrës, ne një shtëpi të vogël por mjaft të bukur. Por duket se Robert dhe Jolanda Papavrami, “i kishin bërë hesapet pa hanxhinë”?! Pasi pikërisht aty ku ishte dhe pika më e dobët e tyre, aty u hakmor regjimi komunist i Tiranës. Kështu pas kësaj ngjarje, dy bashkëshortët Papavrami, u hoqën nga shtëpia e tyre dhe u internuan diku në mes malesh në një fshat të humbur të Shqipërisë së Mesme. Ku dhe ndërruan jetë pas pak kohësh, duke u lënë kështu një brengë të madhe, Robertit dhe Jolandës, të cilët do ta vuanin gjatë aty?!

“Çështja Papavrami” në mesin e viteve ’80-të bëri bujë të madhe dhe me të u morën e u angazhuan jo vetëm titullarët më të lartë të Ministrisë së Jashtme, si ministri Reiz Malile, e zëvendësit e tij, por deri te kreu i shtetit, Ramiz Alia, ministri i Brendshëm, Hekuran Isai etj. Gjë e cila konfirmohet edhe nga dosja në fjalë (ka rreth 200 faqe), ku titullari kryesor i Ministrisë së Jashtme, dërgonte me dhjetëra telegrame shifër sekrete, duke udhëzuar me detaje titullarët e ambasadës shqiptare në Paris, për të ndjekur këmba-këmbës familjen “dezertore” Papavrami, kudo ata fshiheshin?! Nga “dosja Papavrami” kemi përzgjedhur dhe po publikojmë disa dokumente që i botojmë të plota dhe pa asnjë shkurtim.

AMBASSADE DE LA REPUBLIQUE POPULAIRE SOCIALISTE D’ALBANIE EN FRANCE 131. RUE DE LA POMPE. PARIS 16 TEL.553-51-32 Nr. Prot 62 Paris më 3 mars 1986 MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTEME (Drejtoria e dytë) T I R A N E Bashkëngjitur ju dërgojmë letrën që ka marrë shoku Maxhun Peka nga Jolanda Papavrami. A M B A S A D O R I

Maxhun Peka

Shënim: Ia dërguam sh. Ramiz dhe sh. Hekuran

LETRA E PRINDERVE TE TEDI PAPAVRAMIT PER AMBASADORIN MAXHUN PEKA

I nderuari shoku Ambasador Ju kërkojmë ndjesë juve personalisht edhe nëpërmjet jush gjithë gjithë personelit të Amabasadës pa përjashtim për këtë shqetësim të jashtëzakonshëm që po ju shkaktojmë. Nën përgjegjësinë tonë personale, po ju njoftojmë se neve vendosëm që të qëndrojmë vetë vullnetarisht në Francë. Bashkëngjitur po ju dërgojmë një letër për sekretarin e Parë të K.Q të PPSH-së, shokun Ramiz Alia, ku janë shpjegur në mënyrë të detajuar, shkaqet e këtij veprimi, që edhe vetë ne e konsiderojmë shumë të shëmtuar ndaj atdheut dhe Shqipërisë.

Me këtë rast për të evituar çdo keqkuptim apo interpretim, vërtetojmë që qëndrimi juaj personal dhe i gjithë punonjësve të Ambasadës pa përjashtimin më të vogël, ka qenë shumë korrekt si në të kaluarën ashtu dhe gjatë kësaj periudhe me neve. Edhe njëherë duke shprehur gjithë keqardhjen më të madhe për këtë shqetësim kaq e shumë që po ju shkaktojmë. Me respect Robert dhe Jolanda Papavrami P.s. Do të mundohemi në një kohë sa më të shkurtër të jetë e mundur që borxhin prej42.000 Fr. të marrë nëpërmjet Amabasadës nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës ta kthejmë sa më korrekt.

LETRA E MINISTRIT REIZ MALILE PER AMBASADORIN PEKA

Urgjent Ambasadës në Paris. Shokut Maxhun Merrni takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me Plezanin. I flisni shkurt për letrën që keni marrë dhe që thuhet se është shkruar nga prindërit e Tedit, për përpjekjet që ju keni bërë për t’u takuar me ta, por që nuk i gjetët në vëndin ku i kanë vendosur për banim autoritetet franceze.

Shprehni shqetësimin dhe habinë për çfarë po ndodh dhe dyshimin e thellë se ndaj Tedit dhe familjes së tij po ushtrohet presion nga forca të panjohura për ne. Bëni një vlerësim të marrdhënieve ShqipëriFrancë, të respektit që ka populli ynë për popul- lin francez, për besimin që keni treguar duke lënë në dorë edukimin e shumë studentëve shqiptarë, etj.

I thoni se letra duket e habitëshme sepse familja Papavrami është e nderuar, vetë Tedi është një talent i rrallë dhe shteti ynë krijoj të gjitha mudnësitë që ai të zhvillojë talentin e tij. Në një moshë fare të njomë ne ia dorzuam autoriteteve franceze, me besim se ata do të tregonin tërë autoritetin e duhur. Tedi, në kujdesin personal të professor Amujalit, sapo filloi të hedhë hapat e para të formimit të tij në fushën e muzikës dhe ka akoma shumë për të bërë gjatë kë- tyre studimeve. Vetë Amujali e mori atë qysh në fillim për ta përgatitur. Ai ishte edhe në Shqipëri ku e pritëm shumë ngrohtë. Ai vazhdimisht premtonte se do ta përgatiste Tedin jo vetëm si muzikant, por edhe si njeri të mirë. Ne gjithçka ja kishim besuar Amujalit dhe autoriteteve francze, bile edhe kur ishte rasti që Tedi duhej të jepte koncerte në Francë apo gjetkë, gjithmonë ja linim atij në dorë të vendoste.

Edhe tani duam të besojmë se autoritetet franceze do ta çojnë deri në fund kujdesin e tyre. Sikurse u thashë, papritur marrim letrën që ju njoftova. Tedi është akoma një fëmi dhe as që mund të gjykojë për veprimin e tij. Dyshojmë se ndaj familjes Papavrami veprohet me forcë dhe me metoda të djallëzuara. Nga kush ne jemi në pamundësi të themi gjë konkrete. Për këtë i lutemi Ministrisë së Jashtëme franceze që të sqarojë sa më parë këtë problem. Në rradhë të parë ne kërkojmë të dimë se çfarë po ndodh me familjen Papavrami. Si janë me shëndet dhe ku janë.

Dua të përsëris se ne ua dorëzuam Tedin autoriteteve franceze me besim të plotë dhe nuk ka dyshim se ato do të dijnë të bëjnë të gjithë përpjekjet që çështja të sqarohet shpejt dhe pa pasoja. Kërkojmë që Tedi të vazhdojë normalisht studimet atje ku ishte nën kujdesin e profesorit të vet ashtu si deri tani. Gjithsesi të jetë nën kujdesin e familjes së tij. Në të njëjten kohë ne do t’u luteshim të merrni masat e duhura në mënyrë që Tedi dhe prindërit e tij të lihen të qetë, që Tedi të vazhdojë rregullisht programin në konservator dhe te mos lejohet që forca keqëdashëse të ushtrojë presion mbi ta.

Në qoftë se Plezani ose kush do t’ju presë do të thotë se ata kanë kërkuar që të qëndrojnë përherë në Francë, shpreh habinë dhe foli me termat e mësipërme, gjithnjë me ton të qetë, duke vënë theksin se kjo është e pamundur të ndodhë me vullnetin e tyre, se duhet të jenë objekt presionesh, sepse Tedi akoma nuk e ka mbaruar konservatorin dhe pas studimeve në të, Ministria jonë e Arsimit dhe Kulturës ka plan që ai të vazhdojë studimet pasuniversitare në Francë.

Gjithashtu vini theksin tek besimi që kemi patur dhe kemi tek autoritetet franceze që ata të japin një zgjidhje të drejtë të këtij problem, veç të tjerave edhe në përgjigjie të besimit që ne u dhamë atyre duke u dhënë këtë fëmi për ta edukuar.

Në fund kërkoni nga francezët që t’u organizojnë sa më parë një takim me familjen Papavrami. Reiz Malile 7.3.1986

Shënim

Ja dërgova shokut Ramiz, ai është dakort Reiz Malile

dokumente

Burimi: http://www.panorama.com.al/publikohen-dokumentet-e-panjohura-te-vitit-1986-papavramet-qendrimi-yne-ne-france-veper-e-shemtuar/

 

Postime të ngjashme