Poloni: do të shkatërrohen 500 monumente me simbole sovjetike

Nga Beqir SINA.

25 vjet mbas rrëzimit të komunizmit, qeveria polake ka në plan prishjen e rreth 500 monumenteve sovjetike të mbetura ende në të gjithë vendin, deklaroi kreu i Institutit të Kujtesës Kombëtare, Lukasz Kaminsky, në një intervistë për portalin në internet Onet.pl.

Kreu i Institutit të Kujtesës Kombëtare, i cili është institucioni përgjegjës për hetimin e krimeve kundër kombit polak, tha se planet për prishjen e monumenteve do të dërgohen në javët e ardhshme në të gjitha zyrat e autoriteteve lokale, në qytetet dhe vend-ndodhjet e këtyre objekteve dhe monumeneteve që kanë mbetur që nga koha e komunizmit në Poloni.

Kaminsky deklaroi se këto monumente duhet të ishin shkatërruar në fillim të viteve 1990, por janë “ruajtuar” mjaft bukur nga dikush që ka pasur nostalgji për to. Ai e quajti ruajtjen e monumenteve të kohës së Komunizmit në Poloni, “një gabimi fatal.”
“Monumentet e kohës së Komunizmit, një pjesë e të cilave do të shkatërrohen, kurse të tjerat do të hiqen nga vendet ku janë dhe do të transferohen në një muze të ngritur për këtë qëllim – shërbejnë për të treguar krimet e komunizmit në Poloni, duke u bërë “një dëshmitar i kohëve të vështira”, tha Kaminsky.

Ai shtoi se këto masa nuk do të zbatohen për varret e ushtarëve sovjetikë, për të cilat Polonia do të vazhdojë të kujdeset, mbasi për këtë ka edhe një marrëveshje mes Institutit të Kujtesës Kombëtare dhe qeverisë. “Të rënët kanë rënë aty ku kanë edhe varret dhe ky nuk është ndonjë faj”, ka thënë Kaminsky.

Përkujtimoret e luftës sovjetike janë lënë në gjendje e keqe dhe janë vandalizuar rregullisht në Poloni, ku roli sovjetik në Luftën e Dytë Botërore është parë me dykuptimësi, si “miqësi apo armiqësi”. Në Rusinë e sotme ish zyrtarë sovjetikë, thonë se Ushtria e Kuqe, e çliroi Poloninë nga pushtimi nazist, prandaj nuk duhet të prishen monumentetet e kohës së komunizmit në Poloni.

Vitin e kaluar Ministria e Jashtme ruse akuzoi Poloninë, se po bënte një “luftë për të shkatërruar monumentert ruse në Poloni”, pasi ata shkatërruan një monument që ishte ngritur për të përkujtuar lidhjen miqësore mes Ushtrisë polake dhe të Ushtrisë së Kuqe, njoftoi RBC.

Po në Shqipëri si paraqitet situata e momumenteve komuniste? Megjithëse ka qenë një nga vendet komuniste, që ka kaluar njërin prej regjimeve më të egër komunist në Europën juglindore, dhe ndoshta edhe në botë, – në paradoks me kohën – 25 vjet, nga koha që ai rregjim ka rënë, ende në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë janë të pa prekura, madje edhe ruhen e mbrohen nga shteti, objekte dhe monumente me simbole komuniste ose që simbolizojnë dhe kujtojnë datat e kohës së komunizmit.

Ato shihen sot si muze, obeliske, monumente, të cilat janë ngritur qysh në atë kohë për përkujtimin e ndonjë date nga ish regjimi komunist në Shqipëri. Sot nga Partia Socialiste e Shqipërisë, kujtohen me nostalgji, ndërkohë që ruhen dhe mbrohen nga kjo qeveri e majtë e cila vendos lule në kujtim të atyre datave, dhe organizon mitingje perkujtimore me ministrat e Ramës dhe protretin e Enver Hoxhës.

Është me të vërtetë për të ardhur keq, sot kur shikon, edhe në Kosovë e trojet shqiptare, në Maqedoni dhe Mal të Zi, që ka mbetur ende, ndonjë rrugë me emra të këtilla të kohës së sundimit titist. Ka dhe objekte, bile ka edhe ndonjë obeliskë, apo munumente të asaj kohe, rrugë me erma sllavo-maqedonas,që të kujtojnë ish Jugosllavinë sllavo komuniste dhe që ende nuk janë shkatërruar në qytetet shqiptare në Maqedoni, si në Tetovë, Strugë, Dibër, Gostivar, Kërçovë, e të tjera.

Në vendet e Evropës Qendrore e Lindore, beteja ndaj ideologjisë komuniste po përpiqet të fitohet jo vetëm me statuja, monumente apo pllaka përkujtimore, por mbi të gjitha me ndërtimin e muzeve, një trashëgimi e domosdoshme për brezat dhe të ardhmen, ku ruhet e nderohet kujtimi i miliona viktimave të saj, por mbi të gjitha dëshmohet se si martirizimi i tyre shërben sot për të kuptuar vlerën e lirisë, të shpresës dhe të drejtave themelore të njeriut.

Në Pragë, Bukuresht, Budapest, Vilnius, Tallin, Bratislavë, Sofie, janë shkatërruar pothuajse të gjitha monumentet me simbole sovjetike. Dhe janë hapur prej vitesh muze për të nderuar qindra mijëra viktima të komunizmit, për të kujtuar terrorin e genocidit që shkaktoi ky regjim.

Mirëpo, në Shqipëri, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste me aleatët e saj, përfshirë dy Partitë Komuniste, ka pasur një kujdes të veçantë për ruajtjen dhe mbrojtjen e objekteve dhe monumenteve të mbetura nga periudha e komunizmit, duke kujtuar edhe datat e tyre.
Qeveria socialiste me të ardhur në pushtet ka organizuar disa herë veprimtari në përkujtim të Enver Hoxhës dhe të datave që përkujtojnë regjimin komunist dhe përhap ide ne lidhje me atë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria me simbolet dhe monumentet e trashëguara nga periudha e komunizmit.

Madje Erjon Velia, sot kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe Kryeministri Edi Rama, kanë kërkuar nga shteti që të rinovohen ato që Rama dhe Veliaj po i quajnë vlera kulturore.

I tillë është edhe rasti me Piramidën e Enver Hoxhës, dhe ai i një bunkeri në mes të Tiranës, që ruhen dhe mirëmbahen, për t’u përdorur, sipas tyre, për vizitorët që vijnë në Tiranë.

Ende, vila e diktatorit Enver Hoxha, mbahet për mbledhje dhe takime të Edi Ramës në Tiranë.

Postime të ngjashme