Sigurimi i Shtetit, e vërteta e vrasjeve dhe...
Nga Ferdinand Dervishi | Abc/Story, 12 qershor 21 Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë arritën të mbanin pushtetin për një periudhë relativisht të gjatë. Ishte një pushtet që garantohej nga sistemi...
Nga Ferdinand Dervishi | Abc/Story, 12 qershor 21 Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë arritën të mbanin pushtetin për një periudhë relativisht të gjatë. Ishte një pushtet që garantohej nga sistemi...
By Jonila Godole | Albanian Daily News, 29 July 22 At the time when Enver announced Mehmet Shehu as a poly-agent, an anonymous person had submitted several photocopies of documents...
Nga Ferdinand Dervishi | Panorama, 12, 26, 27 dhe 28 korrik 22 PJESA I Ramiz Alia, ish-Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, menjëherë pas ngjarjes së 2...
Nga Afrim Imaj | Panorama, 2–5–6–7–10 korrik 22 PJESA I Në 8 korrik 1987, komiteti i Partisë së Tiranës informonte Komitetin Qendror të Partisë se të gjitha institucionet artistike të...
Nga Bedri Blloshmi | Gazeta Tema, 28 janar 2019 Lexova këdo ditë në media mirënjohjen e shkrimtarit Zija Çela për Dhimitër Shuteriqin dhe m’u kujtua revolta e vitit 1973 në...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 20 prill 2009 Më 14 shkurt 1990, Dega e Punëve të Brendshme Shkodër dërgon një raport për Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit...
Nga Kastriot Dervishi | The Albanian (Nr.5/6), maj 2009 Në janarin e vitit 1990, organet e Punëve të Brendshme Shkodër vërenin se “elementi armik” i nxitur nga ngjarjet antikomuniste në...
Nga Enver Robelli | Koha Ditore, 6 korrik 22 Kjo Shqipëri është e Qemal Lames, kryehetues i kohës komuniste mes 1982-1992. Ai mund të përqesh viktimat dhe të flasë në...
Nga Sokol Drrasati | Facebook, 6 korrik 22 Unë jam Sokol Drrasati. Më 23 dhjetor 1990 jam akuzuar për veprimtari armiqësore, organizim të protestave të dhunshme me qëllim rrëzimin e...
Nga Kastriot Dervishi | Facebook, 16 dhjetor 16 Më 9 korrik 1946 u nënshkrua në Tiranë, Traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, nga kryeministri Enver Hoxha...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 17 qershor 18 Një prej vrasjeve në kufi gjatë vitit 1990, që i takon moshave të reja, është edhe ajo e Pëllumb Pëllumbit nga...
Nga Mimoza Picari | Zëri i Amerikës, 12 qershor 22 Në Shqipëri të mbijetuar nga burgjet dhe kampet e internimit gjatë diktaturës, rrëfejnë për Zërin e Amerikës, vuajtjet dhe përndjekjet...
Zbulohet dokumenti Tepër Sekret i vitit 1963 i drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Rexhep Kolli, mbi ndjekjen dhe përgjimet që u bëheshin grave bullgare në Tiranë, burrat e të cilave ishin anëtarë partie.
Nga Dashnor Kaloçi
Në fillimin e viteve ’60-të, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore që asokohe quheshin “Demokracitë popullore”, Tirana zyrtare filloi të mbante qëndrim edhe ndaj atyre grave të huaja që ishin në Shqipëri (kryesisht në Tiranë), që ishin martuar dhe kishin krijuar familje me shqiptarë, gjë e cila ishte nxitur nga vetë propaganda zyrtare sipas orientimit të udhëheqjes së lartë të PPSH-së që në fillimin e viteve ’50-të, kur marrëdhëniet e Shqipërisë dhe këtyre vendeve ishin në lulëzim.
Si rezultat i ndryshimit të kursit politik me ato vende, të cilat Tirana zyrtare dhe personalisht Enver Hoxha i akuzonte se “kishin tradhtuar parimet e marksizëm-leninizmit dhe ishin shitur për 30 aspra te Perëndimi”, filloi edhe “gjuetia e shtrigave” ndaj grave të huaja që ishin martuar me shqiptarë.
Shumë prej tyre nga survejimet, presionet, kërcënimet etj., u detyruan të divorcoheshin e ndaheshin me bashkëshortët e tyre shqiptarë dhe të ktheheshin në vendet e tyre prej nga kishin ardhur, si Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Bullgaria, Çekosllavakia, e ndonjë tjetër.
Ata që e kanë jetuar atë kohë tregojnë se në vitet 1961-‘62, diku te Rruga e Kavajës (afër Lidhjes së Shkrimtarëve), gati çdo ditë mbusheshin autobusët me gra të huaja, të cilat në mes lotësh dhe tejet të tronditura shpirtërisht, niseshin drejt Rinasit, duke u larguar përgjithmonë nga bashkëshortët e tyre dhe Shqipëria. (Pas viteve ’90-të, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, do të shkruante “Sorkadhet e trembura”, vepër e cila është përshtatur në një skenar filmi nga kineasti i njohur me famë botërore, Juri Arabov, dhe regjisori Aleksandër Sukurov, duke e realizuar në një film artistik që tashmë është në proces).
Këtë dramë të dhimbshme e kanë përjetuar me dhjetëra e dhjetëra shqiptarë të cilët u detyruan të mbeteshin pa bashkëshortet e tyre të huaja apo dhe fëmijët e tyre, (që udhëtuan me nënat e tyre drejt vendeve të Europës Lindore), si p.sh. Dritëro Agolli, apo skulptori i njohur, Thanas Papa. Pas kësaj, në Shqipëri mbetën një numër i pakët grash të huaja (kryesisht ruse), të cilat ose nuk pranuan të divorcoheshin, ose bashkëshortët e tyre shqiptarë ishin me pozita dhe emra të njohur të artit e kulturës, si p.sh. Avni Mula, Pjetër Gaci etj.
Por edhe ndaj këtyre regjimi komunist e Sigurimi i Shtetit patën një paranojë të jashtëzakonshme dhe nuk e ndaluan asnjëherë survejimin dhe përndjekjen, deri në fundin e viteve ’80-të. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument zyrtar me siglën “Tepër Sekret”, i cili i përket vitit 1963, ku drejtori i Sigurimit të Shtetit, gjeneral-major Rexhep Kolli, informon udhëheqjen e lartë të PPSH-së lidhur me disa gra bullgare që jetonin në Tiranë dhe bashkëshortët e tyre ishin anëtarë partie.
Letra në fjalë i dërgohet Rita Markos, i cili asokohe si sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, mbulonte organet e “Diktaturës së proletariatit”, si dhe Rrapo Dervishit, sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Tiranës dhe njëherësh kandidat i Byrosë Politike.
Ajo që vihet re në këtë dokument, që publikohet për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën TemA, është përgjigjja që ka dhënë Rrapo Dervishi, ku ai i quan “të vonuara” informacionet e Sigurimit të Shtetit, pasi për problemet e ngritura në letrën në fjalë, Partia “kishte marrë masat” me kohë.
Shoku Haki
Po ju dërgoj një kopje të informacionit drejtuar shokut Rrapo, që bën fjalë mbi gratë e huaja në kontakt me funksionarët e legatës Bullgare në Tiranë dhe për burrat e tyre që janë anëtarë partije.
19.XII.1963 Rexhep Kolli
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET
MINISTRIA E MBRENDESHME EKZEMPLAR 1
DREJTORIA E DYTE 20.XII.1963
Nr. 463
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
SHOKUT RITA MARKO
KOMITETIT TE PARTISE SE QYTETIT
SHOKUT RRAPO DERVISHI
T I R A N E
Simbas të dhënave që disponojmë, përpara festës kombëtare të Bullgarisë, 9 Shtatorit, Sekretari i Dytë i Ambasadës Bullgare, Belev, dhe nënpunësi i përfaqësisë tregtare, Maniev, janë munduar të marrin takim me gratë bullgare të martuara me shqiptarë, burrat e të cilave janë A.P (anëtarë partije, shënimi ynë).
1. Liljana Bejleri, Inxhinjere në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, gruaja e Agim Bejlerit, A.P. me punë në Ministrinë e Industrisë, Liljana ka frekuentuar edhe më parë dy herë Ambasadën Bullgare.
2. Jordanka Belinski, profesoreshë e Gjuhës Ruse në shkollën “Çajupi”, gruaja e Kiço Shtikës, përgjegjës i radio-stacionit të Kasharit, sekretar i organizatës bazë të partisë. Përveç këtij rasti, më datën 27.XI.1962, kanë vajtur në shtëpinë e Kiços dy funksionarë të Ambasadës Bullgare, ku kanë qëndruar rreth tre orë, ndërsa më datën 3.VI.1963, Jordanka ka frekuentuar përsëri Ambasadën Bullgare.
3. Teodora Kotoni, e shoqja e Muntaz Kotonit, me punë në Ministrinë e Bujqësisë, Sekretar i Organizatës Bazë të Drejtorisë së Fermave, Teodora ka frekuentuar edhe njëherë Ambasadën Bullgare.
Lejimi i këtyre grave të cilat i kanë burrat e tyre anëtarë partije, me kontakte me funksionarët e legatës revizioniste, është serioze, prandaj jemi të mendimit që këta komunistë të thërriten nga ana e partisë dhe të veprohet ashtu siç shihet e arsyeshme.
DREJTOR I DREJTORISE SE II-të
GJENERAL-MAJOR
(REXHEP KOLLI)
Shënim
Sipas porosisë suaj biseduam me shokun Rrapo.
Komiteti i Partisë së Qytetit, ka vepruar me kohë në këtë drejtim.
Shoku Rrapo tha se Ministrija e Brendëshme, njofton për këtë, me vonesë.
Ishim të një mëndje, se tani me mbledhjet e organizatave bazë për dhënie llogari dhe zgjedhje, të arrihet që komunistë të tillë të mos dalin në udhëheqje të organizatave bazë të partisë.
Shoku Rrapo tha se ka ardhur koha që elementë të tillë dhe të tjerë si këta, të mos jenë në parti. Ai ngriti mundësinë e transferimit të tyre nga qyteti i Tiranës.
Pirro Gusho
—
Tema, 7 shkurt ’18
Titulli origjinal: Zbulohet raporti sekret për përgjimet që u bëhej grave bullgare në Tiranë / Drejtori i Sigurimit: Diplomatët bullgarë, tre orë te shtëpia e Kiço Shtikës në Tiranë…?!