Urdhri i Mehmet Shehut: Si u vranë 22 veta në masakrën e Martaneshit

Çeta e Martaneshit në Byshek, 1912

Nga Uran Butka | BalkanWeb, 16 shkurt 16

Një nga masakrat më të shëmtuara të Mehmet Shehut dhe të Dushan Mugoshës ishte ajo e Martaneshit, më 5 mars 1944. Brigada I marshonte nga Kaptina në Shëngjerg. Në fshatin Peshk pati një shkëmbim zjarri në largësi, që shkaktoi vrasjen e një partizani, Kamber Sadikut. Me urdhër të M.Shehut, partizanët u futën në çdo shtëpi të fshatit dhe arrestuan burrat që gjetën, nga një për çdo shtëpi, ndoshta edhe më tepër. Pleqtë dhe gratë vikasnin: “Pse i merrni lidhur? S’kanë bërë asgjë të keqe? Partizanë apo ballistë jeni? Kështu s’i ka marrë as gjermani!

I rreshtuan për t’i pushkatuar, por doli nga radhët partizane zv/komandanti i batalionit partizan të Martaneshit Hysen Peshku dhe kundërshtoi: “Këta janë të pafajshëm, shoku komandant! Këta që janë rreshtuar për t’u pushkatuar, shumica janë baballarë e vëllezër të partizanëve të çetës së Martaneshit, nuk janë armiq.” Mehmeti dha urdhër që të rreshtohej edhe ai bashkë me ta dhe dha urdhër për zjarr. Kështu u vranë 22 njerëz krejt të pafajshëm, me në krye kryeplakun e tyre, Rremë Çelën. Viktimat e tjerë ishin: Hysen Peshku, Ibrahim Çela, Musa Balla, Fejzulla Grica, Shaban Grica, Rexhep Grica, Riza Grica, Abdulla Grica, Sulë Balla, Asllan Gurra, Ali Gjoka, Qerim Gjoka, Sulë Peshku, Kamber Peshku, Islam Çela, Liman Hasballa, Isa Çela, Gëzim Koçi.

Më pas M.Shehu u përpoq t’i lante disi duart nga kjo përgjakje, kur shkruan se “partizanët e Brigadës I luftuan 6 orë me xhandarët e Abaz Kupit dhe tradhtarët e Martaneshit, se në Martanesh pushkatuam 25 xhandarë e ballistë”, ndërsa historianët e justifikojnë: “Martaneshi i djegur si bazë e partizanëve, si një pishtar i lëvizjes, që i kish dhënë dërmën aty e një viti më parë ushtrisë fashiste italiane, tani po i kthente pushkën Ushtrisë NÇ. Gjithçka tregonte se Brigada nuk mund të dilte nga Martaneshi pa u ndeshur me armiqtë… Një ndikim veçanërisht të madh në shpartallimin e armiqve në Martanesh, pati pushkatimi, pas një gjyqi të shkurtër partizan, i disa reaksionarëve të kapur robër. Pasoja e saj pozitive u ndie menjëherë.

Në radhë të parë, Martaneshi nuk ka qenë asnjëherë bazë e ndikimit të A.Kupit dhe se A.Kupi nuk ka pasur as luftëtarë e as xhandarë në Martanesh… Martaneshi ka qenë një krahinë më tradita patriotike dhe luftarake, vatër e lirisë dhe e luftës antifashiste. Martaneshi nuk i ka kthyer pushkën Ushtrisë NÇ, siç thuhet në Historinë e Luftës NÇ, por nacionalçlirimtarja i ktheu pushkën Martaneshit, duke pushkatuar 25 njerëz të pafajshëm, mandej pushteti komunist e quajti krahinë reaksionare dhe e persekutoi për këtë shkak për 50 vjet me radhë.

Së dyti, nuk u bë asnjë gjyq, madje edhe vetë M.Shehu në veprën e vet të parë, nuk pretendon se është bërë një gjyq. E thonë falsifikatorët e historisë, ata që e justifikojnë këtë masakër kolektive: “Brigada I nuk mund të dilte nga Martaneshi pa u ndeshur me armiqtë.

Së fundi, e quajnë me ndikim veçanërisht të madh këtë masakër për shpartallimin e armiqve, sikur këta të ishin pushtues të huaj dhe jo fshatarë martaneshas. E quajnë me “pasoja pozitive” pushkatimin e 22 njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm të Martaneshit! Po a ka masakër me pasoja pozitive? Kjo është mendësia, strategjia e praktika e drejtuesve komunistë të PKSH, të cilët e përcollën këtë strategji e praktikë terroriste edhe në strategjinë e praktikën Luftës NÇ.


* Marrë me shkurtime nga artikulli origjinal.

Postime të ngjashme