Zhvillimi ekonomik gjatë periudhës komuniste
Nga Endrit Yzeiraj | Ekon.al, 21 mars 21 Në debatin publik është rikthyer një pyetje që nuk zhduket kollaj: a u zhvillua ekonomikisht Shqipëria gjatë periudhës komuniste, dhe, nëse po,...
Nga Endrit Yzeiraj | Ekon.al, 21 mars 21 Në debatin publik është rikthyer një pyetje që nuk zhduket kollaj: a u zhvillua ekonomikisht Shqipëria gjatë periudhës komuniste, dhe, nëse po,...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 14 tetor 20 Fatos Lubonja vuante dënimin për agjitacion e propagandë qysh nga data 25.7.1974. Ai u arrestua më 23.2.1979 së bashku me të dënuar të...
Nga Alma Liço | Facebook, 29 gusht 20 Urreva diellin. E si të mos e urreja. Ishte aq përvëlues në vapën e verës, teksa futesha në serën e nxehte të...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 12 gusht 20 Në praktikën e Presidiumit të Kuvendit Popullor të shqyrtimit të faljes së jetës, vihet re se Havzi Nela nuk ka bërë...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 11 gusht 20 Përdorja e një emri të rremë ishte një zakon që komunistët e kishin marrë qysh në vitet ’30, në kuadër të...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 11 gusht 20 Për të parë se si është vepruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në rastin e Havzi Nelës, mjafton të shohim rastin...
Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 10 gusht 20 Pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi t’i falë jetën, nisi praktika e ekzekutimit. Këtë kohë, praktika nuk përgatitej nga hetuesia pasi ajo...
Nga Dashnor Kaloçi.
Në fillimin e viteve ’90-të, por edhe më pas, kur filluan të dilnin nga arkivat e shtetit shqiptar dokumentet e para që hidhnin dritë mbi krimet e regjimit komunist, mjaft njerëz, fanatikë të atij regjimi apo jo, me ose pa dije, ndërmjet të tjerash shpreheshin: “Enveri nuk ka firmosur dënime me vdekje…”, “Enveri ka qenë Sekretar i Parë i PPSH-së, dënimet i jepnin gjykatat…”, “Enveri nuk ka lënë gjurmë….”, “Epo luftë ishte aherë, nuk kishte gjykata…”, “Enveri del i larë…”, etj., etj.
Por koha dhe hapja e arkivave tregoi e vërtetoi më së miri të kundërtën e atyre thënieve që cituam më lart…! Enveri jo vetëm që ka firmosur dënime me vdekje, por i ka bërë ato krejt në mënyrë flagrante, duke dalë mbi gjykatat dhe ligjet në fuqi të asaj kohe. Dhe këto dënime me vdekje, ai i ka nënshkruar jo vetëm në periudhën e luftës, (gjëra që tashmë janë të njohura prej vitesh për publikun e gjerë), por ai e ka vazhduar atë gjë, deri vonë në vitet ’50-të.
Ky fakt, veç të tjerash konfirmohet edhe nga këto dokumente arkivore që po botojmë më poshtë në këtë shkrim, (me faksimilet përkatëse), të cilat bëhen publike për herë të parë. Siç shihet edhe nga dokumentet në fjalë, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, në praktikën rutinë të punës së tij, i dërgon shkresat zyrtare në kabinetin e Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH-së, Enver Hoxhës, ku njofton vendimet e Gjykatës Speciale (të krijuar pranë asaj ministrie), Gjykatës së Lartë, apo gjykatave të rretheve, mbi personat që janë dënuar me vdekje prej tyre, për faje politike apo ordinere.
Dhe mbi këto shkresa me vendime gjykatash, Enveri ka shënuar me dorën e shkrimin e tij: “Të pushkatohen”, “Të ekzekutohet”, “Jam dakord me vendimin e gjykatës”.
Po kështu, ka nënshkruar edhe vetë ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu. Dhe vetëm në dy raste, Enver Hoxha ka shkruar: “Mendoj t’i falet jeta” apo “Ta shohë edhe njëherë presidiumi”.
Pra, siç shihet, Enveri dhe Mehmeti kanë qenë mbi gjykatat dhe mbi Presidiumin e Kuvendit Popullor të asaj kohe, organ i vetëm i cili kishte tagrin që të aprovonte apo jo dënimet me vdekje. Dhe si “për të qenë në rregull” me vijën e Partisë, në të gjitha dokumentet në fjalë, shefi i kabinetit të Enver Hoxhës, Haxhi Kroj, ka shënuar: “U njoftua dhe shoku Gogo Nushi”, i cili asokohe mbante detyrën e sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që mbulonte organet e diktaturës së proletariatit.
Një gjë tjetër mjaft e rëndë që shihet nga këto dokumente është fakti se në disa prej tyre, Haxhi Kroj ka shkruar: “Sipas porosisë së shokut Mehmet, të ruhet vetëm në arkiv, pasi veprimet janë kryer”. Gjë e cila do të thotë se personat ishin ekzekutuar përpara se ato shkresa të mbërrinin në kabinetin e Enverit.
Disa nga këto dokumente po i botojmë të plota në këtë shkrim, duke u munduar që të japim sadopak një ide apo panoramë se si ka funksionuar ai regjim ndër vite.
LETRA E SHEFIT TË KABINETIT TË ENVERIT PËR GOGO NUSHIN
Shoku Gogo Mbrëmë shoku Komandant më porositi t’ju njoftoj sa më poshtë: Të dënohen me vdekje: 1. Martin Kol Ndreu nga katundi Mëhill i Pukës, sepse për hakmarrje personale, së bashku me vëllanë e tij, Gjelosh Ndreu, kanë vrarë plakun 70-vjeçar Kol Nikën nga katundi Kaçinar i rrethit të Shkodrës. 2. Avdulla Sheme Zoto nga katundi Milec i rrethit të Kolonjës dhe Tahir Mehmet Kalo nga katundi Milec i Kolonjës, sepse të dy të fundit kanë rënë në lidhje me diversantët të ardhur nga Greqia, janë rekrutuar prej tyre, kanë ngritur grupe në Milec, Lubonjë, e Korçë dhe i kanë drejtuar vetë. Ata kanë dhënë informata me shkrim me karakter politik, ushtarak, dhe ekonomik, janë shpërblyer me flori dhe janë pajisur me armë nga diversantët dhe prisnin t’u vinte edhe një radio transmetuese. Sipas udhëzimeve të diversantëve, kanë menduar të vrasin njerëz të Partisë e të pushtetit dhe ishin gati që po të diktoheshin, të arratiseshin.
Me porosi të Sekretarit të Përgjithshëm të P.P.SH.
(Haxhi Kroi) Tiranë më 10.4.1953
***************
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË V.F.L.P.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTORIA E POLICISË POPULLORE “DEGA E HETUESISË”
SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË P.P.SHQIPËRISË SHOKUT (ENVER HOXHA)
Gjykata e Lartë me vendimin e saj nr.275 datë 3.3.1953 ligjëroi vendimin me vdekje (ekzekutim në litar) Nr. 101. Datë 20/2/1953 të Gjykatës Popullore të rrethit të Tiranës, të dhënë për të pandehurin: Beqir Mancakun, i biri i Mustafait dhe i Gjylqanes, D.L. 1912, lindur dhe banues në Tiranë, me profesion nëpunës pranë N.I.SH. Liqerna, me arsim fillor, me origjinë shtresë e mesme qytetare, pa parti, pa dekorata, i martuar me tre fëmijë me shtetësi dhe kombësi shqiptar, i besimit mysliman, shërbimin ushtarak e ka kryer, i padënuar, porse ka qenë i arratisur në vjetin 1944 për krime të kryera gjatë luftës NÇL dhe i dorëzuar në vjetin 1949 si mbas amnistisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor. I sipër shënuari u dënua me vdekje (ekzekutim në litar) për këto arsye: Se duke qenë si peshues i N.I.SH., Liqerna, kur fshatarët dorëzonin ullinjtë shtetit, i pandehuri u shënonte në listat e dorëzimit sasira më të mëdha ullinjsh se sa në realitet ata dorëzonin, duke u shlyer pa të drejtë atyre detyrimin e ullinjve ndaj shtetit dhe së fundi ata në bazë të listave të dorëzimit të ullinjve, tërhiqnin të hollat, të cilat i përvetësonin dhe i ndanin së bashku, si kundër është rasti i fshatarëve Sefer Qershori, Hasan Arrës, Zyber Arrës dhe Ramiz Picalli, të cilët janë dënuar bashkë me këtë nga 7 deri në 13 vjet. Sasia e ullinjve të përvetësuar prej të pandehurit Beqir janë 106 Kv. Që vlerësohen në 656.800 lekë. Nga këto, shumë janë përvetësuar vetëm prej të pandehurit lekë 442.000 ndërsa pjesa tjetër është e përvetësuar prej tij dhe të pandehurve të tjerë. Krimi i kryer prej të lartëpërmendurit rëndon ekonominë shtetërore, përveç kësaj dhe e kaluara e tij si i arratisur që ka qëndruar për 5 vjet tregon se është armik i betuar i Pushtetit Popullor dhe i rrezikshëm për shoqërinë, prandaj për këto arsye i dënuari me vdekje Beqir Mancaku të ekzekutohet me litar konform vendimit të Gjykatës.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME GJENERAL-LEITNANT (Mehmet Shehu)
******************
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE V.F. L.P.
MINISTRIA E P. BRENDSHME Tiranë TIRANE
Landa: SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM I P.P. SHQIPERISE SHOKUT ENVER HOXHA TIRANE
Ju njoftojmë se Gjykata e Nalt me vendim Nr. 4 datë 29.I. 1953 ligjëroi vendimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës nr. 271 datë 26.12.952 të Vesel Koçi Camaj, i biri i Koçit dhe i Lulës, vjeç 21 i lindun dhe banues në katundin Vuksan-Lekaj të Podgoricës – Jugoslalvi, me profesion bujk dhe gjysëm mekanik, i martuar me një fëmijë, autodidakt, fshatar i mesëm, pa parti, i dënuar në Jugosllavi me 30 muaj burg, arrestuar më datën 30.6.952, dënuar më vdekje me pushkatim se: I pandehuri në vitin 1949 dërgohet në vendin tonë nga UDB-ja nën maskën e emigrantin politik dhe si i tillë, ai ka mbledh informata me karakter ushtarak, politik etj., dhe mandej takohet me xhaxhanë e tij agjent i UDB -së, i dërguar dhe ky nën maskën e emigrantit dhe që të dy së bashku bisedojnë rreth punës armiqësore dhe vendosin të arratisen në Jugosllavi, mbasi simbas mendimit të tyre, e kishin kryer misionin e ngarkuar nga UDBja. Me ndërmjetësinë e Marie Kolës, banuese në Tiranë, takohen me një person të panjohur nga Fieri dhe mbasi armatosen me një revolver prej tij, arratisen në Jugosllavi. I pandehuri mbasi arrin në Jugosllavi, takohet me një agjent të UDB-së dhe mbasi i jep informatat e mbledhura, flet edhe para një mikrofoni, duke çpifur kundra Republikës Popullore të Shqipërisë, ashtu siç e mësonin padronët e tij titistë, çpifje të cilat botohen edhe në gazetën titiste “Pobjeda”. Veprimtaria e të pandehurit nuk mbaron me kaq, si gjatë kohës që qëndron në Jugosllavi ngarkohet nga UDB-ja me detyrë që të vëzhgonte lëvizjet e patriotëve jugosllavë dhe t’ia raportonte asaj, detyrë të cilën e kreu. Mbasi kryen të gjitha këto detyra, dërgohet përsëri në Shqipëri për qëllime spiunazhi dhe udhëzohet nga UDB-ja që të paraqitet sikur iku nga Jugosllavia, gjoja për t’i shpëtuar persekutimit të saj. Por nuk mundi që t’ia arrijë dot qëllimit, mbasi porsa hyri në tokën tonë, u arrestua nga organet e Sigurimit të Shtetit. I pandehuri besnik deri në fund ndaj UDB-së, duke qenë i mbyllur në burg, u thotë të burgosurve se s’kanë ça më bëjnë pa fakte, do të më lirojnë, ose do të më shpien në kamp, por sido që të bëhet, përsëri do të iki dhe në fakt prish dorezën e burgut, shpërthen tavanin dhe ikën nga burgu, por përsëri kapet. Për fajin e kryer dhe rrezikshmërinë e theksueme shoqërore jemi të mendimit që të ekzekutohet konform vendimit të gjykatës.
MINISTRI I P. MBRENDESHME GJENERAL-LEITNANT MEHMET SHEHU
Dakord me propozimin. Enver (firma) U njoftue dhe shoku Gogo Nushi. Më 12.3.1953
**********************
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE V.F.L. P. MINISTRIA E P. TE BRENDSHME
Drejtoria e Sig. të Shtetit Nr……….. Të Res.
SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM TE P.P. SHQIPERISE SHOKUT ENVER HOXHA TIRANE
Gjykata Speciale e Ministrisë së P. të Brendshme me vendimin e saj nr… dt. 2.2.1953, dënoi me vdekje me pushkatim: Gani Posa, i biri i Ibrahimit dhe i Nazes, lindur në katundin Gërmenj të Durrësit më 1928, fshatar i varfër, polic popullor me shërbim në Degën e P. Brendshme të Tiranës, shtetësi dhe kombësi shqiptare. I dënuar se: Duke qenë i ngarkuar me ruajtjen e disa diversantëve, bie në marrëveshje me njërin prej tyre, rekrutohet prej tij dhe në mbrëmjen e datës 28 tetor 1952, të dy bashkë, duke qenë i armatosur, dalin nga Dega e Punëve të Brendshme të Tiranës dhe arratisen duke tentuar të kalojnë në Jugosllavi, por të ndjekur nga forcat tona, në datën 2.XI.1952. Diversanti vritet, ndërsa ky kapet i gjallë. Për tradhtinë që bëri, jemi të mendimit të ekzekutohet sipas vendimit të gjykatës.
Të ekzekutohet, Enver (firma)
U njoftua shoku Gogo Nushi
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME GJENERAL-LEITNAT MEHMET SHEHU
**********************
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE V.F. L. P. MINISTRIA E P. TE BRENDSHME
Tiranë më 1953 Nr…. Prot.
SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM TE P.P. SHQIPERISE SHOKUT ENVER HOXHA TIRANE
Ju njoftojmë se Gjykata e Lartë me vendimin e saj nr. 3 datë V.I.1953 ligjëroi vendimin me vdekje nr. 166, datë 13.12.1952 të dhënë nga Gjykata Popullore e rrethit Berat për të pandehurit:
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME GJENERAL-LEITNAT MEHMET SHEHU
Të ekzekutohen të tre – M.Sh (firma e Mehmet Shehut). Sipas porosisë së shokut Mehmet, të ruhen vetëm në arkiv, pasi veprimet janë kryer. 2.2.1953.
**************
Burimi: Lapsi.al