1979 / Fatos Lubonja para hetuesit: Kampet tuaja...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 14 tetor 20 Fatos Lubonja vuante dënimin për agjitacion e propagandë qysh nga data 25.7.1974. Ai u arrestua më 23.2.1979 së bashku me të dënuar të...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 14 tetor 20 Fatos Lubonja vuante dënimin për agjitacion e propagandë qysh nga data 25.7.1974. Ai u arrestua më 23.2.1979 së bashku me të dënuar të...
Nga Alma Liço | Facebook, 29 gusht 20 Urreva diellin. E si të mos e urreja. Ishte aq përvëlues në vapën e verës, teksa futesha në serën e nxehte të...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 12 gusht 20 Në praktikën e Presidiumit të Kuvendit Popullor të shqyrtimit të faljes së jetës, vihet re se Havzi Nela nuk ka bërë...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 11 gusht 20 Përdorja e një emri të rremë ishte një zakon që komunistët e kishin marrë qysh në vitet ’30, në kuadër të...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 11 gusht 20 Për të parë se si është vepruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në rastin e Havzi Nelës, mjafton të shohim rastin...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 10 gusht 20 Pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi t’i falë jetën, nisi praktika e ekzekutimit. Këtë kohë, praktika nuk përgatitej nga hetuesia pasi ajo...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 9 gusht 20 Pas daljes nga burgu i parë në vitin 1986, Havzi Nela nuk qëndroi shumë kohë i lirë. Komisioni Qendror i Internimit e Dëbimit,...
By Jonila Godole | Exit.al, 27 July 20 The children of dictators do not have it easy. They carry on their backs the arsenal of crimes committed by their parents;...
Nga Frank Shkreli* | Telegraf, 17 korrik 20 Shtjefën Kurti, (24 dhjetor 1898–20 tetor 1971), ishte një prift katolik shqiptar, i ekzekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë një...
Nga Uran Butka | Panorama, 14 korrik 20 Sami Dangëllia është një nga figurat e shquara të kombëtarizimit shqiptar dhe të qëndresës në burgjet e diktaturës komuniste, ku vuajti plot 43...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 12 korrik 20 Sikur të jetonte, sot, më 13 korrik 1920 do festohej 100-vjetori i lindjes së tij. Sami Dangëllia është shembull botëror i vuajtjes...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 10 korrik 20 Martin Camaj u arrestua më 5.5.1948. Akuzohej si bashkëpunëtor i Gjon Lulash Destanishtës. Pesë ditë më vonë, iu zhvillua një proces hetimor...
Nga Arb Elo.
Ndërsa po mëtoja të hidhja këto radhë, m’u bë e qartë se qysh nga viti i largët ’90 s’paskam lexuar për bé asnjë libër të realizmit-socialist. Dhe as kam ndërmend ta bëj këtë vitet që më kanë mbetur për të gjalluar. Dhe, ma do mendja, kjo i ndodh shumëkujt. Pasi realizmi socialist ka vdekur, u bë kohë, realizmi socialist lindi i vdekur e polli të tilla vepra, të vdekura, pa frymë, të stisura, pa asnjë shenjë jete të vërtetë.
Ndërsa para ’90-ës kam lexuar shumë vepra të tilla. Jo se më pëlqenin, apo se pas rënies së diktaturës paskam ndryshuar tërësisht shijet ose parapëlqesat, jo. Thjesht në atë kohë jo vetëm që isha më i ngeshëm dhe se na duhej t’i lexonim më së paku në shkollë, por edhe se në vepra të tilla mund të qëmtoje, kur e po të doje, arsyet e shkaqet e tua për të mos e dashur propagandën dhe ideologjinë e kohës.
“Njeriu i ri” që mëtonte të krijonte Partia; ide e huazuar kjo tjetërkund, si gjithë ideologjia marksiste e leniniste xhanëm; pa çka se në jetën reale nuk u bë i gjallë kurrë, përpos si kriminel e spiun, si kopje jo vetëm e dobët, por edhe e pamoralshme e modelit të tij abstrakt përplot me virtyte, “njeriu i ri” gjallonte për bukuri vetëm në artin e kohës, vepronte me forcë atje me drapër e çekan, me kazmë e me pushkë, dashurohej me vajza familjesh me biografi të mirë (dëshmorësh) apo nga ato që e kishin përkrahur luftën, flinte nëpër baza gjatë kësaj, luftës pra, dhe në banesa modeste pas saj, i rrinte mendja gjithë kohës ose te hallet e popullit, ose si t’ia ngrinte edhe ca rendimentin sidoqoftë tepër të lartë fabrikës ku punonte apo kooperativës ku korrte e shinte, ishte më së pari punëtor, proletar, trim dhe parimor, pastaj edhe fshatar, rrallë intelektual, ishte natyrisht i dhënë, i talentuar për ta lënë jetën për një ideal, për atdhe e parti, porse edhe goxha kënddrejtë, disi katror, me nofulla të prera e hundë me kockë; të paktën kështu jepej në tablotë e pafund në ekspozitat për 25 vjetorin e më vonë të çlirimit dhe në romanet e kohës.
Vetëm koha, Kronosi, ka tagrin dhe ngeshmërinë që të merret me të tilla kimera dhe ashtu ndodhi: a ka më lexues vallë; po të heqim këtu veteranët e parqeve, Hysni Milloshin dhe nostalgjikët e pandreqshëm, që janë shpesh e njëjta gjë; a ka ndonjë lexues akoma vallë, që ta dijë se kush kanë qenë e ç’kanë shkruar Andrea Varfi, Llazar Siliqi, Shevqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Ali Abdihoxha, Kolë Jakova, Loni Papa, Alfred Uçi, Fatmir Gjata e dhjetëra e dhjetëra emra të tjerë, që do të më hanin disa faqe këtu po t’i përmendja të tërë? Sa e tromaksur duhet të jetë një qenie e sotme njerëzore që të lexojë, bie fjala, “Para Agimit” në dy a tre vëllime, “Çlirimtarët”, “Në labirintet e modernizmit”, “Tri ngjyra të kohës”, “Këneta”, etj.?
Mirëpo, nuk ka shumë, një çerek shekulli e ca, e një letërsi e tillë konsiderohej jo vetëm e mirëshkruar, por nga më e mira e shkruar ndonjëherë anëve tona e më gjerë. Ndërsa gjëja më e mirë e shkruar ndonjëherë nga njeriu ishte romani “Nëna” i M. Gorkit.
Do të isha vërtet kureshtar nëse ky roman në kohët tona tërhiqet ende bibliotekave, jo nga studies e kritikë letërsie, por nga lexues normalë, madje do të vija një bast të madh që jo, që gjashtë muajt e fundit, më së paku, në të tërë botën, asnjë njeri i zakonshëm nuk e ka vrarë kohën që i është dhënë për të shfletuar këtë gjëmë. Dhe kur shënoj »gjëmë«, nuk e kam fjalën aspak për ideologjinë; jo, e kam fjalën për skematizmin e frikshëm dhe absurd të kësaj vepre, me të cilin mund të konkuronin veç ca blockbuster-a të Holliwood-it.
Dhe vërtet, nuk do të ishte e kotë një vënie pranë e pranë e “Iron Man”-it, (njeriut të hekurt), nga njëra anë, fjala vjen, dhe “Si u kalit çeliku”, nga ana tjetër. “Superman”-i dhe baba Stalini, Maoja, Enveri, etj. si personazhe artistikë kanë shumë më tepër të përbashkëta se ç’duket në një vështrim të parë: kriptoni i të parit është »e vërteta« e të dytëve, pasi ideologjia e realizmit-socialist pohon as më shumë e as më pak se të qenit në pronësi të një të vërtete fundore, diçkaje ultimative, vezës së Kolombit dhe gurit filozofal në një. Pikërisht ky pozicionim ndaj historisë, njeriut, klasave, shkencës e me radhë, i jep realizmit-socialist një hije të patjetërsueshme prej comic-u, prej mëshimi absolut, prej një universi paralel me këtë tonin, që i ngjan këtij ku jetojmë ne vetëm për nga butaforia, porse heronjtë i ka kryekëput nga zonat mitologjike të një bote tjetër, të sajuar, në mos të sëmurë, prej jermi. I njëjti teprim vihet re pa asnjë mundim në artin e paçartur të një soc.-i tjetër, të nacional-socializmit, që është, me pak nuanca, e njëjta gjë si realizmi-socialist; hiq kryqin e thyer e vër ndonjë copë yll a ndonjë çekan dhe dilet po aty: në asgjëkund, në fiksion të pastër e të frikshëm, që ishte dhe qenkësh problemi.
Të frikshëm, sepse asokohe ky lloj arti e ndikonte jetën e përditshme së prapthi: modelet në jetë e në të folur merreshin nga ky i pari, ndërkohë që arti jepte një version të sublimuar keq të kësaj. Një art i këtillë mund të mbahej në këmbë vetëm duke manipuluar njëkohësisht dhe publikun e tij, duke mbajtur në këmbë me gjilpëra shtetërore e propagandistike një makineri të tërë, një butafori të tërë. Në këtë kuptim, ai ishte një gjigant me këmbë prej argjile.
Me t’iu zbutur këmbët e me të rënë këto, strukturat artificiale të leximit, vlerësimit dhe inkurajimit, me të rënë jeta e ndërtuar kinse sipas modeleve artistike e këto sipas një jete kinse reale, ndonëse qeniet që e popullonin kishin më shumë të përbashkëta me të ashtuquajturit “reptiloidë” në ca teori radikale konspirative (mjaft të lexuara e të komentuara në Tiranën e kohës sonë, kam dëgjuar); me t’iu thyer këmbët pra gjigantit e me t’u shembur ky përdhe nga pesha e vet, ra vetvetiu edhe nevoja për ta analizuar apo kundruar këtë, parë që kundrimi i tij tani siç duhej ishte sidoqoftë thuajse vetiu i pamundur. Kimera të tilla mund të gjallojnë vetëm në bllok, vetëm në bashkëqenie me sistemin që i prodhon e kur ky bie, nuk është as e nevojshme më të merresh me to, pasi ato kanë marrë në qafë veten me ta bërë këtë.
Në këtë kuptim, ky shkrim është i tepërt. Pasi realizmi-socialist jo vetëm që ka vdekur, por nuk i dihet as nami e as nishani, nuk dihet se ku është varrosur. E as nuk i intereson më kujt kjo. As vendvarrimi i tij. Aq sa do të mund t’i interesonte se ku gjendet e varrosur ndonjë kërmë e kësaj bote, ajo e E. Hoxhës, për shembull. Mua jo njëherë, jo në këtë jetë, jo në këtë botë. Jo më.
Burimi: https://peizazhe.com/2017/03/16/kembe-prej-argjili/
Titulli në origjinal: “Këmbë prej argjili”