Nga Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë
vijon nga Pjesa I dhe Pjesa II
“Ajo masakër na ndryshoi si s’ka ma zi. Vëllai u pushkatua, ne u internuam, shtëpinë e shembën, e shkatërruan. Na kishte hëngër dreqi. Përjetimi ynë ishte tragjedi e jashtëzakonshme.”
Gjon Mark Ndoj ishte 6 vjeç kur i vëllai, Ndreca, u ekzekutua pas vrasjes së Bardhok Bibës. Ai nuk e mban mend imazhin e të vëllait, as natyrën dhe as karakterin e tij. I kanë thënë se ishte njeri i drejtë dhe kur e vranë ishte vetëm 24 vjeç, tërësisht pa faj.
“E mbaj mend pak. Ka qenë njeri i aftë. Ai nuk e donte regjimin dhe ata e dinin. Vëllai im, Ndreca, u ekzekutua pasi na kishin internuar në Tepelenë. Vdekjen e tij ne e morëm vesh kur ishim në Turan. Mbaj mend nënat që qanin në Tepelenë, njërës i kishin vrarë djalin, tjetrës burrin, tjetrës vëllain,” kujton 73 vite më pas, Gjon Mark Ndoji.
Ndreca nuk kishte lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës, as me vendimin e komitetit të maleve. Shtëpia e tij kishte qenë e hapur për këdo që kalonte dhe shumë prej fisit të tij ishin kundërshtarë të regjimit komunist. Ndrecës i kishin kërkuar të tradhtonte të njohurit dhe ai nuk kishte pranuar.

Ndrec Mark Ndoj
Gjergj Marku, nipi i Ndrecës, kujton se xhaxhai ishte më i riu mes të vrarëve.
“Nga dokumentet del se pushkatimi u bë për pak kohë dhe pa ndonjë hetim serioz. Regjimi e bëri gjithçka me nxitim. Ata që bënë hetimet ishin tërësisht të papërgatitur. Vetë prokurori kërkon që Gjykata të bëjë procesin sa për të krijuar bindjen.”

Nëna e Ndrec Mark Ndojit
As ai nuk ka një shpjegim se pse Ndrec Mark Ndoji u përfshi në listën e ekzekutimit.
“Xhaxhai ka qenë partizan dhe pas çlirimit ishte kryetar i këshillit të zonës, me mjaft influencë në zonën e Kaçinarit. Ai ishte shkëputur nga komunistët, sepse ishte zhgënjyer dhe kishte kundërshtuar vendosjen e regjimit. Ishte bërë e qartë që kauza kishte rënë dhe ai u bë kundërshtar i regjimit. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse emri i tij u përfshi te lista e viktimave,” thotë Gjergj Marku.
Xhaxhai i tij u arrestua dy-tri ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës dhe u çua në Rrëshen ku ndodhej Dega e Brendshme.
“Të arrestuarit ishin vënë nëpër qeli në godinën pranë manit të Lalë Ndreut. Koha e tyre në qeli ka qenë torturë më vete. I lanë të vuanin për bukë dhe ujë. Ditën që janë nisur për të shkuar në vendin e ekzekutimit, kanë kaluar në lumë dhe kanë pirë ujë duke mbushur kësulat e kokës aq sa mundeshin nga duart e lidhura. Pastaj duhet të keni parasysh presionin që kishin përjetuar dhe pamjet e tyre të fundit. Ata shihnin njëri-tjetrin të vritej. Ngaqë ishin të lidhur me tela, ai që qëllohej i pari e binte në gropë tërhiqte edhe tjetrin dhe ata kanë dhënë shpirt duke parë këto skena, teksa hidheshin në gropa të çelura për ta duke tërhequr në mënyrë të pavullnetshme shokun përkrah.”
Nga 17 gushti, Gjergj Marku veçon edhe një tjetër detaj. Presidiumi i Kuvendit Popullor kishte marrë atë ditë vendimin e Gjykatës për 14 dënime me vdekje; kishte marrë edhe lutjen për falje dhe vendosi kundër faljes në orën e ditën kur në Qafë të Valmirit po bëhej pushkatimi i të dënuarve. Gjergji vëren se ky ishte një tjetër hap, vetëm për procedurë ose “për të krijuar bindjen”, sepse ndërsa përgjigja e Presidiumit shkonte në Rrëshen, ata ishin ekzekutuar, duke e bërë të qartë se gjithçka ishte parapërgatitur.

Skena e vrasjes që ndiqej me detyrim nga banorët e zonës dhe administrata e kohës kërkonte të përhapte kudo presion e frikë te njerëzit. Edhe nëse këtë herë familjet e tyre shpëtuan, të ardhmes nuk i dihej.
Ata u vranë 500 metra nga vendi ku 10 ditë më parë ishte vrarë Bardhok Biba. Simbolika ishte e qartë!
“Asnjë prej tyre që u vranë në Masakrën e Qafë-Valmirit nuk ishin të përfshirë në vrasjen e Bardhok Bibës. Ajo u bë për t’i futur tmerrin Mirditës. Masakra u bë që të trembnin të tjerët. U bë terror që të heshtej Mirdita. Në masakër u përfshi Kaçinari, Oroshi, Selita, Kthella, Bulshari, Jezulli, të gjithë bajrakët. Nga Kaçinari 39 veta vdiqën në burgje, internim ose u pushkatuan për çështjen e Bardhok Bibës,” thotë 83-vjeçari Gjon Mark Ndoi, vëllai i Ndrec Mark Ndoit të vrarë më 17 gusht 1949.
Ai kujton se 14 familjet e të ekzekutuarve panë tmerr.
“Ne ishim familje me tragjedi. Babai na kishte vdekur dhe na vranë edhe vëllain. Kjo masakër na ndryshoi si s’ka ma zi. Vëllai u pushkatua, ne u internuam, shtëpinë e shembën e shkatërruan. Na kishte hangër dreqi. Përjetimi ynë ishte tragjedi e jashtëzakonshme. Nuk përshkruhet!” thotë Gjon Mark Ndoji.

Për të, masakra nuk mori fund kur u vranë 14 veta.
“Ajo nuk na u ndal deri më 1990. Asnjëherë! Fëmija jonë nuk kishin të drejtë shkollimi. Nuk thirreshim as në dasma, as nuk mund të punonim ngjitur më të tjerët në kooperativë. Për 50 vite familjet tona ishin si të pushkatuara. Nuk kishin as të drejtat më elementare. Çdo gjë që ndodhte në Mirditë na vinin neve në shtëpi, për të na pyetur. Ishim në survejim ose nën presion.”
Ai shton se “masakra ishte një gjenocid për të marrë hak në Mirditë. Ishte gjenocid, sepse u futën në varr së gjalli 10 burra të lidhur duarsh e këmbësh. Kjo bëhej ndërsa të pranishëm ishin rreth 1.000 veta për t’i parë,” thotë 83-vjeçari Gjon Mark Ndoi, duke kujtuar se atë ditë edhe “Zoti lëshoi borë më 17 gusht në bjeshkët afër Qafë-Valmirit”.

Gjergj Marku është përpjekur pas 1990-ës të zbardhë të vërtetën për xhaxhain, Ndrec Mark Ndoin. Pasi i zhvarrosën nga Qafë-Valmiri në shkurt 1991 dhe i varrosën në Shpal, me gjithë presionin që ndihej ende, hulumtuan për të zbuluar atë që kishte ndodhur.
“Në 1995 përgatitëm një dosje për masakrën ku dilte që ata u vranë pa respektuar edhe ligjet e kohës. Materiali u publikua në disa media të kohës dhe bazohej në rolin e tri figurave: ish-kryetari i Komitetit, Mëhill Doçi, ish-shefi i Sigurimit, Ndue Gjigjoka, dhe Sul Maloku, kyetar i Degës së Punëve të Brendshme. Pas botimit të materialit, Sul Maloku u nda nga jeta. Dy të tjerët u arrestuan dhe u liruan. Drejtësi nuk u bë prapë dhe duhet kujtuar se kur arma e togës së pushkatimit në Qafë-Valmir u bllokua, Mëhill Doçi i qëlloi me armën e tij. Dhe kjo, i shtohet rolit të tij!”
73 vite pasi ata janë shpallur “Martirë të demokracisë” dhe me “Urdhrin e Flamurit”, familjarët thonë se për ta nuk ka pasur as një metër katror vend për t’i nderuar me një pllakë përkujtimore.
* Ky artikull është pjesë e një serie të shkruar nga gazetarja Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në kuadrin e përkujtimit të 73-vjetorit të Masakrës së Qafë-Valmirit. Te Observatori i Kujtesës gjeni edhe ekspozitën me titull “Masakra e Qafë-Valmirit”.













