2 gusht 1943
Nisi punimet Kuvendi Kombëtar i Mukjes, ku morën pjesë delegacionet e dy organizatave politike: Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar, dy organizata të kundërta, madje armiqësore, por që i bashkoi çështja madhore e luftës kundër pushtuesve nazifashistë dhe e ardhmja e Shqipërisë. Vendimet e rëndësishme të Marrëveshjes së Mukjes për një luftë të përbashkët kundër pushtuesve, në krah të Aleatëve të mëdhenj antifashistë, për një Shqipëri të lirë, demokratike, etnike dhe popullore, u prishën nga PKSH me nxitjen e PK -së Jugosllave.
2 gusht 1949
Agresioni ushtarak i ushtrisë greke i 2 gushtit 1949, i njohur si Provokacionet e Gushtit kundër Shqipërisë në kufijtë shtetërorë të Bilishtit, Leskovikut dhe Konispolit, por që u zmbraps nga forcat ushtarake të Shqipërisë.
4 gusht 1943
Beteja e përbashkët e çetave partizane dhe çetave të Ballit Kombëtar, nën komandën e major Abaz Kupit, të nesërmen e arritjes së Marrëveshjes së Mukjes, kundër ushtrisë italiane në afërsi të Qafë-Shtamës, që përfundoi me shpartallimin e plotë të saj. Në komunikatën e Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë thuhet: Humbjet e armikut janë 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A. P. Scarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje e fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 Prillit 1939″.
6 gusht 1913
U botua gazeta e parë shqiptare pas shpalljes së Pavarësisë “Përlindj’e Shqipnies”, organ i qeverisë shqiptare, nën drejtimin e Luigj Gurakuqit. Gjatë periudhës së Pavarësisë u botuan disa gazeta brenda dhe jashtë Shqipërisë si: “Koha”, “Zër’i Popullit”, “Ushtimi i Krujës”, “Besa shqiptare”, “Përparimi”, gazeta “Dielli” organ i “Vatrës” në SHBA, etj.
8 gusht 1991
Zbarkon në Brindisi të Italisë me 20 000 shqiptarë në bord, Anija tregtare “Vlora”. Kjo anije ishte nisur nga Porti i Durrësit dhe pas një odiseje në Detin Adriatik mbërrin në Itali. Ishte vala më e madhe me emigrantë të ardhur me një anije të vetme e regjistruar ndonjëherë në historinë e shtetit italian.
10 gusht 1988
Më 10 gusht 1988, poeti Havzi Nela u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit. Trupi i tij u ekspozua gjatë gjithë ditës, ndërsa në mesnatë kufoma e tij u varros vertikalisht në gropën e krijuar nga heqja e një shtylle druri. Më vonë, ai është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”.
13 gusht 1933
Vrasja politike e personalitetit të shquar të Lëvizjes kombëtare shqiptare, deputetit, atdhetarit dhe demokratit- revolucionar Hasan Prishtina në Selanik (lindi më 1873 në Vushtri të Kosovës).
13 gusht 1943
Beteja e parë e rëndësishme kundër pushtuesve gjermanë në Shqipëri, është lufta e çetave nacionaliste të Safet Butkës në Grykat e Barmashit në Kolonjë, më 13 gusht 1943. Kjo betejë u realizua sipas marrëveshjes së prof. Safet Butkës dhe britanikut Bill Maklin, shef i Misionit Anglez më datën 8 gusht. Vëzhgues dhe njëkohësisht luftëtar ishte kapiteni anglez Deivid Smajl, që e përshkruan me hollësi këtë luftë, e para në Shqipëri kundër pushtuesve gjermanë, në librin “Me detyrë në Shqipëri”. Çetat nacionaliste të Kolonjës i shkaktuan autokolonës gjermane dëme të konsiderueshme: u dogjën 4 autoblinda, një top dhe u vranë 25 ushtarë gjermanë.
13 gusht 1961
Republika Demokratike e Gjermanisë filloi ndërtimin e Murit të Berlinit, simbol i Luftës së Ftohtë që e ndau botën në dy kampe, në Perëndimin demokratik dhe Lindjen komuniste.
13 gusht 1983
Ndërron jetë në internim Musine Kokalari. Musineja më 1937 mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin. Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943 Partinë Social-Demokrate. Më 12 nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq, vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke qenë themeluese e partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si “sabotatore” dhe “armike e popullit”. Më 1961, pas 18 viteve dënim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 22 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni deri dhe kur vdiq.
14 gusht 1924
Marrëveshja N. Pashiç-A. Zogu, marrëveshje antishtetërore dhe antikombëtare që e vinte Shqipërinë në vasalitet të plotë ndaj Jugosllavisë në të gjitha fushat: politike, diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe kombëtare (në nenin 10 të saj thuhet: Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës së Paqes në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitet mbi Shën Naumin dhe lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit, që mbeten në zotërim të Jugosllavisë).
14 gusht 1935
Rebelimi antiqeveritar i Fierit.Qysh në vitin 1934 ishte krijuar një organizatë e fshehtë antizogiste heterogjene me qendër në Tiranë dhe me degë në disa qytete e krahina të tjera. Në vitin 1935, organizata vendosi të bënte një lëvizje të fshehtë për të rrëzuar qeverinë e Zogut. Plani ishte që rebelimi të shpërthente në Tiranë e të përhapej në pjesën tjetër të vendit, por nga organizimi i dobët ajo ndodhi vetëm në Fier, prandaj mbeti në histori me emrin Lëvizja e Fierit. Ajo dështoi dhe pjesëmarrësit u ndëshkuan me dënime të rënda, por që më pas Mbreti Zog i fali.
14 gusht 1989
Nënë Tereza viziton Shqipërinë për herë të parë pas largimit të saj. Në vitet e mëparshme, asaj i ishte refuzuar rregullisht të vizitonte të ëmën dhe të motrën, të cilat banonin në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, ajo ndaloi tek varri i nënës dhe i motrës dhe po ashtu te varri i diktatorit Enver Hoxha.
17 gusht 1949
Masakra komuniste në Valmirë të Mirditës, si një hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, sekretar i PK-së të Mirditës dhe deputet i saj në Kuvendin Popullor nga Komiteti i Maleve. Më 17 gusht, përpara qindra mirditorëve të arrestuar nga gjithë Mirdita për terror, u varën në litar katër mirditorë të pafajshëm dhe u pushkatuan 10 të tjerë, që s’kishin lidhje me vrasjen e B. Bibës.
17 gusht 1958
Më 17 gusht 1958 u shfaq premiera e filmit “Tana” qё njihet si filmi i parë artistik shqiptar i prodhuar nga “Shqipëria Film”, më pas Kinostudioja “Shqipëria e Re”.
22 gusht 1946
Shpallet vendosja e sistemit të triskëtimit me justifikimin për të disiplinuar shpërndarjen e drejtë dhe të rregullt të sendeve ushqimore.
23 gusht 1939
Data e nënshkrimit të paktit Molotov-Ribbentrop mes Hitlerit dhe Stalinit që e ndau Europën Lindore në sfera të ndikimit njihet prej vitit 2009 me vendim të Parlamentit Europian si “Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, Stalinizmit dhe Nazizmit”.
25 gusht 1928
Asambleja Kushtetuese, e dalë nga zgjedhjet e gushtit 1928 filloi punimet, më 25 gusht 1928 dhe miratoi ndryshimet kushtetuese, që sanksiononin ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki konstitucionale. Ky projekt kushtetues u hodh në votim në Asamblenë Kushtetuese, e cila më 30 Gusht 1928 vendosi që Shqipëria të shpallej “Mbretëri demokratike, parlamentare, e trashëgueshme”. Asambleja Kushtetuese u kthye në parlament më 1 dhjetor 1928 dhe miratoi kodin civil, penal dhe tregtar, një Kod të Procedurës Civile, si edhe një ligj për heqjen e ferexhesë, ligje këto që shënuan një shkëputje përfundimtare nga legjislacioni i periudhës osmane. Parlamenti i viteve 1928–1939 u quajt “parlamenti reformist i shtetit modern shqiptar”. Por jo demokratik, si ai i viteve 1921–1924, sepse nuk mundësonte opozitë të institucionalizuar.
25 gusht 1945
Kryesia e KANÇ shpall ligjin “Mbi reformën agrare”. Me këtë ligj shpronësoheshin detyrimisht çifligjet e shtetit, pronat bujqësore të konfiskuara, pronat bujqësore private dhe fetare, tokat e të instaluarve nga reforma agrare e Mbretit Zog, ullinjtë, vreshtat dhe pemishtet e konfiskuara, godinat bujqësore dhe vjegësat e tyre që ndodheshin në tokat e të shpronësuarve, pendët e punës dhe veglat bujqësore që ndodheshin në posedim të fshatarëve në tokat e shpronësuara.
26 gusht 1949
U shpall në Paris formimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, nën kryesinë e patriotit të njohur Mit’hat Frashëri. Komiteti, në rolin e një qeverie në mërgim, i mbështetur nga anglo-amerikanët, do drejtohej nga një Komitet Ekzekutiv nën kryesinë e Mit’hat Frashërit me anëtarë Abaz Kupin, Seit Kryeziun, Zef Palin dhe Nuçi Kotën dhe do ta kishte selinë në New York. Pranë tij, funksiononte dhe një Komitet i Përgjithshëm Konsultativ, me përbërje më të gjerë, i kryesuar nga Abaz Kupi me dy zëvendës: Abaz Ermenjin dhe Seit Kryeziun dhe sekretar Gaqo Gogo. Në deklaratën e dhënë në BBC, Londër, shtator 1949, Mid’hat Frashëri theksonte se qëllimi i KKSHL ishte lufta për të fituar pavarësinë e Shqipërisë, për të siguruar sovranitetin dhe shpëtimin nga regjimi komunist.
30 gusht 1967
Në bazë të raportit informativ “Mbi Rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj”, në Shqipëri ishin shkatërruar gjithsej 2 169 faltore, prej të cilave 740 xhami, 609 kisha ortodokse, 158 kisha katolike e 530 teqe.
30 gusht 2021
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ndihej krenar për vëmendjen që qeveria e tij u ka kushtuar ish-të përndjekurve të diktaturës duke i dëmshpërblyer plotësisht ata që vuajtën në burgje. Qeveria Rama 1 dhe 2 vendosën të japin shpërblime vetëm për ish-të burgosurit politikë që jetojnë bazuar në listat që gjetën nga qeveria e mëparshme më 2013, por përjashtuan kategoritë e tjera si të internuarit etj.
30 gusht
Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Dhunë e shpallur me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara prej vitit 2011.











