Nga Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë
vijon nga Pjesa I
“… Këta me veprimet e tyre bëhen anëtar direkt të sajë dhe në bazë te nenit 27 të KP sjellin të njëjtën përgjegjësi penale me anëtarët e tjerë të arratisur me ata që janë anëtar direkt të krimeve/ për këtë arsye ligjore edhe këta të pandehur janë përgjegjës penalisht për vrasjen e shokut Bardhok Biba…”
Dosja e masakrës së Qafë-Valmirit ka shumë dokumente të palexueshme, të dëmtuara nga 73 vitet që kanë kaluar prej gushtit 1949. Shpesh emrat apo mbiemrat e 14 të vrarëve janë shkruar të pasaktë, ndërsa nga dosja kuptohet pak se mbi çfarë kriteresh i zgjodhi viktimat shteti komunist. Përtej lidhjeve familjare me të arratisurit që ishin kundërshtarë të regjimit, arsyetohet “shpërndarja gjeografike” e terrorit komunist në Mirditë nëse vihen re edhe ngjarjet mes vrasjes së Bardhok Bibës dhe hakmarrjes për të, me 14 jetë të marra nën terror dhe me shpejtësi.
Dy ditë pas vrasjes së sekretarit politik të komunistëve, më 9 gusht 1949, në Rrëshen shkon zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i KQ i PPSH-së, Mehmet Shehu. Ndërsa i nis një telegram Tiranës, ai kërkon të njoftohet Enver Hoxha dhe thotë se për dy ditë do të ndërmerrej operacion në 33 nga 44 fshatra të zonës, ku do të arrestoheshin:
- 31 të kategorisë së parë (për dënime me vdekje)
- 84 të kategorisë së dytë (për dënime me burgim)
- 17 të kategorisë së tretë (për internime në kampin e Tepelenës)
Vendimi për terror ishte marrë! Prokurori kishte aktakuzë për 26 veta, prej të cilëve 14 do të dënoheshin me vdekje e të tjerë me burg.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, BIlbil Klosi, kërkon lënien në fuqi të vendimit për dënimet me vdekje
Më 16.8.1949, të dënuarit me vdekje i drejtohen Presidiumit të Kuvendit Popullor me një letër lutjeje për faljen e jetës. Më 17.8.1949, kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, nënkolonel Biblil Klosi, njofton Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare se asnjë prej të dënuarve nuk lidhej me aksionin e vrasjes së Bardhok Bibës, por në gjykimin e tij ata ishin “strehues, ndihmësa e bashkëpunëtorë direkt ose indirekt me bandën e kriminelëve të arratisur që ndodhen në arrati në krahinën e Mirditës”. Brenda së njëjtës ditë, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, me nënshkrimin e zëvendësministrit e gjeneral-majorit Hysni Kapo, kthen përgjigje se ishte dakord me opinionin e Bilbil Klosit.

Të pandehurit kërkojnë t’u falet jeta
I gjithë procesi i zhvilluar në kohë rekord ilustrohet qartazi edhe në aktakuzë, ku pranohet se gjyqi është një farsë e hapur dhe bëhet thjesht për procedurë:
“Mbasi të gjykohen me shpejtësinë më të madhe proceduriale dhe të formohet bindja për fajsinë e tyre të dënohet në bazë të nenit 4 të ligjës nr.372.”
Më shumë se proces, gjyqi i ngjan një procedure “për të krijuar bindjen për fajësinë”, që megjithatë nuk krijohet, sepse dosja hetimore, e cila në pamje të parë duket shumë voluminoze, nuk i fakton lidhjet e tyre me elementë armiq të kohës, as nuk i qartëson kriteret mbi të cilat u morën të pandehur. As prokurori, as Gjykata e Lartë nuk ofrojnë argumente bindëse – qoftë as për kohën së cilës i referohemi, qoftë argumente të zakonta e krejtësisht propagandistike, siç gjenden në raste të ngjashme – për të legjitimuar dënimet me vdekje.

Vendimi i gjykatës – Deklarimi i fajtorëve
Megjithëkëtë presidiumi i Kuvendit Popullor nuk i mori parasysh lutjet e të dënuarve. Brenda të njëjtës ditë ata u çuan dy orë larg nga Rrësheni për t’u ekzekutuar para një turme e cila ishte organizuar për të parë fatin që i priste nëse do të ngrinin krye. Në fakt, ndërsa letra e Kuvendit Popullor vjen nga Tirana në Rrëshen, ata po ekzekutohen, çka e bën edhe këtë një tjetër procedurë. Ekzekutimet u kryen me publik të porositur dhe në mesin e tyre kishte edhe të afërm të viktimave që i kishin shpëtuar internimit. Së pari u ekzekutuan të dënuarit me varje në litar, dhe më pas ata me pushkatim, në një skenë terrori ku edhe arma që përdorej për pushkatimet, ngecte.
Aktakuza
Aktakuza e prokurorit Misto Bllaci përmbledh shkurtimisht pretekstin zyrtar mbi të cilin u morën 14 jetë. Si strehues të kundërshtarëve të regjimit, ata cilësohen njësoj fajtorë me ata që ekzekutuan Bardhok Bibën:
“… të njëjtën përgjegjësi penale me anëtarët e tjerë të arratisur me ata që janë anëtar direkt të krimeve / për këtë arsye ligjore edhe këta të pandehur janë përgjegjës penalisht për vrasjen e shokut Bardhok Biba…”
Ndonëse aktakuza nuk përmend autorët e drejtpërdrejtë të vrasjes së sekretarit politik të komunistëve në Mirditë dhe flet vetëm për banda, bashkon njëherësh me viktimat e zgjedhura Lindjen e Perëndimin, kur shkruhet se “sillen si të pandehur i bashkëpunëtorëve të arratisur dhe i patronve të tyre imperialistave anglo amerikanë dhe trockistëve të Beogradit”.
Aktakuza pranon po aq hapur se dënimet pushteti po i bën në hakmarrje për një militant të vetin:
“Në këtë vepër asht paditur direkt autoriteti i pushtetit pse në fytyrën e shokut Bardhok u vra një përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor, organ e kuadro i çmuar i Partisë së Punës që udhëheq popullin drejt socializmit, u vra një militant i vendosur në kauzën e popullit.”

Aktakuza
AKT_AKUZE
Gjykatës së Naltë Ushtarake
Tiranë
Të pandehurit (26 emra)
Akuzohen se,
Kanë bashkëpunuar me bandat kriminale t’arratisurish dhe kanë ndihmuar që këto të plotësojnë planin e tyre armiqësor për të rrëzuar organizimin e pushtetit shtetëror.
Në vargun e krimeve si vrasje, djegie, plaçkitje, të kryera nga këto banda që janë ndihmuar nga të gjitha këta të pandehur shtohet edhe akti i poshtër dhe i shëmtuar i vrasjes së deputetit të Popullit dhe Sekretarit Politik të Komitetit të Partis Punës të Shqipërisë për rrethi e Rrëshenit Shokut Bardhok Biba ndodhur në datën 7 gusht 1949 në vendin e quajtur Qafa e Valmenit ndërmjet katundeve Peshqesh, Simon e Kaçinarë.
Veprimtaria kriminale e bandës drejtuar nga armiqtë e popullit Ndue Bajraktari dhe Ndue Pjetër Gjonmarkaj nuk do të kishte aspak mundësi të zhvillohesh në vendin tonë që e drejton një pushtet popullor i fortë po të mos ndihmoheshin këta nga armiqtë e pushtetit që punojnë fshehtas dhe u japin ndihmën e plotë për ekzistencën këtyre bandave duke u bërë bashkëpunëtorë të tyre por të padeklaruar në sy të popullit. Të pandehurit janë nga këta armiq të pushtetit që ndjekin planet e bandës në fjalë solidarizohen me qëllimet e tyre antipushtet, japin ndihmë materiale e morale si strehim, ushqim, ndërlidhje etj por qëndrojnë për të maskuar veprimtarinë e tyre armike dhe kriminale të padeklaruar si efektivë të kësaj bande. Në realitet këta me veprimet e tyre bëhen anëtar direkt të sajë dhe në bazë te nenit 27 të KP sjellin të njëjtën përgjegjësi penale me anëtarët e tjerë të arratisur me ata që janë anëtar direkt të krimeve/ për këtë arsye ligjore edhe këta të pandehur janë përgjegjës penalisht për vrasjen e shokut Bardhok Biba.
Vrasja e Shokut Bardhok nuk është vetëm një akt kriminal i çkëputun. Në të tregohet e manifestohen programi antipopullor, skllavëronjës e i poshtër i armiqve që sillen si të pandehur i bashkëpunëtorëve të arratisur dhe i patronve të tyre imperialistave anglo amerikanë dhe trockistëve të Beogradit. Në këtë vepër asht paditur direkt autoriteti i pushtetit pse në fytyrën e shokut Bardhok u vra një përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor, organ e kuadro i çmuar i Partisë së Punës që udhëheq popullin drejt socializmit, u vra një militant i vendosur në kauzën e popullit.
Pikërisht për këtë vrasje të shëmtuar ka një karakter të theksuar armiqësor dhe antipopullor dhe formon rrezikshmëri shoqërore duke treguar rrezikshmërinë e gjithë të pandehurve.

Aktakuza, f.2
Me qenë se këto fakte provohen nga lidhjet që kanë të pandehurit me të arratisurit nga veprimtaria e tyre e kaluar armiqësore ndaj popullit e pushtetit nga përbërja shoqnore e disave që rrjedhin nga shtresa të nalta dhe bajraktarë dhe pjesërisht nga procesverbalet e mbajtura kundra tyre.
Me qenë së fajet e tyre parashikohen nga neni 3 nr 7 e 12 i ligjës nr.372 dt.12.12.1946 mbi fajet penale kundra shtetit e popullit dhe me qenë se simbas nenit 12 të ligjës së sipërshënuar kjo çështje ka rëndësi të veçantë prandaj ju referojmë direkt për gjykim dhe
Kërkojmë
Mbasi të gjykohen me shpejtësinë më të madhe proceduriale dhe të formohet bindja për fajsinë e tyre të dënohet në bazë të nenit 4 të ligjës nr.372.
Tiranë, më 15.VIII.1949
Nd.Prokurori i Ushtris Kombtare Shqiptare
Major Misto Bllaci
Firma
* Ky artikull është pjesë e një serie të shkruar nga gazetarja Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në kuadrin e përkujtimit të 73-vjetorit të Masakrës së Qafë-Valmirit. Te Observatori i Kujtesës gjeni edhe ekspozitën me titull “Masakra e Qafë-Valmirit”.













