Partia Komuniste e Francës heq simbolin “drapër e çekan”

Partia Komuniste e Francës heq simbolin historik nga stema e saj. Do ta zëvendësojë me yllin pesëcepësh të aleancës europiane të ekstremit të majtë, duke llahtarisur komunistët tradicionalistë të mbetur

Kim Willsher, “Guardian”

Partia Komuniste e Francës vendosi të heqë simbolin e famshëm të draprit dhe çekanit, duke thënë se ky simbol “nuk është kaq i rëndësishëm për një gjeneratë të re komunistësh. Një nga partitë komuniste simbol të botës e hoqi stemën nga kartat e saj të anëtarësisë.

Ajo ka vendosur të zëvendësojë simbolin e bashkimit të fshatarëve me proletariatin e qytetit me një yll me pesë cepa, që përfaqëson të Majtën Europiane, një aleancë e dobët e partive të ekstremit të majtë në Bashkimin Europian, ku përfshihet edhe Fronti i së Majtës që vepron në Francë.

Heqja e stemës u njoftua në Kongresin e 36-të të partisë, që i mbylli punimet të dielën dhe zemëroi shumë tradicionalistët.

“Të gjithë në parti janë të tronditur”, tha Emmanuel Dang Tran, sekretari i partisë për Parisin. “Partia po i lejon vetes që vlerat e saj të kapërdihen nga ndonjë organizatë tjetër”.

Ai shtoi se drapri dhe çekani përfaqësonin një “element historik në rezistencën kundër politikës së kapitalizmit për klasat punëtore të këtij vendi”, dhe akuzoi udhëheqësinë e partisë se është shitur te social demokracia e përbërë nga “të gjelbrit, socialistët, trockistët dhe nuk e di se kush tjetër”.

Pierre Laurent, sekretari i përgjithshëm i partisë e mbrojti vendimin për të braktisur këtë simbol, duke deklaruar se ai nuk përfaqësonte më realitetet e ditëve tona.

“Ne duam të shohim nga e ardhmja”, tha sekretari për një radio lokale. “Është një simbol i rëndë dhe i adhuruar që vijon të përdoret në të gjitha demonstratat tona, por nuk ilustron realitetin e asaj që ne jemi sot. Nuk është kaq i rëndësishëm për një gjeneratë të re komunistësh”.

Partia Komuniste Franceze u themelua më 1920 dhe krijoi një bazë të fortë pushteti gjatë pushtimit të Francës nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore, kur ndikimi i kësaj partie u përhap përmes rezistencës franceze.

Por popullariteti i partisë, e cila në të shkuarën ka pasur shumë ministra në shumë qeveri socialiste, ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Ajo është ende partia më e madhe e krahut të majtë sa i përket anëtarësisë, por ka dështuar të nxjerrë një kandidat për zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar dhe mbështeti Jean-Luc Mélenchon nga Fronti i së Majtës. Ai mori 11 për qind të votave me mbështetjen e Partisë Komuniste.

Sot, Partia Komuniste ka dhjetë deputetë pasi fitoi 6.9 për qind të votave në rang kombëtar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2012. Në kulm të pushtetit të vet ka pasur 28 për qind të votave dhe 182 deputetë.

Çekani përfaqëson proletariatin industrial ndërsa drapri përfaqëson punëtorët bujqësorë apo fshatarët.

Fillimisht simboli ishte drapri dhe plugu, por u ndërrua gjatë revolucionit të vitit 1917 në Rusi dhe u miratua si simbol zyrtar në vitin 1922.

“Është një simbol i rëndë dhe i adhuruar që vijon të përdoret në të gjitha demonstratat tona, por nuk ilustron realitetin e asaj që ne jemi sot. Nuk është kaq i rëndësishëm për një gjeneratë të re komunistësh”.

Historia dhe e sotmja

Drapri dhe Çekani është një simbol që vijon të përdoret nga shumë parti europiane, por në disa vende të Europës Lindore, është i ndaluar ekspozimi i tij në publik, si pasojë e makthit totalitar që mbart. Hungaria, Lituania dhe Moldavia e kanë ndaluar këtë simbol krahas simboleve të tjera komuniste, ndërsa një masë e tillë u propozua por nuk u miratua në Estoni. Në vitin 2010, ministrat e Jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke bënë thirrje për ndalimin e draprit dhe çekanit në të gjithë Europën dhe kërkuan që mohimi i krimeve të komunizmit të trajtohet në të njëjtën mënyrë si mohimi i Holokaustit, pra të konsiderohet vepër penale.

Botuar në gazetën Shqip

Postime të ngjashme