Nga Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë
vijon nga Pjesa I, Pjesa II dhe Pjesa III
“Para se të dilte për herë të fundit nga shtëpia, Nikollë Bardhoku i la të shoqes vetëm një porosi: “Kalamajt çoi në shkollë!” “Baba i la amanetet, sepse e dinte që është i shkuar dhe shkolla ishte fiksimi i tij.”
Sot 73 vjeç, Lekë Bajraktari (Shtija) ishte vetëm 2 muajsh kur i ati, Nikollë Bardhoku, ish-oficer, u pushkatua në Qafë-Valmir. Ai nuk e njohu dhe ky është pengu i tij më i madh.
“Unë kisha një vëlla e dy motra para meje. Isha fëmija më i vogël dhe isha më i dënuari se ma kishin marr babën pa e njoft.”

NIkollë Bardhoku
Kujtimet e tij të para janë nga kampi i Tepelenës, kur akoma nuk e kishte kuptuar kush ishte dhe nga vinte. Ndërgjegjësimin për familjen e tij e pati vetëm pasi kreu internimin.
E di me saktësi se i ati nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës, madje ai ishte garanci për jetën e të atit.
“Babai nuk kishte lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës, as babai, as 13 të tjerët që u vranë. Ata ishin personat që u vunë në listë sepse kishin ndikim. Ishin të gjithë shtëpi të para, bajraktarë, kapedanë, vojvodë e pleq katundi, por plaku i bajrakut atëherë ishte i fuqishëm në zonë, si me qenë gjykatë e naltë. Kur u vra Bardhok Biba, baba ka qenë në Burrel me ble drithë me mushka. E arrestuan në një ditë me të tjerët, nga batalioni i ndjekjes, se ishte në Martanesh. Të gjithë ata që u pushkatuan u arrestuan natën nëpër shtëpi dhe pjesë skuadrës së arrestimit ishte njëri nga këshilli i katundit. Ishin brigada e ndjekjes. Komandant i ndjekjes ka qenë ‘koloneli i zi’ Zija Kambo. Kur e dëgjoja dikur shprehjen ‘koloneli i zi’ mendoja se ishte vërtet i zi. Më pas u rrita dhe gjeta një fotografi të tijën. Ai ishte i bardhë dhe shumë i pashëm, por ‘i zi’ e quanin për këto që kishte bërë. Babain e arrestuan në shtëpi dhe pas dy ditësh neve na internuan.”

NIkollë Bardhoku (djathtas)
E ëma i ka treguar se atë natë në fillim u rrethua shtëpia me dy perimetra, bashkë me shtëpinë e komshisë. Sipas rrëfimeve, ata hynë pa thirrur, duke e thyer derën. E shoqja e Nikollë Bardhokut fshehu armën e tij, Kanunin e Lahutën e Malcis së Gjergj Fishtës te arka e rrobave të saj dhe fotografitë që ia jepte fëmijëve shumë herë. Për ta, ajo që ndodhi nuk ishte e papritur.
“Babai e priste që do e arrestonin. Sapo është vrarë Bardhok Biba, ai ka shkuar në shtëpi dhe ka thënë ‘A ba nami. Mirdita sot mbaron.’ Baba ka qenë politikan dhe e ka ndjerë që ajo vrasje do të kishte ndikim. Ai dinte gjermanisht e italisht, kishte nuhatje. Baba kishte marrëdhënie të mira me Bardhok Bibën sa ishin gjallë të dy. Në një farë forme, baba kishte një farë garancie sa ishte Bardhoku gjallë, sepse baba nuk kishte aktivitet. Ata që ishin në male nuk vinin të takonin babën, se e dinin që baba kontrollohej. Ata që rrinin në male nuk ishin personazhet që jep Kinostudioja. Po të marrësh emrat e atyre që ishin në male, ishin emrat më të mëdhenj dhe familjet më të mëdha e fisnike të Mirditës,” thotë Leka, djali i Nikollë Bardhokut.

Para se të dilte për herë të fundit nga shtëpia, Nikollë Bardhoku i la të shoqes vetëm një porosi: “Kalamajt çoi në shkollë!” “Baba i la amanetet sepse e dinte që është i shkuar dhe shkolla ishte fiksimi i tij,” tregon ai.
Vrasjen e Nikollë Bardhokut familja e mësoi shpejt në internim, sepse për ta komunistët ishin vetë të interesuar që lajmet e terrorit të përhapeshin shpejt.
“Skena e ekzekutimit ishte si amfiteatër. Ata vriteshin, populli i shihte. Shifra është e fryrë mbase, por mbi 330 veta janë marrë të shohin ekzekutimet. Kam pasur aty tre kushërinj të babës që e shihnin.”

Prej dëshmitarëve, familja e Nikollë Bardhokut mësoi se ai kishte rënë në varr i gjallë dhe më pas ngjarja u përhap edhe përmes një kënge të rapsodëve të zonës.
“Babai im ishte ai që ra në varr i gjallë. Në rreshtin e 10 burrave të lidhur me tela ishte i pari, por i qëlloi të vritej i fundit. Ai ka parë gjithë skenën, varjen e 4 vetave dhe më pas pushkatimin me radhë të 9 vetave derisa i erdhi atij radha. Komandantit të skuadrës së pushkatimit, Mehdi Bilbilit, të cilin unë e kam takuar personalisht, i është bllokuar arma kur po qëllonte të 7-in. E ka hedhur armën dhe ka kërkuar armë. Para tij ka qenë Gjon Frroku, anëtar i kryesisë së Partisë, që kishte me vete një armë. Bilbili i kërkoi armën e tij që të vijonte ekzekutimet, por Frroku i tha jo, ‘se është armë personale kjo’, pra edhe në gjithë atë terror kishte burra me karakter e personalitet. Kur e pyeta Bilbilin në Tiranë, më shpjegoi historinë bllokimit të pistoletës që unë e kam marrë, e kam në shtëpi. I thashë a e ruajti armën që më vrau babain, e ai më tha që nuk ta ka varrë ajo armë, jo arma që u bllokua. ‘Yt atë,’ tha, ‘u vra nga Mëhill Doçi. Nuk ma dha pistoletën, por erdhi dhe e bëri ekzekutimin e tre vetave të fundit me armën e vet. Duke mos qenë specialist, ra i gjallë në varr.’ Babai ishte i fundit dhe pra ra i gjallë. Ata kanë nisur t’i mbulojnë me dhe ndaj babai ka thirrur ‘çfarë bëni burra, mos na mbuloni të gjallë. Atëherë është bërë tmerr. I kanë gjuajtur me mitralozë.”

Leka u rrit duke u përpjekur të imitojë imazhin e të atit. Gjatë komunizmit shkonte shpesh te varri ku ish-oficeri prehej me nëntë veta të tjerë, pak metra nga busti i Bardhok Bibës.
“Kur ishim në gjimnaz organizohej vizitë te lapidari i Bardhok Bibës. Unë nuk shkoja aty, por shkoja më pas te varri i babës. Kur i zhvarrosëm, i gjetëm me duar e këmbë të lidhura me tela me gjemba. Dhe e mendoj shpesh atë vapë gushti kur i çonin në Qafë-Valmir nga Rrësheni. Një pjesë të rrugës i çuan me makinë e një pjesë ku nuk shkonte më makina. Rreth 1 orë kanë ecur në këmbë të lidhur me tela me gjemba këmbë-e-duarsh – kishin edhe një tel që i lidhte njëri me tjetrin e që i tërhiqte të gjithë. Kanë kërkuar ujë, por nuk janë lënë të pinë.”

Nikollë Bardhoku
Leka ka kërkuar kudo për të gjetur listën e familjeve që u çuan në internim, por nuk ka asnjë gjurmë të saj.
“Kam kërkuar listat e 300 familjeve që u internuan, por nuk ka lista, as shkresa, as dokumente që e vërtetojnë që 300 familje nga Mirdita u çuan në internim. Ne e dimë që ishim. Kam kërkuar unë në Kartotekën e Degës së Brendshme, kam shkuar në Kartotekën e Tepelenës, në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, po ashtu, dhe nuk ka një listë. Pra ne kemi qenë një kope që na kanë vënë përpara dhe na kanë çuar në internim pa asnjë vendim, pa asnjë dokument. Nga familja jonë ishin 18 veta në internim pa një letër me vendim për këtë.”
Ai ende e quan veten “fëmija djepthyer”, sepse kur i morën për internim nuk i lanë kohë të ëmës të merrte djepin për të, madje ia thyen. Ajo e lidhi foshnjën 2-muajshe në një tjegull.
* Ky artikull është pjesë e një serie të shkruar nga gazetarja Fatmira Nikolli për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në kuadrin e përkujtimit të 73-vjetorit të Masakrës së Qafë-Valmirit. Te Observatori i Kujtesës gjeni edhe ekspozitën me titull “Masakra e Qafë-Valmirit”.













