4 maj 1950
Miratohet Statuti i ri i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
8 maj 1990
Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi ndryshimin në Kodin Penal, sipas të cilit kalimi i kufirit nuk konsiderohej më tradhti ndaj atdheut. Pavarësisht këtij ndryshimi, mbi 54 persona të pafajshëm mendohet të jenë vrarë nga forcat e kufirit vetëm gjatë vitit 1990.
11 maj 1992
Nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit me BE, e cila hyri në fuqi më 1 dhjetor 1992. Po në këtë periudhë, Shqipëria përfshihet në Sistemin e Përgjithshëm të Preferencave (GSP), i cili përfaqësonte një regjim preferencash tregtare që BE-ja u ofronte një numri të gjerë vendesh me të cilat ajo kishte marrëdhënie kontraktuale. Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit e 11 majit 1992 i krijoi mundësinë Shqipërisë që të përfitojë nga fondet e programit PHARE.
16 maj 1947
Shkrimtari Mitrush Kuteli u arrestua për “agjitacion e propagandë” dhe u dënua me 5 vite burg. Dënimin e vuajti në Kampin e Vloçishtit. U lirua me falje në maj 1949, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë.
18 maj 1945
Miratohet ligji “Mbi likuidimin e pasurisë së bashkëdhënësve debitorë kundrejt arkës së shtetit për tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës”.
18 maj 1999
Vizita e parë e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Blair, në Shqipëri më 18 maj 1999, në kohën e krizës së madhe të Serbisë së Milosheviçit dhe shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre. Kryeministri Toni Blair do të ishte britaniku që do të ndërhynte në momentin më delikat të historisë europiane për fatin e shqiptarëve në Ballkan gjatë Luftës së Kosovës.
21 maj 1973
Shpërthen revolta më e madhe kundër regjimit nga të dënuarit politikë në burgun famëkeq të Spaçit. Të dënuarit u ngritën kundër trajtimit mizor që u bëhej dhe hodhën parulla për një Shqipëri të lirë. Pas shtypjes me dhunë të “Revoltës së Spaçit” u dënuan me vdekje 4 të burgosur, Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja dhe u ridënuan 111 të burgosur të tjerë.
22 maj 1984
Shpërthen një revoltë në Burgun e Qafë Barit. Burgu i Qafë Barit ndodhej 18 km larg qytetit të Pukës. Në këtë burg ndodheshin 500 të burgosur politikë të dënuar mbi 25 vite burg dhe si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta. Në mëngjesin e asaj dite, të burgosurit u grupuan në shesh duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! U përdor dhunë mbi të dënuarit, si Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Nuredin Skrapari, Sandër Sokoli, Bajram Vuthi, Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Martin Leka, Vllasi Koçi, Lazër Shkëmbi, Haxhi Baxhinovski, Kostandin Gjordeni, Hysen Tabakut. I dënuari Sandër Sokoli, vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendshme të Pukës, ku të dënuarve të tjerë iu bë dhe hetuesia e gjyqi po aty. Si përfundim, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu.
23 Maj 2017
Më 23 Maj 2017 u hap Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”. Ndërtesa kishte shërbyer si selia qendrore e përgjimeve të Sigurimit të Shtetit nga viti 1944-1991. Kurse para lufte kishte qenë një klinikë gjinekologjike.
30 maj 1967
Miratohet nga Ramiz Alia dhe Dashnor Mamaqi materiali “Mbi festat e reja socialiste”. Ky material udhëzonte si të zëvendësoheshin festat tradicionale fetare, me festat e reja nën frymën komuniste, si përvjetore partie, ditëlindje udhëheqësish komunistë, apo festa si ajo e mësuesit, gruas, 1 Majit, etj.
30 maj 1969
Hidhet në erë me dinamit Kisha e Shën Mërisë, në Vau i Dejës, objekt kulti i stilit romano-gotik i ndërtuar në shek. XIII.
31 maj 1961
Ekzekutohen me vdekje me pushkatim grupi i admiralëve dhe komandantëve të Flotës Detare Shqiptare, i njohur ndryshe si “Grupi i Komplotit Çam”. Ndër të arrestuarit ishin Teme Sejko, vëllai i tij Taho Sejko, Liri Belishova dhe Tahir Demi.











